Botë

Shërbimet sekrete ruse po i tradhtojnë dobësitë e tyre

Spiunazhi, sulmet, vrasja: Shërbimet sekrete të Moskës kanë demonstruar të jenë të afta që të sulmojnë qoftë edhe në zemër të Perëndimit. Megjithëkëtë, ekspertët e inteligjencës pretendojnë se ato janë të përbëra nga dështimet dhe mjetet e kufizuara

Deri më tani, 2021-ta ka dalë që të jetë përnjëmend viti i Inteligjencës ruse, së cilës i janë ekspozuar katër operacionet spektakolare vetëm gjatë katër muajve të fundit.

Në Berlin, Jens F., një elektricist me të shkuar naziste, ishte kapur teksa ua shiste planet ndërtimore të Bundestagut agjentëve të shërbimit sekret në Ambasadën ruse. Në Bullgari, një rrjet spiunësh rusë përreth ish-zyrtarit të Inteligjencës ushtarake, Ivan Iliev, u demaskua tërësisht. Ndërsa në Itali, një kapiten i fregatës, i quajtur Walter Biot, ishte gjetur teksa shiste informata ushtarake. Përderisa në Republikën Çeke, ministria e Brendshme ka identifikuar dy zyrtarë të Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU) si kryerës të dy shpërthimeve në një depo armësh në Vrbetice, më 2014. Fjala është për po të njëjtit burra që supozohet ta kenë helmuar dilerin bullgar të armëve, Emilian Gebrev, më 2015, si dhe ish-agjentin e dyfishtë rus, Sergei Skripal dhe të bijën e tij, me agjentin nervor të periudhës sovjetike, Novichok, në vitin 2018.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Bullgari e ka ndërlidhur GRU-në edhe me katër instanca të tjera të sabotazhit në depot e armëve që i përkisnin kompanisë së Gebrevit, “EMKO”.

Krejt këto raste kanë ndodhur pasi që lideri opozitar rus, Alexei Navalny, ishte helmuar me Novichok gjatë gushtit të 2020-s, si dhe rasteve të spiunazhit kibernetik kundër Bundestagut gjerman më 2015 dhe më 2020, edhe kundër kompanisë amerikane të Teknologjisë Informative, “SolarWinds”.

“Në gjendje lufte”

Siria, Libia, Azia Qendrore, Kaukazi dhe Ukraina, në veçanti, reflektojnë qartë se shërbimet sekrete të Rusisë, e mbi të gjitha GRU-ja, ndodhen në gjendje lufte.

Operacionet sikurse ai në Vrbetice, apo sulmi me helm ndaj dilerit të armëve Gebrev, synohen si mbështetje për angazhimin e ushtrisë, nëpërmjet operacioneve të fshehta speciale.

Caqet e këtyre sulmeve janë kryesisht mbështetësit e kundërshtarëve ushtarakë rusë. Në këtë aspekt, Rusia qysh prej të paktën 2014-s, nëse jo edhe më herët, ka shmangur çdo pengesë në kryerjen e akteve më serioze të dhunës përbrenda territorit të aleancës Perëndimore.

Metoda të moçme

Operacionet e Inteligjencës, sikurse këto të lartpërmendurat, ngërthejnë më vete një traditë të kahershme.

Jens F. në Berlin, Ivan Ilievi në Sofje dhe Walter Bioti në Romë - ishin që të gjithë të përfshirë në spiunazh klasik. Krejt çfarë ka të re në gjithë këtë mes është numri i rasteve që janë ekspozuar përbrenda një periudhe kaq të shkurtër kohore.

Edhe fushatat e dezinformimit ishin, po ashtu, pjesë e repertorit të Moskës përgjatë një gjysmë shekulli, sikurse fushatat e ndërmarra nga KGB-ja dhe Stasi në vitet 1980, të cilat i përhapën thashethemet se virusi AIDS ishte zhvilluar si një armë biologjike e Ushtrisë amerikane. Dhe vrasja e agjentëve të dyfishtë dhe e të ikurve nga shërbimi sekret, është një traditë që nuk daton shumë kohë para rastit të Skripalit në Angli. GRU-ja e kishte helmuar të ikurin Vladimir Nesterovich në Mainz, qysh më herët se në vitin 1925.

