Botë

Gaza, kriza që e testoi fort agjendën e demokracisë së Bidenit

“Në kohën kur administrata e Bidenit mundohej që ta fuste nën kontroll të plotë pandeminë, ta rimëkëmbë shëndetin e ekonomisë dhe të angazhohet në garën strategjike me Kinën, e ka bërë të qartë se çështja izraelito-palestinez nuk do të jetë prioritet në 100 ditët e para”, shkruan Elise Labott, profesoreshë në Shkollën e Shërbimit Ndërkombëtar të Universitetit Amerikan dhe kolumniste në revistën “Foreign Policy”

“Po i shohim shenjat e fundit të asaj çfarë është njohur si konflikti arabo-izraelit”, shkroi dhëndri i ish-presidentit Donald Trump, Jared Kushner, para dy muajsh në “Wall Street Journal”. Kushneri ka thënë se Marrëveshjet Abraham, seri ujdish paqësore, ku edhe ai ndihmoi në negociatat ndërmjet Izraelit dhe disa shteteve arabe, “e ekspozoi konfliktin si asgjë më shumë se një përplasje patundshmërie ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve”, i referohet Elise Labott, profesoreshë në Shkollën e Shërbimit Ndërkombëtar të Universitetit Amerikan dhe kolumniste në revistën “Foreign Policy”.

Ajo vlerëson se e parakohshme ishte shpallja e fitores nga ana e njërit prej njerëzve më të besueshëm të ish-liderit republikan. Prej 10 majit, më shumë se 230 persona janë vrarë në konfliktin e fundit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, me shkrepje të raketave nga “Hamasi” në drejtim të territorit izraelit dhe me kundërpërgjigje të vendosur izraelite me bombardime ajrore në Rripin e Gazës. Laboot thotë se pavarësisht arritjes së armëpushimit ndërmjet palëve, nuk pritet që të ketë ndonjë ndryshim të madh në rrjedhat politike në Lindjen e Mesme të trazuar.

Bideni, i papërgatitur

Presidenti amerikan, Joe Biden, ishte vënë nën presion të anëtarëve të Partisë së tij Demokratike dhe të opinionit publik për t’i bërë publikisht presion Izraelit për të ndalur bombardimet ajrore. Bideni u është bashkuar thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim dhe ka folur në telefon me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, por zyrtarë të lartë të tij kanë thënë për mediat amerikane se e shihnin si më të dobishme përdorimin e lidhjeve diplomatike për t’ua mbushur mendjen palëve ndërluftuese që t’i ulin tensionet në shpërthimin më të madh të dhunës prej vitit 2014 në konfliktin izraelito-palestinez.

“Në kohën kur administrata e Bidenit mundohet të futë nën kontroll të plotë pandeminë, ta rimëkëmbë shëndetin e ekonomisë dhe të angazhohet në garën strategjike me Kinën, ka bërë të qartë se çështja izraelito-palestineze nuk do të jetë prioritet në 100 ditët e para”, ka shkruar Laboot në analizën me titullin “Gaza e teston fort agjendën e demokracisë së Bidenit”.

“Andaj, administrata ishte e papërgatitur dhe me mungesë stafi për t’u marrë me krizën; Shtëpia e Bardhë ende nuk ka nominuar ambasadorin në Izrael”, ka shkruar ajo, duke vlerësuar se demokratët tashmë kanë ndarë mendjen që të zhvendosin vëmendjen e politikës së jashtme nga Lindja e Mesme në Paqësor. “Pa ndonjë interesim të veçantë për çështjen dhe pa ndonjë plan, administrata është zmbrapsur në të njëjtin qëndrim që ka dështuar shumë herë më parë”.

Pasojat e Trumpit

Labott, duke analizuar edhe ndikimin e zhvillimeve të brendshme politike në Izrael dhe Rripin e Gazës, vlerëson se megjithatë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është e thënë të angazhohen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, meqë nuk ka gatishmëri e as mjedis për sukses. Ajo thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lejojnë qasje antidemokratike të të dyja palëve ndërluftuese në Lindje të Mesme.

“Washingtoni duhet të ndërmarrë hapa të prekshëm për të përmirësuar situatën në terren për qytetarët më të cenueshëm të kërcënuar prej konfliktit dhe të dalë me politika të reja që ndryshojnë baraspeshën e fuqisë, ruajnë sigurinë izraelite dhe adresojnë të drejtat palestineze kaherë të neglizhuara”.

Administrata e kaluar republikane e Donald Trumpit kishte përkeqësuar marrëdhëniet me palestinezët, duke e zhvendosur Ambasadën në Jerusalem, ndalur ndihmat për palestinezët dhe mbyllur zyrën e përfaqësimit politik palestinez në Washington.

