Botë

Policia britanike gërmon në një kafene mbi dyshimin se mund të jetë varrosur viktima e vrasësit serik

Policia në Mbretërinë e Bashkuar do të fillojë gërmimet në një kafene për një rast të lidhur me vrasësin serik Fred West, pas raportimeve për “prova të mundshme” se një trup është varrosur aty.

Gërmuesit të thirrur për të gërmuar në kafenenë “Clean Plate” në Gloucester të Anglisë, kanë konfirmuar se “ka një numër anomalish strukturore brenda bodrumit që kërkojnë kërkime të mëtejshme”.

Prona lidhet me zhdukjen e Mary Bastholm, e cila ishte 15-vjeç ku u zhduk më 1968, shkruan CNN.

Zhdukja e saj është lidhur me Westin, që bashkë me gruan e tij, Rose, kanë abuzuar seksualisht dhe vrarë një sërë grash të reja. Krimet e çiftit zgjatën për dekada me radhë dhe ata varrosën trupat e viktimave në shtëpinë e tyre në Gloucester.

Më 1995 Roses iu dhanë 10 burgime të përjetshme. Bashkëshorti i saj, Fredi, pasi u deklarua, beri vetëvrasje në burg.

Fred Westi mohoi përfshirjen në zhdukjen e Maryt dhe “asnjë provë nuk u gjet në atë kohë për të mbështetur arrestimin e Fred Westit lidhur me Mary Bastholm”, tha policia.

Gërmimi në kafene do të zgjasë për disa javë dhe synohet të vërtetohet nëse aty ka mbetje njeriu, ka shtuar policia.

Mary dhe Fred West njiheshin se shkonin vazhdimisht në atë kafene, sipas policisë. Detektivi John Turner tha se një kompani që xhironte një dokumentar në kafene i dha policisë një fotografi ku shihej një material i kaltër i groposur në zonën e tualetit në bodrum.

Ky material është i rëndësishëm sepse Mary kishte veshur një xhaketë të kaltër, një fustan bardhë e kaltër dhe kishte një çantë të kaltër kur ajo u zhduk.