Botë

Ikea në Francë gjobitet me 1 milion euro për përgjim të stafit

Një gjykatë në Francë ka urdhëruar Ikean që të paguajë gjobë prej 1 milion euro, pasi rrjeti suedez i mobilieve është shpallur fajtorë për përgjim të stafit në Francë, raporton BBC.

Ish-shefi ekzekutiv i Ikea Francë, Jean-Louis Baillot, ka marrë burgim me kusht prej dy vjet dhe gjobë 50 mijë euro.

Filiali i Ikeas në Francë është zbuluar se ka angazhuar detektivë privatë dhe zyrtarë policorë për të mbledhur të dhënat private për stafin. Dëshmitë dolën në vitin 2012.

E goditur nga ky skandal, Ikea shkarkoi katër menaxherë dhe implementoi një kod të ri të sjellës.

Në mesin e 15 personave në gjyq në Versailles ishin edhe ekzekutivë të lartë dhe ish-menaxherë të dyqaneve.

Katër zyrtarë policorë po ashtu janë në gjyq për dorëzim të informacioneve konfidenciale.

Sistemi i mbikëqyrjes masive u përdor nga menaxherët e dyqaneve për të kontrolluar aplikuesit për punë, si dhe për të kontrolluar stafin e tyre.