Spanja po përballet me krizë humanitare dhe diplomatike, pasi mijëra marokenë kanë mbërritur në brigjet spanjolle, duke përfituar prej zbutjes së masave kontrolluese kufitare.
Ata kanë ardhur përmes ujërave të Mesdheut, duke notuar ose pedaluar barka të vogla deri në tokën evropiane.
Deri të martën në mëngjes, më shumë se gjashtë mijë persona kanë kaluar kufirin në qytetin spanjoll Seuta prej së hënës kur janë regjistruar rastet e para.
Qeveria spanjolle ka bërë të ditur se 1.500 prej tyre janë tinejxherë. Qyteti prej 85 mijë banorësh shtrihet në Afrikën Veriore në Detin Mesdhe, me një ndarje kufitare prej 10 metrash me tela gjemborë.
Fluksi i papritur i emigrantëve ka thelluar përplasjet diplomatike ndërmjet Rabatit dhe Madridit pas vendimit të Spanjës për të lejuar trajtimin mjekësor të shefit të një grupi militant që lufton për pavarësi nga Maroku në Saharanë Perëndimore.