Rregullatorët amerikanë pritet që ta zgjerojnë autorizimin për përdorim emergjent të vaksinës kundër COVID-19 të kompanive “Pfizer”-“BioNTech” edhe mes adoleshentëve të moshës prej 12 deri 15-vjeçare.
Vendimi do të merret pothuajse pas një muaji qëkur gjiganti farmaceutik i publikoi rezultatet përfundimtare të një studimi me 2 mijë 260 të rinj. Sipas studimit, vaksina nuk ka rezultuar me asnjë rast të prekjes me koronavirus nga mesi i adoleshentëve të imunizuar. Kurse, vaksina tashmë është miratuar për përdorim te 16-vjeçarët.
Pas miratimit nga Administrata Amerikane për Ushqim dhe Barna, komiteti federal i vaksinave do të takohet për të diskutuar nëse vaksina duhet t’i jepet kësaj grupmoshe. Vendimi po cilësohet si çështje ditësh. Kurse në kontinentin evropian, kompania “Novavax” planifikon që t’i nisë dërgesat e vaksinës së saj kundër koronavirusit në Bashkimin Evropian gjatë fundit të vitit, teksa Kontinenti ka nisur zbutjen graduale të masave pas rënies së ndjeshme të numrit të rasteve.