Botë

“Trupat tanë janë skena krimi”

Tshegofasto Pule ishte në muajin e tetë të shtatzënisë kur u vra dhe trupi iu var në pemë më 5 qershor 2020. “Al-Jazeera” përmbledh historinë e saj dhe të grave të tjera të vrara nga burrat atë ditë në një vend ku çdo katër orë vritet një grua

Johanesburg, Afrikë e Jugut - Ndërsa dielli i dimrit zhytej poshtë horizontit në një mbrëmje të ftohtë qershorin e kaluar, qindra gra, burra dhe fëmijë u mblodhën në rrugët e Meadowlands në Soweto.

Të veshur në të zeza, dhe duke kapur tullumbace rozë dhe qirinj që dridhen, turma - ca dorë për dore, shumë me lot në sy - u larguan për në shtëpinë e Tshegofatso Pule, fjalët e një kënge të vjetër të luftës anti-aparteidit që jehojnë në ajrin përreth tyre, shkruan “Al-Jazeera”.

"Senzeni na, senzeni na?”

“’Senzeni na, senzeni na’ (çfarë kemi bërë?)”, kënduan vajtueshëm në kor, duke i dhënë lamtumirën e fundit edhe një viktime të dhunës. Do të ishte vetëm tubimi i parë nga shumë syresh në emër të saj.

Pesë ditë më herët, më 5 qershor 2020, një grup banorësh nga Durban Deep në Roodepoort, një zonë rezidenciale shtatë kilometra nga Meadowlands, u mblodhën duke mos iu besuar syve: trupi i pajetë i një gruaje shtatzënë, pikonte gjak nga koka te gishtat e këmbëve, varur në një pemë në mes të ditës.

Ata bënë thirrje të shumta telefonike me anëtarët e tjerë të komunitetit, por përpjekjet e tyre dështuan për ta identifikuar atë. Kështu që grupi i burrave bëri foto dhe video të skenës së tmerrshme dhe filloi t’i qarkullonte ato në rrjetet sociale. "Pamjet u postuan për të gjetur familjen e saj", tha dëshmitari Tshepo Bodibe, i cili ishte thirrur në vendin e krimit nga një mik.

Më 8 qershor, familja e shkatërruar e Tshegofatso, e cila kishte qenë në kërkim të vajzës së tyre për ditë me radhë, pa videon virale të një gruaje të varur në një pemë të tharë. Ata e njohën atë si ‘Tshegoja’ e tyre, siç njihej.

28-vjeçarja ishte në muajin e tetë të shtatzënisë kur u qëllua në gjoks dhe më pas u var.

"Asgjë nuk mund t'ju përgatisë kurrë për skena të tilla", thotë shoqja e fëmijërisë së Tshegos, Zinhle Zëane, ndërsa s’i përmban lotët. Zinhle e dëshpëruar së pari kishte shpërndarë lajmin për vdekjen e tmerrshme të shoqes së saj në “Tëitter”. Kjo shkaktoi valë tronditëse në të gjithë vendin, duke nxitur protesta të organizuara nga gratë, politikanët dhe të famshmit.

Image

“Zoti president, ne po vdesim!”

Mes atyre që u angazhuan në mediat sociale për të shprehur tronditjen e tyre pas vrasjes ishte edhe ish-Miss Universe, Zozibini Tunzi, e cila shënjestroi presidentin e Afrikës së Jugut në një postim, duke thënë: "Unë nuk jam në rregull! Kjo nuk është në rregull! Zoti president, ne po vdesim!”

Zinhle me fytyrën e njomur nga lotët, megjithatë buzëqesh, ndërsa u kthehet kujtimeve të mira që ndau me shoqen e saj. Dyshja u takua 22 vjet më parë kur ishin vetëm gjashtë vjeç. Nënat e tyre, gjithashtu kishin qenë shoqe të ngushta. Por filli është këputur; fëmija i saj kurrë nuk do të ketë mundësi për të qenë shoqe me vajzën e Tshegos, e cila vdiq në bark së bashku me nënën e saj atë ditë.

“Si gra, ne nuk jemi të sigurta. Ne mund të luftojmë, marshojmë dhe të rrisim vetëdijen, realiteti është që ne nuk jemi të sigurta”, thotë Zinhle.

Në Afrikën e Jugut, një grua vritet çdo katër orë. Më 5 qershor të vitit të kaluar - ditën kur Tshego u vra - ajo u kthye në një tjetër statistikë: një nga tetë gratë e vrara brutalisht nga burrat në Afrikën e Jugut atë ditë.

Ne i dimë emrat edhe të dy të tjerave: Luyanda Nkambule, 29 vjeçe, jeta e së cilës u shua në shtëpinë e saj në Secunda, provinca e Mpumalanga, dhe Nompumelelo Tshaka, 45 vjeçe, e cila ishte gjymtuar dhe trupi i ishte hedhur në Mthatha, në Kepin Lindor.

Për dy nga të tjerët, ne dimë pak nga historia e tyre: në KëaZulu-Natal, dy infermiere të reja u vranë barbarisht gjatë rrugës për në shtëpi nga Spitali St. Apollinaris, gjoja nga një ish-i dashur i njërës prej viktimave, shkruan “Al-Jazeera”.

“Thjesht, numra”

Por tri të tjerat janë thjesht numra. Realiteti i zymtë është se vrasja e grave raportohet rëndë në media dhe raportet e policisë shpesh heqin identitetin e viktimave, duke i kthyer ato në statistika.

Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, Qendra për të Drejtat Kushtetuese, shkalla e femicideve në Afrikën e Jugut është pesë herë më e lartë se ajo globale. Në dy javët e para të qershorit 2020, 21 gra thuhet se u vranë nga burrat në vend. Por kurrë nuk mund të mësohen emrat, fytyrat dhe historitë e të gjithë atyre.