Sipas një inspektimi më të hollësishëm, po ashtu duket se forma më e re e operacioneve të inteligjencës – spiunazhi kibernetik – është asgjë më shumë se sa një verë e vjetër e mbushur nëpër shishe të reja.

Thomas Rid, një ekspert i kibernetikës në Universitetin amerikan “Johns Hopkins”, i konsideron veprimet e tilla si pjesë të spiunazhit tradicional, sabotazhit dhe propagandë në formë digjitale.

Ambasadat kanë qenë përherë vatra prej të cilave GRU-ja dhe agjencitë e tjera kanë udhëhequr rrjetet e tyre të spiunazhit. Paraja është karremi kryesor, përderisa agjentët në Gjermani dhe Bullgari kanë pasur, gjithashtu, lidhje me ish-shërbimet sekrete komuniste.

Nëse, megjithëkëtë, detyra që duhet kryer është vrasja apo sabotazhi, atëherë ekipet nga Njësiti tashmë i shpërbërë elitar 29155, të shërbimit të Inteligjencës Ushtarake Ruse, do të udhëtonin nga Moska në destinacionet e tyre të caktuara përmes ndonjë shteti të tretë, kudo përreth Evropës.

Shtigjet indirekte të udhëtimit, identitetet e rreme në kuadër të së cilave emrat përkojnë me ata të vërtetit teksa datat e lindjes ndryshohen vetëm minimalisht – janë vetëm disa prej metodave relikt të shërbimit të moçëm sekret sovjetik, sikurse privilegjet dhe nderimet, programet e pushimit dhe premtimet për t’u kujdesur për agjentët dhe të afërmit e tyre, kur ata të ekspozohen.

Gabimi njerëzor

Rusia është një forcë madhore në spiunazhin global kibernetik – por operacionet e fundit të Inteligjencës tregojnë se elementi njeri është ende tepër i rëndësishëm. Edhe një rast spiunazhi kibernetik, sikurse ai i hakimit më 2015 të Parlamentit gjerman, korr sukses vetëm si rezultat i një gabimi njerëzor; në këtë instancë, njerëzit nevojiten për ta hapur një dërgesë në email.

Në epiqendër të rasteve të spiunazhit janë njerëz të paguar.

Gabimi njerëzor mes zyrtarëve të Inteligjencës ruse, ka luajtur rol esencial në dështimin dhe rrjedhjen e operacioneve të tyre.

Zyrtarët e Njësitit Special të GRU-së - 29155 - kishin udhëtuar vazhdimisht në Republikën Çeke, Bullgari dhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke i përdorur të njëjtat identitete të rreme dhe pasaportat e falsifikuara.

Pas sulmit me Novichok ndaj Sergei Skripalit, po këta zyrtarë të njëjtë e kishin derdhur në mënyrë të pakujdesshme një shishe parfumi që e përmbante helmin në një kosh mbeturinash dhe ishin bërë kësisoj përgjegjës edhe për vdekjen pasuese të Dawn Sturgessit, një banor ky lokal që kishte rënë në kontakt me shishen.

Agjenti i FSB-së, Konstantin Kudryavtsev, i cili ishte pjesë e ekipit të operacionit “të pastrimit” të ngarkuar me detyrën e eliminimit të të gjitha gjurmëve të helmimit me Novichok të disidentit të Kremlinit, Alexei Navalny, ishte mashtruar nga vetë viktima e tij për t’i zbardhur hollësitë e jashtëzakonshme gjatë një bisede të xhiruar telefonike. Zyrtarët e tjerë të FSB-së i kishin shkelur gjithashtu masat paraprake, kur kanë zhvilluar biseda telefonike me celularët e tyre privatë gjatë operacionit.