Më shumë presion Izraelit

Labott, e cila kishte punuar si korrespodente e televizionit CNN dhe kishte mbuluar punën e shtatë sekretarëve të Shtetit, thotë se duhet të ndryshohet gjendja në Bregun Perëndimor, duke i lejuar qytetarët palestinezë të ndihen të lirë të jetojnë e punojnë, si dhe të udhëtojnë lirisht pa frikën e arrestimit dhe dëbimit nga shtëpitë e tyre.

“Në Gazë, ku më shumë se dy milionë palestinezë janë bllokuar nga pjesa tjetër e territoreve palestineze dhe bota mbarë qe më shumë se një dekadë, Shtetet e Bashkuara duhet të adresojnë gjendjen e rëndë të të drejtave të njeriut atje, duke kërkuar përfundimin e përhershëm të bllokadës dhe lëvizjes së njerëzve dhe mallrave jashtë enklavës”, shkruan Labott, gazetare që ka raportuar nga më shumë se tetëdhjetë shtete të botës. Kështu, vlerëson ajo, palestinezëve do t’u krijohej hapësirë për shpresë dhe për adresim të së ardhshmes së tyre politike.

Labott vlerëson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të përdorin edhe levën e tyre kundrejt izraelit. Shtetet e Bashkuara i ofrojnë Izraelit ndihmë sigurie në vlerë prej katër miliardë dollarësh në vit.

“Washingtoni duhet t’i kërkojë llogari të njëjtë Izraelit për të drejtat e njeriut, sikurse vepron me aleatët e tjerë amerikanë. Duhet t’i jap fund mosndëshkueshmërisë që ka politika diskriminuese kundrejt palestinezëve dhe e ka vështirësuar edhe më shumë qeverisjen palestineze në territoret e pushtuara”, shkruan ajo. “Në planin afatshkurtër, Shtetet e Bashkuara duhet ta shtyjnë Izraelin që të garantojë mbrojtje të barabartë për të gjithë qytetarët e vet, përfshirë anulimin e dëbimeve nga shtëpitë në Xheik Xharrah dhe t’i mbisundojë ekstremistët izraelitë”.

Bideni ndërmjet dy zjarreve

Kushneri në shkrimin e tij ka shkruar më parë se si edhe shtetet e ndryshme të rajonit mund të kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe shteteve të botës arabe. Ai mendon se ato mund të ndikojnë edhe në raportet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Përpjekjeve të fundit të Francës, Egjiptit e Jordanisë për ndërmjetësim u janë bashkuar edhe Kombet e Bashkuara, por Shtetet e Bashkuara më herët para se të arrihej armëpushimi përdorën veton kur u propozua një rezolutë në Këshillin e Sigurimit, me të cilën do t’u bëhej thirrje palëve që të ndalnin menjëherë luftimet.

“Por ndryshimi transformues kërkon angazhim të nivelit të lartë – mbase jo të stilit ‘shuttle diplomacisë’ së Kissingerit”, shkruan Labott, duke shtuar se me ngritjen e numrit të viktimave në Gazë, xhirimet e shkatërrimit dhe pamjet televizive të dëbimit – por edhe me protestat antiizraelite që po shtrihen në Shtetet e Bashkuara – Bideni tashmë detyrohej që të shtonte përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës.

“Por Bideni tashmë është zënë ngushtë – jo vetëm prej Partisë Republikane refleksivisht pro-Izrael, por edhe prej përçarjes së demokratëve pro-Izrael dhe një fare të re të progresistëve të profilit të lartë, që përherë e më shumë po kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara të marrin veprime konkrete për t’i dhënë fund konfliktit dhe të ketë qëndrim më të sertë kundrejt Izraelit”, kronikon Labott.

Protestat e brendshme

Bideni është përballur me kritika e protesta të amerikanëve me prejardhje arabe për qëndrimin aktual kundrejt konfliktit në Lindje të Mesme.

Labott thotë se Bideni, sikurse Izraeli, mund të shpresojë se me të marrë fund kjo valë dhune, mund të vazhdohet me avazin e vjetër. “Por zemërimi dhe dhuna e ngritur ndërmjet hebrenjve dhe arabëve në Izrael dhe në territoret palestineze, si dhe lëvizja protestuese në ngritje në Shtetet e Bashkuara – një mundësi për rritje më të madhe se lëvizja protestuese për drejtësi racore verën e kaluar – sugjeron për krizë më të thellë”, shkruan ajo.

“Bideni është zotuar se shtytja për demokraci dhe përkushtimi për vlerat amerikane të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut, do të jetë një prej gurëve themeltarë të lustrimit të imazhit të Shteteve të Bashkuara pas kërdisë së administratës së Trumpit. Nëse Biden dëshiron përnjëmend të rrahë atë shteg, duke ndihmuar izraelitët dhe palestinezët që të bëhen demokraci më të mira, më përgjegjëse para njerëzve të tyre, dhe më pak të gatshëm për të nisur dhunën, do të ishte një fillim i mrekullueshëm”, shkruan Labott në revistën “Foreign Policy”.

Përktheu: Rexhep Maloku