Përveç parandalimit të lërimit, ushtarët morën masa të tjera për të shkatërruar ushqimin, thonë dëshmitarët. Ushtarët e Eritresë janë të njohur për ndotjen e siloseve ushqimore, ndonjëherë duke përzier grurë me rërë dhe baltë
Gruas shtatzënë, të fshehur në shkurre, ushtarët e Eritresë së pari ia morën bukën. Pastaj e dëbuan nga pika e kontrollit, kur ishte në prag të lindjes.
Beben e lindi në shtëpi dhe për 10 ditë eci në këmbë për ta dërguar në një klinikë në Tigray, në veri të Etiopisë.
Vetëm 20 ditë jetë, foshnja Tigsti kishte këmbë të përdredhura dhe mezi vërehej se ishte gjallë -shenjë e asaj që zyrtari i Komeve të Bashkuara e quan si një prej kushteve më të rënda në dekadën e fundit në këtë rajon.
“Ajo mbijetoi, sepse e mbajta afër barkut dhe e fsheha gjatë udhëtimit rraskapitës”, thotë Abeba Gebru, grua e qetë nga Getskimilesley. Në dorën e majtë e mbante një hajmali.
Në Tigrayn e shkatërruar nga lufta, më shumë se 350 mijë njerëz po përballen me urinë, vlerësojnë Kombet e Bashkuara dhe grupet e tjera humanitare. Njerëzit jo vetëm që po vdesin nga uria, por ata kanë vdekur. Në zonat bujqësore në Tigray, fermerët, punëtorët dhe zyrtarët lokalë konfirmuan se ushqimi është kthyer në armë lufte.
Ushtarët e Etiopisë dhe Eritresë po bllokojnë ndihmën ushqimore, madje edhe duke e vjedhur atë. Ushtarët gjithashtu akuzohen për ndalimin e fermerëve nga korrja ose lërimi, vjedhjen e farërave për mbjellje, vrasjen e bagëtive dhe plaçkitjen e pajisjeve të fermave.
Më shumë se 2 milionë nga 6 milionë banorë tashmë kanë ikur nga Tigray, në pamundësi për të marrë të korrurat e tyre. Ata që kanë qëndruar e kanë të pamundur të mbjellin apo të punojnë arat nga frika për jetën e tyre.
“Nëse gjërat nuk ndryshojnë së shpejti, uria masive është e pashmangshme”, thotë një punëtor humanitar, i cili foli në kushte anonimiteti për t’i shpëtuar hakmarrjes nga grupet e armatosura. “Kjo është një katastrofë e shkaktuar nga njeriu”.
Shkalla e plotë e urisë është e vështirë të përcaktohet, sepse zyrtarët dhe ndihma ushqimore ende nuk mund të futen në pjesët më të largëta të një rajoni të ashpër edhe në motin më të mirë. Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara të enjten ka deklaruar se kishte marrë ndihmë për 1.4 milionë njerëz në Tigray. “Kjo ishte vetëm gjysma e numrit që duhet të arrinim”, pjesërisht sepse grupet e armatosura po bllokojnë rrugën.
Beteja e fermerëve
Për çdo nënë si Abeba që ia del të ikë, qindra, ndoshta mijëra, janë bllokuar pas frontit të luftës ose bllokadave të rrugëve nga ushtria.
“Shumica e fëmijëve të kequshqyer vdesin atje”, thotë Kibrom Gebreselassie, drejtor kryesor mjekësor i Spitalit Ayder në Mekele. “Kjo është një majë e ajsbergut”.
Lufta në Tigray nisi në fillim të nëntorit, pak para sezonit të korrjes, si një përpjekje e kryeministrit etiopian Abiy Ahmed për të çarmatosur udhëheqësit rebelë të rajonit.
Në njërën anë janë guerilët besnikë të udhëheqësve të rrëzuar dhe tani të arratisur të Tigrayt. Nga ana tjetër, janë trupat qeveritare etiopiane, trupat aleate nga Eritrea fqinje dhe milicitë nga grupi etnik Amhara. Të bllokuar në mes janë civilët e Tigrayt.
Lufta ka sjellë masakra, përdhunime në grupe dhe dëbime të njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr vërejtjen se në perëndim të Tigrayt po bëhet spastrim etnik.. Tani, përveç tmerrit të luftës, banorët e Tigrayt po përballen me një problem tjetër: urinë.
Zëvendësudhëheqës i rajonit të Tigrayt, Abebe Gebrehiwot, pranoi se njëmend po bëhej spastrim etnik, teksa shtoi se luftërat po bllokojnë ndihmën ushqimore, për të cilën banorët e Tigrayt kanë shumë nevojë. Ka shtuar se administrata e përkohshme e rajonit, e emëruar nga Abiy, po përpiqet me dëshpërim të parandalojë urinë, përfshirë në zonat ku forcat e Eritresë vazhdojnë të udhëheqin.
