Botë

Japonia intensifikon vaksinimin në Tokio e Osaka, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus

Japonia ka filluar një program të vaksinimit masiv në Tokio dhe Osaka, pasi kriza me koronavirus po përkeqësohet, raporton BBC.

Ushtria ka krijuar qendra vaksinimi duke ofruar mijëra vaksina në ditë, ndërsa po prioritizohen të moshuarit.

Fushata e vaksinimit në Japoni ka nisur vonë dhe është penguar nga mungesa e furnizimit dhe nga pengesat organizative.

Si rezultat, Japonia është dukshëm prapa shteteve të zhvilluara në vaksinim. Vetëm rreth 1.9 për qind të popullatës janë vaksinuar plotësisht.

Pjesë të shumta të Japonisë janë aktualisht në gjendje emergjente, për t’i dhënë fuqi autoriteteve rajonale që të vendosin masa kundër pandemisë.

Japonia ka regjistruar më tepër se 700 mijë raste pozitive me koronavirus dhe mbi 12 mijë të vdekur nga COVID-19.

Lojërat Olimpike në Tokio është paraparë të mbahen në korrik, ndërsa po rriten thirrjet për anulimin e tyre.

Vaksinimi masiv po udhëhiqet nga forcat mbrojtëse të Japonisë dhe është paraparë të zgjerohet gjatë tre muajve të ardhshëm.

Autoritetet po planifikojnë të vaksinojnë deri 5000 persona në ditë në Tokio dhe 2500 në Osaka, me vaksinën Moderna, ndërsa në qershor dhe korrik ky kapacitet do të dyfishohet.

Qendra për vaksinim masiv janë planifikuar edhe në qytetet tjera të mëdha si Kobe e Nagoya.

Autoritetet japoneze shpresojnë që deri në fund të korrikut, personat mbi 65 vjet të vaksinohen.

Japonia ka nisur vaksinimin e popullatës në shkurt, më vonë se shumica e shteteve të zhvilluara.