ImageRepublikën Çeke ka dëbuar 18 diplomatë rusë, pasi ministria e Brendshme kishte identifikuar dy zyrtarë të Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU) si kryerës të dy shpërthimeve në një depo armësh në Vrbetice, më 2014

Sekretet shtetërore kundruall kundërshtarëve të rinj

Në epokën e mediave sociale, vëzhgimeve me kamera dhe komunikimet e kudondodhura nëpërmjet botës online, kanë vënë në rrezik mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë. E njëjta vlen edhe për sekretet shtetërore të shërbimeve vrastare të inteligjencës. Kjo gjë është demonstruar nga platforma britanike e hetimeve online “Bellingcat” dhe nga kërkimet e saj.

Kanalet e mediave sociale, fotografitë e postuara online, si dhe video-pamjet, sikundër edhe komunikimet dhe të dhënat e udhëtimeve të shkëmbyera në internet, ua kanë mundësuar gazetarëve të “Bellingcat”-it ristrukturimin e identiteteve të rreme, rezymeve, shtigjeve të udhëtimit, si dhe të bisedave telefonike të zyrtarëve të Inteligjencës ruse.

Një prej njësiteve më klandestine të forcave speciale ruse kësisoj ishte ekspozuar online.

Njëra prej “viktimave” të saj, ish-oficeri i FSB-së, Kudryavtsev, i lidhur me sulmin e Navalnyt, ishte shtrënguar të pranonte se gazetaria digjitale është një territor krejtësisht i pashkelur për shërbimet ruse të Inteligjencës.

Eliot Higgins, themelues i “Bellingcat”-it, ia ka vënë nofkën organizatës së tij “si një agjenci e inteligjencës për popullin”. Në shumë mënyra, zbardhjet e publikuara nga ana e tij dhe kolegëve të tij kanë demonstruar tashmë shumë ngjashmëri midis gazetarisë hulumtuese digjitale dhe punës së Inteligjencës. Që të dyja hulumtojnë internetin për informata të hapura apo pjesërisht të hapura; që të dyja i përdorin të dhënat e komunikimeve për të krijuar lidhje dhe për të zbardhur profilet e lëvizjeve; dhe që të dyja i paguajnë informatorët me qëllim që të sigurojnë të dhëna.

Në epokën digjitale, kufijtë midis informatave të hapura dhe të klasifikuara janë bërë të paqartë – dhe zyrtarët e Inteligjencës nuk janë më mirë të mbrojtur në botën online sesa qytetarët e thjeshtë. Metodat e zbatuara nga agjentët e shërbimeve sekrete dhe gazetarëve janë përherë e më të ngjashme.

Demonstrim i fuqisë apo shenjë e dobësisë?

Shërbimet sekrete të Rusisë kanë demonstruar se janë të gatshme dhe në gjendje që të operojnë kudo nëpër Evropë.

John Sawers, ish-drejtor i shërbimit britanik të inteligjencës së Jashtme MI6, ka llogaritur se vetëm 10 për qind e operacioneve të fshehta ruse janë detektuar deri më tani. Megjithëkëtë, ai ka thënë se nuk duhet lejuar që “të verbërohemi nga ky demonstrim i forcës ngase, në të njëjtën kohë, kjo është një shenjë e qartë e dobësisë”.

Kjo nuk ndodh vetëm për shkak të shumë dështimeve dhe të neglizhencës nga ana e shërbimeve. Vetë fakti, për shembull, se të njëjtët agjentë angazhohen disa herë radhazi është njëherësh dëshmi se burimet e shërbimeve janë të kufizuara.

Tentimet për të siguruar informata rreth planeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s nëpërmjet shteteve të treta, me një kosto të konsiderueshme dhe rreziqe të mëdha për personelin, e demonstrojnë të njëjtën gjë. Për më tepër, humbja rezultuese enorme e prestigjit politik, si dhe sanksionet, zor se janë shenjë e një përfundimi të suksesshëm.

Përgatiti: Nita Lleshi