Shtete në gjithë botën kanë bërë lutje për qetësi pasi sulmet mes Izraelit dhe palestinezëve janë përshkallëzuar ditëve të fundit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar nga Izraeli dhe palestinezë të ulin tensionet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Dhuna ka përshkallëzuar të hënën pasi militantët palestinezë sulmuan me raketa Jerusalemin, pas dhunës së ushtruar drejt grupeve të caktuara. Si përgjigje, ushtria izraelite sulmoi përmes ajrit grupe të caktuara militantësh në Gaza.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka thënë se 22 njerëz, përfshirë fëmijë, kanë vdekur si pasojë e bombardimeve. Ushtria e Izraelit ka thënë se të paktën 15 pjesëtarë të grupit “Hamas” ishin në mesin e të vrarëve.
“Hamasi” ka kërcënuar se do të sulmojë pasi qindra palestinezë u lënduan në përplasjet me policinë izraelite në qytetin e shenjtë të Jerusalemit të hënën. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se “Hamasi” ka “kaluar vijën e kuqe” dhe se Izraeli do të përgjigjet “me forcë të madhe”.
Ditët e fundit kanë qenë më të rëndat në Jerusalem ndër vite. Konfrontimet e shtuara mes policisë së Izraelit dhe protestuesve palestinezë në një rit fetar në Jerusalem kanë kërcënuar për një konflikt më të gjerë.
Për të gjitha këto, Sekretari i Shtetit në Amerikë, Antony Blinken, ka thënë se “Hamasi” duhet t’i japë fund sulmeve “menjëherë” duke shtuar se “të gjitha palët duhet të qetësohen”.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, ka thënë se sulmet raketore “duhet të ndalen” duke ftuar për “fund të goditjes së civilëve”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se “dhuna e madhe e shfaqur duhet të ndalet menjëherë”.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të hënën ka mbajtur një takim urgjent. S’është lëshuar asnjë komunikatë, por diplomatë kanë thënë për Associated Press se Kombet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, që nganjëherë ndërhyjnë mes Izraelit e “Hamasit”, po përpiqen të ndalin përplasjet.