“Ka disa lojtarë të kësaj lufte që nuk duan që ne të… lërojmë tokën”, thotë Gebrehiwot. “Shumë ushtri na parandalojnë të mbjellim farat”.
Qeveria e Etiopisë ka kundërshtuar ashpër lajmet se uria po përdoret si armë lufte. Mitiku Kassa, zyrtar në Komisionin Kombëtar të Menaxhimit të Rrezikut të Katastrofave, të mërkurën ka thënë se Kombet e Bashkuara dhe organizatat joqeveritare “kanë qasje të pakufizuar” në Tigray dhe se ndihma ushqimore në vlerë prej 135 milionë dollarëve tashmë është shpërndarë.
“Ne nuk kemi ndonjë mungesë ushqimi”, deklaroi ai. Mirëpo kjo gjendje nuk ajo që është parë në terren nga Associated Press.
Teklemariam Gebremichael dhe fqinjët e tij thonë se ushtria e Eritresë nuk lejon marrjen me bujqësi. Njëri thotë se kur ushtria sulmoi bagëtinë e tij, e qëlluan edhe atë.
Ai mbijetoi. Lopët jo. Me mungesën e ushqimit, plaga e tij po shërohet ngadalë.
“Unë i bëj thirrje botës që duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të ndihmuar Tigrayn, sepse ne nuk mund të jetojmë më në tokën tonë”, lutej ai.
Blegtori tjetër Gebremariam Hadush dhe pesë fëmijët e tij thonë se gjithsesi po shfrytëzonin shanset e tyre, duke garuar me kohën kur po afrohet sezoni i lagështisë.
“Ne duhet të punojmë këtë tokë për herë të dytë ose të tretë”, thotë ai. “Por deri më tani nuk mund ta punonim tokën, sepse nuk kishim paqe. Tani, gjithçka që mund të bëjmë është thjesht të gërvishtim sipërfaqen”.
Kërkesa për bukë
Uria është veçanërisht e ndjeshme për Etiopinë, ku pamjet e fëmijëve të uritur me gjymtyrë asht e lëkurë dhe sy të hapur në vitet ‘80 nxitën një protestë globale. Thatësira, konfliktet dhe mohimi i qeverisë luajtën rol në urinë, e cila la të vdekur rreth 1 milion njerëz.
Situata tani ka shqetësuar edhe botën - ani pse nuk është e mjaftueshme, thotë Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA-së në OKB. Ajo bëri thirrje që Këshilli i Sigurimit i KB-së të zhvillonte një takim në lidhje me Tigrayn.
“Uria mund të ndodhë tashmë në zona të caktuara... sidomos në vendin që zgjoi botën për murtajën e urisë”, thotë ajo. “Unë i pyes ata që nuk pranojnë ta trajtojnë këtë çështje publikisht, a nuk ka rëndësi jeta e Afrikës?”
Në Hawzen, ku granatimet e artilerisë së rëndë dëgjohen shpesh, mësuesi Gebremichael Welay thotë se ende ka kujtime të sulmeve që shkatërruan depot e ushqimeve kur ai ishte i vogël.
“(Ushtria etiopiane) na bombardoi atëherë”, thotë ai. “Po e bëjnë përsëri”.
Bujqësia nuk është ndalur plotësisht në Tigray, por është bërë një akt i rrezikshëm rezistence. Në rrugën për në Abi Adi, qytet rreth 100 kilometra në perëndim të Mekele, AP-ja ka vërejtur disa bujq që lëronin ose të merrnin bagëtitë e tyre për të kullotur në kodrat e largëta. Krateret nga luftimet e fundit ishin të dukshme dhe kamionët ushtarakë të bombarduar gjendeshin përskaj rrugës.
“Nëse ata (ushtarët e Eritresë) na shohin duke lëruar, ata na rrahin”, thotë bariu 20-vjeçar nga Melbe, në jugperëndim të Mekeles. “Ne lërojmë vetëm kur jemi të sigurt se ushtria nuk është përreth”.
Përveç parandalimit të lërimit, ushtarët morën masa të tjera për të shkatërruar ushqimin, thonë dëshmitarët. Ushtarët e Eritresë janë të njohur për ndotjen e siloseve ushqimore, ndonjëherë duke përzier grurë me rërë dhe baltë, thotë një zyrtar i një organizate qeveritare në Mekele. Ndërsa dy palët e ushtrisë kanë plaçkitur pajisjet e bujqve dhe blegtorëve.
