Botë

G7-a si shans për të nxjerrë mësime nga COVID-19

Descriptive Text

Pandemia dhe rimëkëmbja prej saj do të jenë temat numër një në diskutimet treditore të klubit të demokracive më të pasura, që janë zotuar të shpërndajnë të paktën 1 miliard doza vaksinash për vendet në telashe. Këtu hyn premtimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për të ndarë 500 milionë doza dhe zotimi i Johnsonit për 100 milionë të tjera

Kryeministri britanik, Boris Johnson, u ka thënë të premten liderëve të tjerë të ekonomive më të avancuara të botës se Samiti i G7-s është shans për të nxjerrë mësime nga pandemia e koronavirusit dhe për të garantuar që gabimet e bëra gjatë saj të mos përsëriten.

Duke iu adresuar liderëve të Shtatëshes, sikurse edhe Bashkimit Evropian, Johnsoni ka thënë qartë: “Mendoj se ky është një takim që përnjëmend duhet të ndodhë, ngase duhet të sigurojmë se kemi mësuar nga pandemia”.

Pandemia dhe rimëkëmbja prej saj do të jenë temat numër një në diskutimet treditore të klubit të demokracive më të pasura, që janë zotuar të shpërndajnë të paktën 1 miliard doza vaksinash për vendet në telashe. Këtu hyjnë premtimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për të ndarë 500 milionë doza dhe zotimi i Johnsonit për 100 milionë të tjera.

“Është jetike që të mos i përsërisim gabimet e krizës së fundit të madhe, recesionit të fundit madhor ekonomik më 2008, kur rimëkëmbja nuk ishte uniforme gjatë të gjitha pjesëve të shoqërisë”, ka thënë Johnson para liderëve që pozonin për fotografinë familjare tradicionale. “Dhe mendoj se ajo që ka shkuar ters me këtë pandemi dhe çfarë rrezikon të jetë një vragë e vazhdueshme është se pabarazia mund të mbetet e ngulitur”.

Më herët Bideni ka thënë: “Do të ndihmojmë që ta nxjerrim botën prej kësaj pandemie, duke bashkëpunuar me partnerët tanë globalë”.

Liderët e G7-s – ku përfshihen edhe ata të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë – shpresojnë se takimi në bregdetin britanik do t’i japë njëherësh shtysë edhe ekonomisë globale.

Me gjithë qiellin e vrerët, liderët u larguan nga skena e fotografimit po aq të ngazëllyer sikur fëmijët kur e ndërtojnë një kështjellë prej rëre. Të prirë prej Johnsonit, presidenti francez Emmanuel Macron është fotografuar tek ia vendos krahun në supet e Bidenit.

Më vonë gjatë bisedimeve ata pritet që ta përqafojnë taksën minimale globale prej të paktën 15 për qind për korporatat shumëkombëshe, pas arritjes së kësaj ujdie një javë më parë nga ministrat e tyre të Financave. Minimumi synon që ta ndalojë praktikën e përdorimit të të ashtuquajturave “parajsa të taksave” nga ana e kompanive që u shmangen tatimeve.

Kjo paraqet një fitore potenciale për administratën Biden, e cila kishte propozuar këtë taksë si mënyrë pagese për projektet infrastrukturore.

Nga ana tjetër për Johnsonin, samiti i parë i G7-s në dy vjet – vitin e shkuar nuk ishte mbajtur shkaku i pandemisë – paraqet një shans për ta shpalosur vizionin e tij për “Britaninë globale” të pas-BREXIT-it, si një vend me rol madhor në zgjidhjen e problemeve globale. Është mundësi për fuqizimin e lidhjeve SHBA-Britani, një aleancë kjo rëndom e cilësuar si “marrëdhënie e veçantë” – porse Johnsoni ka theksuar se parapëlqen që ta quajë “marrëdhënie e pathyeshme”.

Samiti ka nisur punimet të premten si rëndom, me takimet e zakonshme formale dhe me një fotografi të liderëve të pozicionuar në përputhje me distancën fizike. Më vonë, liderët do të takohen me Mbretëreshën Elizabeth dhe anëtarët e tjerë të monarkisë në Eden Project.

Por ditë përpara kësaj, krejt liderët kanë qenë nën presion të shtuar për t’i shpalosur planet e tyre për shpërndarjen e vaksinave, veçmas kur pabarazia në furnizime po thellohet përherë e më shumë. Në SHBA ka rezerva të konsiderueshme të kurave kundër COVID-19 derisa kërkesa për doza ka rënë gjatë javëve të fundit. Bideni veçse është zotuar se do të ofrojë si donacion 500 milionë doza vaksinash. Ky përkushtim është veçmas 80 milionë doza që presidenti amerikan ka premtuar që t’i dhurojë deri në fund të qershorit. Johnsoni nga ana tjetër ka theksuar se 5 milionë dozat e para të Britanisë së madhe do të shpërndahen javëve në vijim.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se shpreson që samiti do t’i tregojë botës se “nuk jemi duke menduar vetëm për veten”. Ndërkaq Macroni ka theksuar se Franca do të ndajë të paktën 30 milionë doza globalisht deri në fund të vitit. Gjermania planifikon të dhurojë po kaq.

Zotimi amerikan është që të blihen dhe të dhurohen 500 milionë doza të vaksinës “Pfizer” për shpërndarje nëpërmjet aleancës globale COVAX në 92 shtete të botës me të ardhura më të ulëta dhe në Unionin Afrikan. Fushata e COVAX-it ishte goditur nga një start i avashtë në shpërndarje, meqë vendet më të pasura kishin siguruar me miliarda doza nëpërmjet marrëveshjeve direkte me prodhuesit.

Ky zotim i Bidenit, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, i shkon goxha për shtati temës që presidenti mëton ta rrahë në javën e vizitës nëpër Evropë: se demokracitë perëndimore e jo shtetet autoritare mund t’ia sjellin botës më të mirën.

Përktheu: Nita Lleshi