Botë

“Paqja e përkohshme” në Gaza, mundësi për ndërmjetësuesit

Ndërmjetësuesit egjiptianë kanë bërë udhëtime drejt Izraelit dhe Rripit të Gazës – që sundohet nga “Hamasi” – me qëllim që të mundohen të arrijnë marrëveshje për armëpushim afatgjatë e të qëndrueshëm. Ata janë takuar edhe me rivalin e grupit islamik, presidentin palestinez Mahmoud Abbas, në Bregun e pushtuar Perëndimor

Marrëveshja e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit” është respektuar edhe në ditën e tretë, derisa ndërmjetësuesit kanë folur me të gjitha palët e përfshira, me qëllim që të arrihet ujdi për një periudhë më të gjatë qetësie pas ndaljes së luftimeve më të ashpra të viteve të fundit.

Ndërmjetësuesit egjiptianë kanë bërë udhëtime drejt Izraelit dhe Rripit të Gazës – që sundohet nga “Hamasi” – me qëllim që të mundohen të arrijnë marrëveshje për armëpushim afatgjatë e të qëndrueshëm. Ata janë takuar edhe me rivalin e grupit islamik, presidentin palestinez Mahmoud Abbas, në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Lynn Hastings, koordinatore për ndihmë humanitare nga Kombet e Bashkuara në territoret palestineze, ka thënë të dielën se OKB-ja do të bëjë thirrje për riparimin e dëmeve në Gazën me dendësi të madhe popullsie, ku edhe ashtu ka rrezik prej përhapjes së madhe të koronavirusit.

“Përshkallëzimi ka thelluar situatën edhe ashtu të rëndë humanitare në Gaza, të rezultuar nga 14 vjet bllokadë dhe ndasish të brendshme politike, paralelisht me armiqësitë aktuale”, ka deklaruar ajo në një deklaratë të shkruar nga enklava palestineze.

“Ne duhet të sigurohemi që ta përkrahim adresimin e nevojave ekzistuese, përfshirë ato që kanë dalë nga pandemia aktuale”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë të mërkurën se do të punojë me agjencitë e OKB-së për ofrimin e ndihmës humanitare për Gazën, “në atë mënyrë që nuk ia lejon ‘Hamasit’ që thjesht t’i rifuqizojë kapacitetet e veta ushtarake”.

Izraeli ka bllokuar Gazën që nga viti 2007, duke vlerësuar se kjo ia parandalon “Hamasit” sigurimin e armëve. Hastings ka theksuar se OKB-ja kaherë ka kërkuar nga Izraeli që ta heqë bllokadën dhe se këtë kërkesë po e bën edhe tani.

Zyrtarët palestinezë kanë thënë se kostot e rindërtimit i kalojnë dhjetëra-miliarda dollarë amerikanë në Gaza, ku zyrtarët e mjekësisë kanë thënë se 248 persona janë vrarë gjatë njëmbëdhjetë ditëve të luftimeve. Izraeli, ndërkaq, ka bërë të ditur se nga raketat e “Hamasit” 11 persona kanë mbetur të vdekur në pjesë të ndryshme të territorit izraelit.

Ekonomistët kanë thënë se rimëkëmbja e Izraelit nga pandemia do të mund të përkeqësohej për shkak të zhvillimeve të fundit. Izraeli ka rihapur kufijtë për turistët e huaj të dielën, por ka bërë të ditur se pret të kalojnë disa muaj derisa kjo industri ta rimarrë plotësisht veten.

Izraeli ka vaksinuar me dy doza rreth 55 për qind të popullsisë. Të dhënat e fundit tregojnë se ka rënie të theksuar të rasteve të reja me koronavirus.

Izraeli ka pranuar të dielën turistë hebraikë në një zonë të shenjtë të Jerusalemit të kontestuar, ku më parë ka pasur konfrontime të ashpra ndërmjet forcave policore izraelite dhe protestuesve palestinezë. Në qendër të konfrontimeve ka qenë kompleksi ku ndodhet edhe xhamia “Al-Aqsa”, vendi i tretë më i shenjtë në mesin e besimtarëve myslimanë. Përleshjet janë zhvilluar gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, duke kulmuar pastaj me shkëmbime sulmesh raketore ndërmjet ushtrisë izraelite dhe “Hamasit” palestinez. Edhe besimtarët hebraikë kërkojnë më shumë qasje në këtë zonë, për shkak se në afërsi ndodhet Mali i Tempullit.