Në kohën kur Kina po e vazhdon ngritjen, demokracitë perëndimore po mundohen fort që të rivënë themelet e një baraspeshe të re fuqie në epokën e trazimit. Por, a mund të rikrijojnë një aleancë botërore shtatë shtetet më të zhvilluara të botës?
Konferenca e përvitshme e Sigurisë e Munihut është takim i zyrtarëve të huaj dhe të mbrojtjes të Perëndimit që mbahet në qytetin me të njëjtin emër në jug të Gjermanisë, por lidershipi i saj e ka selinë në Berlin. Kësisoj e nis shkrimin me simbolikë revista “New Statesman” për gjendjen aktuale dhe mundësinë e kthimit të fuqisë së Perëndimit në skenën politike ndërkombëtare. Artikulli vazhdon me të dhënat e tjetra mbi vendndodhjen e zyrës së Konferencës në një rrugë që ndodhet afër pjesës ku dikur zgjatej Muri i Berlinit. Aty berlinezët lindorë kishin vërshuar kufirin me të marrë vesh lajmin në natën e 9 nëntorit të 1989-s se do të hapeshin postblloqet. Dhe më shumë se tri dekada më vonë, nga vendi ku dikur ishte ngjallur shpresa e dominimit të Perëndimit, u publikua raporti i përvitshëm i Konferencës së Sigurisë së Munihut, ku, sikurse vlerëson Jeremy Cliffe, redaktor i lajmeve ndërkombëtare në revistën e njohur, shkruhet për epokën e re me mungesë të ndikimit të theksuar të Perëndimit.
Droja e Perëndimit
“Është e zorshme t’i shmangesh përshtypjes se Perëndimi është në tërheqje, në rënie dhe nën sulm të përhershëm – nga brenda dhe nga jashtë”, thuhet në analizën e institucionit të njohur për analiza të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. “Shprehja rroku në shenjë dhe shkaktoi diskutime në mbarë elitat politike të Atlantikut Verior dhe në faqet ndërkombëtare të gazetave. Do të rezononte përsëri e përsëri lidhur me rrjedhën e vitit në kohën kur u shfaq pandemia e COVID-19”, kujton Cliffe, duke iu referuar raportit të publikuar në shkurtin e vitit të kaluar, para se Evropa të kthehej në vatër botërore pandemie.
“Megjithëse rrënjët i kishte në Kinë, virusi ekspozoi se sa të brishta, me koordinim të vakët sklerotik mund të jenë shtetet perëndimore dhe tregoi se Azia Lindore – dhe sidomos superfuqia në ngritje – është në dinamikën dhe kapacitetin e saj më të mirë. Në dymbëdhjetë muajt pasues që kulmuan me mësymjen e Capitolit në Washington DC në janarin e vitit 2021 – një parodi groteske e revolucionit demokratik liberal të vitit 1989 – u davaritën të gjitha dyshimet për realitetin e ‘Westlessnessit’”, shkruan Cliffe, duke përdorur shprehjen me të cilën i referohet mungesës së pranisë së fuqishme të Perëndimit në skenën ndërkombëtare.
Bideni, mundësi për Perëndimin
Megjithatë përtej frymës dëshpëruese në raportin e Konferencës së Sigurisë së Munihut, kujton “New Statesman”, Presidenca amerikane e Joe Bidenit shihet si “mundësi për të rifuqizuar Perëndimin” dhe flet për domosdoshmërinë e burimeve institucionale, materiale të ideve për rivitalizim. Shpresa u fuqizua më shumë me fitoren e Bidenit në Shtetet e Bashkuara dhe me thelbin e fjalimit të tij se “Amerika po kthehet”. Në raportin e Konferencës edhe kriza e pandemisë është parë si një thirrje konstruktive për zgjim të Perëndimit.
Cliffe vlerëson se liderët e Perëndimit do të jenë para një testi të madh ndërmjet 11 e 13 qershorit, kur nën nikoqirllëkun britanik do të mblidhen liderët e shtatë shteteve më të zhvilluara të botës – Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuara, Italia dhe Kanadaja. Këto në fakt ishin shtetet që përbënin thelbin e aleancës perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Ky do të jetë edhe udhëtimi i parë jashtë vendit i Bidenit si president dhe do të pasohet me pjesëmarrjen në një samit të NATO-s më 14 qershor dhe me një takim të presidentit amerikan me homologun rus, Vladimir Putin, më 16 qershor në Gjenevë.
Viti i mbrapshtë
Vetë G7-a është produkt i projektit të fuqisë perëndimore të pasluftës, duke nisur me takime të ministrave të financave si kundërpërgjigje ndaj krizës së naftës së vitit 1973, duke u kthyer më 1975 në një takim liderësh të gjashtë ekonomive më të mëdha perëndimore e të cilave u ishte shtuar edhe Kanadaja një vit më vonë dhe Bashkimi Evropian më 1981.
Grupi takohet çdo vit me presidencë me rotacion dhe zakonisht në periferi të qyteteve të mëdha. Nuk ka sekretariat të përhershëm dhe “vlera e saktë e tij është e debatueshme; disa diplomatë e konsiderojnë vetëm si një punëtori të diskutimit të rastësishëm”, shkruan “New Statesman”.