“Të gjitha mjetet tona të fermës, duke përfshirë plugjet, u plaçkitën dhe u morën me kamionë”, thotë Birhanu Tsegay, fermer 24-vjeçar nga qyteti Neksege. “Ata nuk lanë asgjë”.
Një ekip i AP-së ka raportuar për një fabrikë të përpunimit të mjaltit në qytetin e Agula, të shkatërruar nga ushtarët e Eritresë. Punëtori Tekeste Gebrekidan mori një fletushkë të ndotur të sindikatës së fermerëve, që dikur eksportoi mjaltin e çmuar të rajonit dhe vuri në dukje se udhëheqësit e saj janë zhdukur, supozohet të vdekur ose të zhvendosur.
“Kërkesa për ushqim në fshatra është shumë e lartë”, thotë Tekeste, që punon si koordinator i Shoqatës së Ndihmës në Tigray. Niveli i nevojës për ushqim, sipas tij, është “përtej kapacitetit tonë”.
Lutjet e nënave
Ndonjëherë ndihma ushqimore kalon pavarësisht nga të gjitha sfidat, por gjithsesi është e paktë. Në fillim të majit një turmë e madhe u mblodh nën diellin përvëlues në Agula për të ndarë ushqimin e blerë me paratë e SHBA-së.
Ushqimi që ata dhanë atë pasdite - 15 kilogramë grurë, gjysmë kilogram bizele dhe pak vaj gatimi për person, për të zgjatur një muaj - ishte caktuar vetëm për më të rrezikuarit. Kjo përfshinte nënat shtatzëna dhe të moshuarit siç ishte 60-vjeçarja Letebrhan Belay, e cila eci katër orë për të arritur atje.
Familja e saj kishte 10 anëtarë, thotë ajo. Kishte marrë ushqim vetëm për pesë anëtarë. Por këmbënguli se ishte furnizuar më mirë se të tjerët.
“Do të ketë njerëz që vdesin nga uria”, thotë ajo teksa prekte thesin e vogël me ushqim.
Disa nga më fatlumët, si nëna infermiere Abeba, kalojnë shumë postblloqe për të arritur te ndihma mjekësore në Abi Adi dhe Mekele, por ato janë të pakta. Katër gra dhe foshnjat e tyre u pranuan në repartin e improvizuar për foshnje të kequshqyera në Abi Adi.
Të paktën dy fëmijë të sjellë në qendër që nga shkurti nuk kanë mbijetuar, thotë Birhanu Gebremedhin, koordinator shëndetësor për rrethin e Abi Adi. Ai thotë se shumë fëmijë të kequshqyer në fshatra nuk mund t’ia dalin.
“Kjo kequshqyerje është shkaktuar nga konflikti”, thotë ai. “Ata kanë vjedhur ushqimin e tyre, pajisjet e tyre dhe disa janë vrarë. Kështu që ata nuk janë në gjendje të ushqejnë fëmijët e tyre”, thotë ai.
Birhan Etsana, nënë 27-vjeçare nga Dengelat, po mbante shpresë për të mbijetuarën e vetme të trinjakëve të saj. Foshnja është pranuar në spital me ndërlikimet e formuara nga kequshqyerja. Foshnja Mebrhit ishte 17-muajshe, por peshonte vetëm 5.2 kilogramë. Dhe kjo pas një jave në kujdes intensiv, ajo i shpëtoi rrezikut nga tubi i vendosur në vrimën e hundës.
“Edhe kur i jepja gji, ajo nuk mund të pinte asgjë për shkak të mungesës së ushqimit”, thotë Birhan.
Një foshnjë tjetër e pranuar në Spitalin Ayder me kequshqyerje të rëndë akute vdiq, thotë kryeinfermierja Tkleab Gebremariam. Nëna iku gjatë luftimeve, duke e lënë fëmijën me gjyshen e tij të pafuqishme për shtatë ditë. Ata u ribashkuan pas 10 ditësh, por arritën në spital shumë vonë.
Ndërsa nëna e Mulu kishte kaluar shumë kohë duke u fshehur nga ushtarët dhe duke kërkuar ushqim për të parë fëmijën e saj. Ndërsa ushtarët u afruan, asaj iu desh të shpëtonte në kaçubë. Foshnja e saj vuajti.
Fëmija ishte pa ndjenja kur u pranua për herë të parë në prill. Ishte kequshqyer rëndë dhe anemik, pasi humbi gjysmën e peshës së trupit. Dy javët në kujdes intensiv ia shpëtuan jetën. Në pothuajse dy vjeç, ai ende peshonte vetëm 6.7 kilogramë.
“Kjo foshnjë është me shumë fat që po shërohet pasi ka ardhur këtu”, thotë Tkleab. “Ka shumë të tjerë që nuk e patën këtë mundësi”.
Përktheu: Gent Mehmeti