Botë

Britania rihap ekonominë, restorantet e kinematë, lejon përqafimet

Miqtë do të përqafohen, masat do të hiqen dhe pjesa më e madhe e ekonomisë nuk do të ketë më kufizime në Britaninë e Madhe, duke nisur që nga e hëna.

Rreth 65 milionë britanikë do të ndiejnë lirinë pas një zymtësie prej rreth katër muajsh, të shkaktuara nga mbyllja kundër pandemisë së koronavirusit.

Britanikët tani kanë të drejtë që të ulen në kafene, të drekojnë në restorante ose të shkojnë në kinema pas zbutjes së madhe të masave, si rrjedhojë e periudhës me kufizime strikte.

Kriza më e madhe e shëndetit publik në 100 vitet e fundit ishte shoqëruar me zgjatje të fuqishme të dorës së shtetit; policia kishte ndërprerë ndejat dhe shtypur protesta. Ishin ndalur edhe shërbesat fetare dhe ishin shqiptuar gjoba me vlerë deri në 14 mijë euro për të rinjtë që merrnin pjesë në ndeja.

Dhe hapja e vendit është mirëpritur me entuziazëm. Kryeministri Boris Xhonson, i cili kishte urdhëruar tri mbyllje kombëtare, ka thënë se druan se përhapja e virusit indian mund ta shtrëngojë Qeverinë që ta shtyjë rihapjen e plotë të planifikuar për qershor.