Atyre që janë mjaftueshëm të guximshëm për ta marrë një dozë të vaksinës “Pfizer”, u ofrohen edhe “diploma vaksinimi”, të cilat ilustrohen në mënyrë të përshtatshme me pamjen e një punëtori shëndetësor “me dhëmbë vampiri” që e vringëllon një shiringë. “Kam ardhur për ta vizituar kështjellën bashkë me familjen dhe kur e pashë posterin, e mblodha gjithë guximin dhe pranova që të vaksinohesha”, ka thënë Liviu Necula, një inxhinier 39-vjeçar
Vizitorëve në Kështjellën e ndaluar Bran në Rumani, e cila njihet si strofull e Drakulës, po u ofrohen “kafshime” krejt tjetër fare prej dhëmbëve vampiri në iniciativën shtetërore për vaksinim kundër koronavirusit.
Atyre po u administrohen vaksinat kundër sëmundjes pandemike në kuadër të “maratonës së vaksinimit” përgjatë majit, e cila po zhvillohet përpara kështjellës të shekullit 14-të, në përpjekjen për t’i trimëruar njerëzit që të mbrohen kundër COVID-19.
“Duam që t’ua tregojmë njerëzve një mënyrë tjetër për të marrë vaksinën”, ka thënë Alexandru Priscy, menaxher marketingu në Kështjellën Bran.
Atyre që janë mjaftueshëm të guximshëm për ta marrë një dozë të vaksinës “Pfizer” u ofrohen edhe “diploma vaksinimi”, të cilat ilustrohen në mënyrë të përshtatshme me një punëtor shëndetësor “me dhëmbë vampiri” që e vringëllon një shiringë.
“Kam ardhur për ta vizituar kështjellën bashkë me familjen dhe kur e pashë posterin, e mblodha gjithë guximin dhe pranova që të vaksinohesha”, ka thënë Liviu Necula, një inxhinier 39-vjeçar.
Bashkë me diplomën, të vaksinuarve u premtohet se do të jenë të mirëseardhur në kështjellë “gjatë 100 vjetëve të ardhshëm” – teksa u ofrohet edhe një xhiro pa pagesë në “Odën e torturave”.
Që prej nisjes së fushatës gjatë fundjavës - kur pothuajse 400 persona janë vaksinuar – Priscu ka thënë se ka pranuar numër të madh kërkesash nga të huajt, të cilët duan që të vaksinohen në këtë mënyrë kreative. Ama ka një lajm të keq për ta: Vetëm shtetasit e Rumanisë munden zyrtarisht që t’i marrin vaksinat.
Kjo pasi që fushata është pjesë e iniciativave qeveritare për përshpejtimin e vaksinimit. Pothuajse 3.6 milionë nga popullata 19-milionëshe e vendit tashmë ka marrë të paktën nga një prej dy dozave të nevojshme të vaksinave, teksa Qeveria synon që t’i administrojnë 5 milionë doza deri në fund të qershorit për ta siguruar një “kthim në normalitet”.
Në kuadër të kësaj, të dielave të gjitha qendrat e vaksinimit në Rumani hapin dyert për administrime pa termine paraprake pas orës 2 të pasdites, ndërkaq ngjarjet si “maratona e vaksinimit” ndërmerren në shumë qytete të vendit.
E vendosur në luginën e mjegullt të maleve të Karpateve, Kështjella Bran është e ndërlidhur me princin rumun të shekullit 15, Vlad Teper, i njohur si “Impaler”, ani pse ai kurrë nuk ka qëndruar aty.
Bram Stoke, autor i “Drakula”-s, besohet të jetë frymëzuar pikërisht nga princi Vlad dhe vendi prej kohësh është ndërlidhur me romanin e tij të 1897-s që ka qenë burim i zhanrit të mëvonshëm me vampirë, ndonëse nuk ekzistojnë dëshmi se ai vërtet ka qenë i informuar rreth Kështjellës Bran.
Qeveria rumune ka iniciuar fushata lokale vaksinimi dhe “maratona” 24-orëshe në lokacione të njohura, si në Bibliotekën Kombëtare të Bukureshtit, për të nxitur sa më shumë qytetarë që të imunizohen ndaj sëmundjes.
“Këto qendra janë për të gjithë ata që duan të vaksinohen, por që nuk janë edhe aq të hapur për të caktuar termin online”, ka theksuar Beatrice Mahler, drejtoreshë e spitalit “Marius Nasta”.
Që nga fillimi i pandemisë, Rumania ka regjistruar më shumë se 1 milion të infektuar me koronavirus, ndërsa nga sëmundja e shkaktuar prej tij kanë vdekur 29.034 pacientë.