Viti 2020 është parë si pika më e re e ulët për vlerat perëndimore, vlerëson Cliffe, duke shtuar se vjet pati edhe rënie të shkallës së demokracisë në botë.
Pati shkelje të rregullave dhe kaos global nga Jemeni deri në Liban, Siri e Rusi, duke nxitur David Milibandin, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit të shpallte atë që u quajt agu “i epokës së mosndëshkimit”. Kina rimori shpejt veten nga pandemia dhe e përdori fuqinë e saj për të shtrirë ndikimin edhe më shumë në rajone si Afrika, Azia dhe Amerika Latine, derisa Perëndimi u përball me polarizim të fushave të ndryshme të jetës e përgjegjësisë publike. Edhe fuqia perëndimore po pëson goditje. Të dhënat ekonomike nga koha e pandemisë tregojnë se Kina do t’ia marrë anën ekonomisë amerikane edhe pesë vjet më herët seç ishte menduar, apo në vitin 2028.
Hija e gjatë kineze
Cliffe vlerëson se të bindur për dekadencën dhe rënien e brendshme të Perëndimit, liderët e Kinës kanë hequr dorë prej një hiseje të maturisë së tyre. Dhe kjo shihet edhe në qasjen e diplomatëve kinezë në komentet e tyre në platforma sociale, sidomos kundrejt zhvillimeve të lidhura viteve të fundit me Hong-Kongun.
Bideni fitoi me gjuhën e shpresës dhe me premtimin e ndryshimit të madh. Ai u zotua se ndryshe nga plëngprishësi Trump, ai do të përkushtohet për kthimin e aleancave të Perëndimit në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe analistët presin se tani politika e jashtme amerikane do të jetë më e parashikueshme dhe më e përqendruar në parime.
“Këshilltarët thonë se Bideni beson se (Kina) është test kyç me të cilin historianët do ta gjykojnë presidencën e tij”, ka deklaruar në prill Jeremy Diamond nga televizioni amerikan CNN, duke shtuar se Kina qendërson çdo temë të administratës së Bidenit, prej politikës së jashtme deri te bateritë e autobusëve elektrikë.
“New Statesman” kujton se si shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë ka folur gjerësisht për rindërtimin e familjes së demokracive, duke i riparuar marrëdhëniet me Evropën dhe me krijimin e një aleance të re për frenimin e Kinës. Njëherësh, Bideni po mundohet të merret me ringjalljen e ekonomisë së brendshme amerikane, duke ndarë shuma të larta në infrastrukturë.
Shenja shprese
Cliffe vlerëson se në prag të takimit të liderëve të shtatë shteteve më të zhvilluara në Mbretërinë e Bashkuar do të demonstrojë se “Perëndimi ende nuk ka marrë fund”, sikur ka deklaruar për të një prej burimeve brenda organizimit.
Lars-Hendrick Roller, një prej njerëzve më të afërt të kancelares gjermane, Angela Merkel, ka thënë me entuziazëm se “ky është viti i kthimit të multilateralizmit”. Në agjendë do të jenë shumë sfida, përfshirë ajo që vjen prej autokratëve nga Rusia deri në Kinë, por edhe ndryshimi klimatik, shpërndarja botërore e vaksinës kundër pandemisë dhe tregtia.
Prej inaugurimit të Bidenit president, vetëm sa kanë ardhur duke u rritur kërcënimet ndaj demokracisë liberale perëndimore. Kina ka ashpërsuar gjuhën dhe kërcënimet ndaj Tajvanit, Rusia mblodhi trupat në kufirin e Ukrainës e Birmania kreu grusht shtet ushtarak. Edhe në Indi është shënuar rënie e shkallës së demokracisë. Edhe në Afrikë ka ashpërsim të krimeve të luftës. Sfida tjera të jashtme për Perëndimin ishin konflikti i rindezur izraelito-palestinez dhe fushata represive në Bjellorusi.
Në mesin e dijetarëve të politikës së jashtme ka një debat ndarës në mes atyre si Hugo Meijer dhe Stephen G. Brooks, të cilët argumentojnë se “kakofonia strategjike” e Evropës së ndarë e bën mbrojtjen amerikane thelbësore për fuqizimin e Perëndimit dhe ata të frymës realiste, si Stephen Walt, që kërkojnë t’i jepet fund “varësisë” evropiane dhe të vihen raporte të reja barabarësie.
Trumpi më nuk është, por jo edhe trumpizmi – dhe shumëkush se mund të ketë inkarnim të tij. “Marine le Pen do të përbëjë sfidë garuese për Macronin në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Francë. Qeveria e ardhshme italiane mund të dominohet nga e djathta ekstreme”, shkruan Cliffe. “Nocioni se demokracitë perëndimore janë përherë në prag të një shkrirje të stilit të viteve 1930, janë të tepruara”, shkruan redaktori i “New Statesman”, duke vënë në dyshim edhe pretendimin e Edward Luce të “Financial Times” më 2017 se “historia do t’i kthehet punës normale pas një shkëputjeje të shkurtër”. \ Analizë e revistës “New Statesman”
Përgatiti: Rexhep Maloku