Për gratë e Afrikës së Jugut, ndjenja e njohur e frikës dhe traumës kolektive dëshmohet në lutjet e dëshpëruara në mediat sociale, duke kërkuar që qeveria të ndërmarrë veprime kundër vrasjes së grave.

Disa ditë pas protestës pas vrasjes së Tshegos, presidenti Cyril Ramaphosa lëshoi ​​një deklaratë duke dënuar rritjen e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në vend. Në deklaratë, ai u bëri thirrje komuniteteve t’i "japin fund kulturës së heshtjes dhe të flasin", duke shtuar se "kjo mund të shpëtojë jetën tuaj".

“Al-Jazeera” shkruan se për shumë gra të Afrikës së Jugut, si Sechele, fjalët e tij ranë të thata. "Kjo është shpërfillëse dhe lënduese sepse ne kemi artikuluar problemet tona dhe kemi raportuar shumë herë”, shkroi Sechele. Ajo vazhdoi duke thënë: "Ne po vuajmë dhe ky duket si një tjetër devijim i shqetësimeve tona".

Ndjenjat e saj u shprehën edhe nga Monique Smith, një studente e shkencave politike në Universitetin e Pretoria, duke komentuar në mediat sociale: “Zotëri president ka treguar se kur dëshiron të trajtojë një çështje, mund ta bëjë”. Ajo vazhdoi: “Shikoni se si ai punoi me shumë udhëheqës të ndryshëm në përpjekje për të minimizuar ndikimin e COVID-19. Sa shpejt u zbatuan ligjet dhe ndalimet. Ai nuk i jep dhunës së bazuar në gjini të njëjtën energji, sepse nuk dëshiron”.

Familjet dhe miqtë e viktimave të vrasjeve në Afrikën e Jugut vajtojnë të dashurit e tyre, pasi çdo ditë po rritet numri i grave të vrara. Ndërkohë, aktivistët vazhdojnë të bëjnë presion mbi qeverinë për të ndërmarrë veprime vendimtare, duke theksuar se numri aktual i vrasjeve me gjasë ka të ngjarë të jetë dy herë më i lartë se numri i raportuar.

Image

Indiferenca e pushtetit të burrave

Bafana Khumalo, nga “Sonke Gender Justice”, organizatë jofitimprurëse që trajton dhunën e bazuar në gjini, tha se gratë "po vriten qëllimisht nga burrat ndërsa qeveria nuk ka vullnetin politik për t'i dhënë fund masakrës”.

“Al-Jazeera” kontaktoi drejtorin e komunikimit në Departamentin e Grave, Rinisë dhe Personave me Aftësi të Kufizuara për komente mbi dhunën ndaj grave në Afrikën e Jugut, por nuk mori përgjigje.

Aktivistja kundër dhunës në baza gjinore brenda kampusit në Universitetin e Johanesburgut, Sezikhona Phakade, tha se problemi në Afrikën e Jugut është se burrat e dinë se do ta shpëtojnë atë.

"Mosndëshkimi është nxitësi më i madh i krimit, çfarë do t'i pengonte burrat të vrisnin dhe të na shkelnin kur ka vetëm tre për qind mundësi që ata të ndiqen penalisht për këtë?”- pyeti ajo.

Phakade aludon në faktin se Ministri i Policisë, Bheki Cele, njoftoi se u dënuan vetëm 130 nga 4,058 personat e arrestuar për pretendimin e dhunës me bazë gjinore në mars 2020. Kjo përfshin raste të tilla si vetëvrasje, sulm me dashje dhe forma të tjera të dhunës fizike, dhe kjo do të thotë që niveli i dënimit për krime të dhunshme ndaj grave është vetëm tre për qind.

Për më tepër, Phakade argumentoi: “Aparteidi dhe kolonializmi lanë një trashëgimi që thotë se gratë me ngjyrë nuk zotërojnë trupat e tyre, se ne nuk meritojmë të jetojmë me kushtet tona dhe se ne mund të vritemi me pasoja të pakta ose kurrfarë”.

Zimasa Mpemnyama, shkrimtare feministe me ngjyrë, thotë: “Pavarësisht se Afrika e Jugut ka bërë hapa të mëdhenj që nga agimi i demokracisë, ndikimi i zgjatur kulturor i aparteidit ilustrohet më së miri nga niveli i mizogjinisë që normalizohet shumë dhe qëndrimet e shoqërisë ndaj grave dhe veçanërisht grave me ngjyrë".

Një vit pas vrasjes së rëndë të Tshegos dhe foshnjës së saj të pa lindur, gjithçka që mbetet për familjen e saj, miqtë dhe komunitetin e Meadowlands, janë kujtimet dhe lufta për drejtësi.

Shoqja më e mirë e Tshegos buzëqesh ndërsa kujton bisedën e tyre të fundit: “Ajo donte të kryente lindjen në ujë, kështu që unë me frikën time e frikësoja për dhimbjet e lindjes”. Pas një pauze të shkurtër, ajo shton: “Unë ende i dëgjoj incizimet tona zanore. Më mungon çdo ditë”.

Për gratë e Afrikës së Jugut, gjithçka që ka mbetur janë këngët e luftës dhe mendimi i kahershëm: "A jam unë tjetër?"

Dhe në të ardhmen, prapë do të veshin rroba të zeza, do të mbajnë qirinj dhe do të ecin drejt shtëpisë së një gruaje tjetër, jeta e së cilës do të jetë shuar, duke kënduar: “Senzeni na (Çfarë kemi bërë?), Senzeni na kulomhlaba? (Çfarë kemi bërë në këtë vend?)”.

Përktheu: Rexhep Maloku