Botë

SHBA-ja, kërcënim më i madh për demokracinë sesa Kina apo Rusia

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta kenë të vështirë të paraqiten si gardianë kryesorë të demokracisë globale, ka konstatuar të mërkurën një sondazh i ri global që SHBA-në e ka paraqitur si kërcënimin më të madh për demokracinë se sa Rusia dhe Kina.

Sondazhi ka treguar se mbështetja për demokracinë mbetet e lartë, ani pse qytetarët e vendeve demokratike i kanë vlerësuar performancat e Qeverive të tyre në menaxhimin e pandemisë si më pak të mira se sa ata në vendet më pak demokratike.

Pabarazia po shihet si kërcënimi më i madh për demokracinë globale, teksa në SHBA, fuqia e kompanive të mëdha teknologjike është kategorizuar si sfidë.

Konstatimet janë rezultat i sondazhit të Fondacionit të Aleancës së Demokracive dhe në kuadër të tij janë anketuar me shumë se 50 mijë respondentë në 53 shtete.

Sondazhi është kryer nga kompania “Latana”, nga muaji shkurt deri në prill. Afro gjysma e të anketuarve kanë shprehur shqetësimin se SHBA-ja është duke i rrezikuar demokracitë në vendet të tyre; 38 për qind kanë shprehur drojën rreth ndikimit të Kinës, përderisa 28 për qind syresh frikë të tillë kanë shprehur për ndikimin nga Rusia.