Televizioni britanik ka përmbledhur historitë e disa prej fëmijëve, viktima të sulmeve me raketa ndërmjet palëve ndërluftuese
Prej më shumë se 220 personave që e kanë humbur jetën në Gazë, së paku 63 prej tyre ishin fëmijë, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga militantët palestinezë, raporton BBC-ja në një shkrim për ndikimin e shpërthimit të fundit të dhunës në konfliktin e gjatë izraelito-palestinez. Prej dhjetë të personave të vrarë në Izrael, dy janë fëmijë, ka njoftuar Shërbimi Mjekësor i këtij vendi.
Televizioni britanik ka përmbledhur historitë e disa prej fëmijëve, viktima të sulmeve me raketa ndërmjet palëve ndërluftuese.
Fëmijët e Al-Kavalekëve, nga 5 në 17 vjeç
Kur një bombë qëlloi rrugën “Al-Vihda” në qendër të qytetit të Gazës mëngjesin e së dielës, së paku trembëdhjetë anëtarë të familjes së gjerë Al-Kavalek besohet të jenë vrarë, të ngujuar në rrënojat e shtëpisë së tyre.
Shumë prej tyre ishin fëmijë, me njërin prej tyre që mendohet se ishte gjashtë muajsh.
“Nuk pamë asgjë tjetër, pos tymit”, ka thënë njëri prej anëtarëve të mbijetuar të familjes, Saana Al-Kavalek. “Nuk mund ta shihja djalin tim dhe, megjithëse po e përqafoja, nuk po e shihja”.
Forca Izraelite e Mbrojtjes e ka përshkruar bombardimin si “jonormal” dhe ka thënë se nuk kishte për qëllim të vriste civilë. Një zëdhënës i forcave ajrore ka thënë se sulmet kanë shkaktuar shembjen e një tuneli, duke i shembur edhe shtëpitë mbi të.
Në mesin e të vrarëve ishin edhe motrat, Yara 9 dhe Rula 5 vjeçe. Të dyja po trajtoheshin për ndikimin e traumës në kuadër të programit të Këshillit Norvegjez të Refugjatëve. Ato ishin vajza të sjellshme, që gjithnjë i kryenin me rregull detyrat e shtëpisë, ka treguar një nga mësimdhënësit e tyre, pa dashur të identifikohej, ka shkruar BBC-ja.
Një fotografi që po qarkullon në internet, dëshmon dhjetëvjeçarin Aziz al-Kavalek, të vetmin anëtar të mbijetuar të familjes së ngushtë, ulur pranë trupit të babait.
Ido Avigal, 5 vjeç
Viktima më e re në palën izraelite mendohet të jetë Ido Avigal, një djalë pesë vjeç, i vrarë të mërkurën e javës së kaluar në qytezën jugore, Sderot.
Ido humbi jetën brenda një dhome të fortifikuar në atë që ushtria izraelite e ka përshkruar si “incident jashtëzakonisht të rrallë”.
Nëna e kishte marrë dhe e kishte dërguar në dhomën e fortifikuar kur u aktivizua alarmi i sulmeve raketore të mërkurën mbrëma në Sderot, ka raportuar “Times” e Izraelit. Raketa shpartalloi panelin metalik mbrojtës të dhomës, duke plagosur edhe nënën dhe motrën e tij shtatëvjeçare. Ai vdiq disa orë më vonë prej plagëve të rënda.
“Ishte një copëz e raketës që erdhi prej njërit kënd me një shpejtësi specifike dhe me një pikë shumë specifike”, ka deklaruar Hidai Zilberman, zëdhënës i ushtrisë izraelite, teksa ka folur për incidentin.
“Ne ishim në shtëpi dhe fëmijët ishin mërzitur shumë, kështu që gruaja Shani shkoi me ta në shtëpinë e motrës së saj dy blloqe më larg”, ka thënë babai i Igos, Asaf Avigal, për “Channel 13”.
“Më fal që nuk më ra cifla në vend tëndin”, ka thënë Avigal në varrimin e të birit. “Disa ditë më parë, më pyete: ‘Baba, çfarë do të ndodhë kur të lëshohet alarmi kur të jemi jashtë?’ Të thashë se derisa të jesh me mua, do të jesh i mbrojtur. Të rrejta”.
Disa muaj më parë, Avigal dhe gruaja e tij kishin folur se sa fëmijë i jashtëzakonshëm ishte Ido, sikur të ishte një 50-vjeçar i mishëruar në trupin e një shtatëvjeçari. Ai shpesh i kërkonte babait që të mos rrinte në kompjuter dhe të kalonte më shumë kohë me të. “Boll para ekranit – rri me mua”, do t’i thoshte ai.
Nëna e Idos ende është e shtruar në spital.
Nadine Avas, 16 vjeçe
Nadine Avad, një nxënëse 16-vjeçare arabo-izraelite, ishte me babanë 52 vjeç në orët e hershme të mëngjesit të së kaluarës, kur një raketë qëlloi makinën dhe shtëpinë e tyre, duke i vrarë dytë. Nëna e saj, e cila ishte gjithashtu në makinë, u plagos rëndë. Kushëriri i Nadines, Ahmad Ismail, ka thënë se ka dëgjuar ushtimën e raketës dhe shpërthimin e saj në afërsi në qytetin e Lodit, afër Tel-Avivit, ku arabët dhe izraelitët hebraikë jetojnë bashkë.
“Ndodhi shumë shpejt”, ka deklaruar ai për transmetuesin publik “Kan”. “Edhe nëse do të donim të largoheshim, nuk kishim ndonjë dhomë të sigurt”.
Nadine ishte “vajzë shumë e veçantë” në vitin e parë të shkollës së mesme. Ëndërronte të bëhej doktoreshë, kanë thënë ata që e kanë njohur.
Drejtoresha e shkollës ka thënë se “ajo ëndërronte ta ndryshonte botën”.
“Ajo ishte vajzë e veçantë, shumë e talentuar. Donte ta pushtonte botën”, ka thënë Shirin Natur Hafi për radion lokale.
Nadine ishte përfshirë në një numër projektesh shoqërore dhe shkencore me shkollat hebraike në zonë. Kishte planifikuar të merrte pjesë në një program të studimit të biomjekësisë.
Fëmijët e Al-Hadidive, nga 6 deri në 13 vjeç
Të premten, katër fëmijët e Muhammad al-Hadidit – Suhayb 13, Yahya 11, Abderrahmani 8 dhe Osama 6 – kishin veshur rrobat më të mira dhe shkuan të vizitonin kushërinjtë në kampin e refugjatëve Shati në periferi të qytetit të Gazës, për të festuar Bajramin, që shënon fundin e Ramazanit.
“Fëmijët u veshëm me rroba të Bajramit, morën lodrat e tyre dhe shkuan të festonin në shtëpinë e dajës”, ka deklaruar babai 37-vjeçar. “Më telefonuan dhe m’u lutën që t’i lija natën dhe iu thashë të rrinin”.
Të nesërmen, u qëllua ndërtesa ku po qëndronin. Vetëm vëllai i tyre pesë muajsh, Omari, mbijetoi, pasi u nxor nga rrënojat, ku po qëndronte afër nënës.
“Ishin të sigurt në shtëpitë e tyre, nuk mbanin armë, nuk gjuanin me raketa”, ka thënë Muhammadi për fëmijët e tij. “Çfarë bënë që ta meritonin këtë? Jemi civilë”.
Në rrënoja shihen lodrat e shkatërruara, por edhe tavolina e kuzhinës me ushqime.
“Kur fëmijët shkuan të flinin, shpresonin se kur të zgjoheshin, gjithçka do të merrte fund. Por, ata tashmë nuk janë. Kam vetëm kujtimin e tyre dhe aromën e tyre në shtëpinë time”.
Ibrahim al-Masry, 14 vjeç
Ibrahim al-Masry po luante me motrat e vëllezërit në oborrin e tyre në një lagje në Gazën veriore javën e kaluar kur shpërtheu një bombë. Ibrahimi dhe vëllai i tyre, Marvan, dhe shumë fëmijë tjerë të farefisit, mbetën të vdekur në vend.
“Çdo ditë gjatë Ramazanit, ata luajnë në rrugë para iftarit”, ka thënë babai i tyre, Youssef al-Masri, ka shkruar “The Independent”.
“Nuk e pamë se nga po vinte, vetëm dëgjuam dy shpërthime të mëdha. Të gjithë po iknin në rrugë, fëmijët të përgjakur, nënat po qanin, gjithkund kishte gjak”. Vëllai i tyre, gjithashtu me emrin Ibrahim, ka thënë se po mbushnin thasë me kashtë për t’i shitur në pazar.
“Po qeshnim dhe po bënim qejf, kur papritmas ata nisën të na bombardonin, gjithçka përreth u dogj”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve, AFP. “I pashë kushërinjtë që po mbërtheheshin nga flakët dhe po digjeshin copa-copa”.
Hamza Nassar, 12 vjeç
Hamza Nassar doli nga shtëpia të mërkurën e javës së kaluar në mbrëmje që t’i blinte pak perime që nëna të mund të përgatiste iftarin. Kurrë më nuk u kthye në shtëpi.
Bombardimet izraelite filluan në afërsi të varrezave të Abu al-Kasit. Bombat e vranë në vend, ka raportuar “Al-Jazeera”. Hamza ishte fëmijë i mbarë dhe nxënës i shkëlqyer, ka thënë babai i tij.
Tala Ayman Abu al-Auf, 13 vjeçe
I njëjti sulm ajror që e qëlloi shtëpinë e Al-Kavalekëve, ia mori jetën edhe fqinjit 13-vjeçar, Tala Ayman Abu al-Aufit dhe vëllait të saj 17-vjeçar, Tavfik.
Babai i tyre, mjeku Ayman Abu al-Auf, u vra gjithashtu në të njëjtin sulm. Ai punonte në spitalin e qytetit të Gazës, Shifa, ku po drejtonte luftimin e pandemisë. Disa ditë para sulmit, po punonte me orar të zgjatur, kanë thënë miqtë dhe familjarët e tij për BBC-në.
Mësimdhënësi i Talas, që nuk ka dashur të identifikohet, e ka përshkruar si “nxënëse të shkëlqyer” në klasën e shtatë.
Tala ishte e interesuar në “mësimet fetare dhe i pëlqente të lexonte që ta mësonte përmendsh Kuranin”, ka thënë mësimdhënësi i saj, duke theksuar se ajo gjithnjë ishte e gatshme për testime. Edhe ajo ishte pjesë e projektit të norvegjezëve për të ndihmuar fëmijët me trauma.
“Ata tashmë kanë vuajtur boll”, ka thënë Hozayfa Yazji, menaxhere rajonale e Këshillit Norvegjez të Refugjatëve. “Kjo çmenduri duhet të ndalet... dhuna duhet të ndalet, që këta fëmijë të kenë të ardhme”.
Përktheu: Rexhep Maloku