Botë

Burgu, historia e radhës për sulmuesit e Kongresit

Më shumë se 400 persona janë akuzuar nga drejtësia federale amerikane për përfshirje kriminale në sulmin e 6 janarit kundër Capitolit. Por burgu mund të jetë një histori tjetër.

Me të akuzuarit që ende po mbushin bankat e gjykatës federale në kryeqytetin amerikan, Departamenti i Drejtësisë është nën presion të madh për të zgjidhur shpejt e shpejt së paku rastet më serioze. Megjithëse sulmuesit akuzohen për konspiracion dhe sulme kundër zyrtarëve gjatë mësymjes, mund të dënohen me dënime të rënda, disa pjesëtarë të bandës, të cilët nuk janë përfshirë në dhunë ose shkatërrim, nuk besojnë se do të përfundojnë prapa grilave.

Dështimi i Kongresit

“Njerëzit që kishin dalë aty vetëm për të bërë një xhiro dhe në njëfarë forme nuk kishin gisht në këtë punë, mendoj se shumica prej tyre nuk do të kalojnë fare kohë në burg. Dhe ma merr mendja se kjo do të ishte punë me vend”, ka theksuar Rachel Barkow, profesoreshë në Shkollën e së Drejtës të Universitetit të New Yorkut. “Duke qenë se kanë histori me kundërvajtje, me siguri se ky rast do të shërbente si një thirrje e madhe për zgjim për të tjerët”, është shprehur ajo.

Mësymje të ngjashme nuk kishte parë asnjëherë vendi, me mbështetësit e presidentit të atëhershëm, Donald Trump, që vërshuan ndërtesën e Kongresit në ditën kur po certifikohej fitorja e presidentit Joe Biden. Por në muajt pasues, njerëzit luajalë të Trumpit kanë punuar për ta minimizuar mësymjen, derisa demokratët dhe të tjerët kërkojnë drejtësi për atë që e shohin si krim kundër demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Pas nisjes së procedurës për shkarkim të Trumpit nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve që përfundoi me shfajësim nga Senati, këto raste penale mund të përfundojnë në procese të zakonshme gjyqësore.

Përmbysja e madhe

Është një detyrë e jashtëzakonshme për avokatët dhe gjykatësit për të vendosur për ndëshkimin e duhur të këtyre shkelësve. Shumë të pandehur e të akuzuar kanë vende pune afatgjata dhe nuk kanë kurrfarë të kaluare kriminale, që janë faktorë tipikë në gjykimin e shumicës së rasteve të gjykimit nga sistemi i drejtësisë.

Dhe në kohën kur po vazhdojnë negociatat për pranimin e fajit e lehtësimit të dënimeve, Departamenti i Drejtësisë duhet të punojë për të bërë dallimin ndërmjet veprimeve të ndryshme të anëtarëve të bandës që atë ditë nuk kanë bërë, derisa të tjerët të marrin dënimin meritor.

“Vendi më i mrekullueshëm në botë, vendi më i fuqishëm në botë, u përmbys për një periudhë të frikshme kohore. Dhe kjo nuk është punë e vogël”, ka thënë Lenese Herbert, i cili punon si prokuror federal në Uashington.

Prej rreth 400 të akuzuarve e të pandehurve deri tani, së paku 100 prej tyre përballen me akuza për krime të nivelit të ulët, si sjellje e paligjshme dhe hyrje në një zonë të kufizuar, që në raste tipike, nuk rezultojnë me dënime prapa grilave për ata që e bëjnë këtë shkelje për herë të parë. Qindra të tjerë përballen me akuza për shkelje më të rënda – si konspiracioni, mësymja ose pengimi i një zyrtari në detyrë – që rezultojnë me dënime të rënda me vite të tëra prapa grilave, por këta të akuzuar mund të apelohen që mund t’i lirojnë nga këto akuza. Prokurorët kanë thënë se presin që të akuzohen së paku 100 persona.

Test për drejtësinë racore

Image

Dhe ky do të jetë test për drejtësinë racore. Shumica e të pandehurve janë të bardhë. Të pandehurit afro-amerikanë dhe latinë pritet të përballen me dënime më të ashpra për të njëjtat krime. Dhe prej momentit të mësymjes së bandës në Capitol, ka pasur dilema nëse reagimi për zbatim të ligjit do të ishte ndryshe nëse sulmuesit do të ishin amerikanë me ngjyrë.

“Nëse nuk mund të trajtojmë kriminalitetin e bardhë si kriminalitet dhe krim të bardhë që meriton kundërpërgjigje, ndëshkim, kërkim llogarie... nëse nuk e shohim si legjitim ndëshkimin e kriminalitetit, atëherë ashtu edhe e ngjyrosim veten”, ka deklaruar Herbert, tani profesoreshë në Shkollën e së Drejtës në Universitetin e Harvardit.

Vetëm një i pandehur – një kitarist heavy metali dhe anëtar i grupit ekstremist “Oath Keepers” është shpallur deri tani fajtor. Prokurorët presin të ketë më shumë raste të tjera.

Jon Ryan Schaffer, të cilin autoritetet e kanë përshkruar si “anëtar i përjetshëm themeltar” i grupit militant, është pajtuar të bashkëpunojë me hetuesit, dhe në këmbim, Departamenti i Drejtësisë ka premtuar se do ta shqyrtojë mundësinë e përfshirjes së tij në programin federal të sigurisë së dëshmitarëve. Schaffer mund të provohet i dobishëm për prokurorët mbase në rastin e tyre më serioz kundër 12 anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të “Oath Keepers”, të akuzuar për konspiracion me një anëtar tjetër për të bllokuar certifikimin e fitores së Bidenit.

Prokurorët nën presion

Schaffer, burri në krye të bendit “Iced Eaqrth”, u shpall fajtor për pengim të një zyrtari në detyrë dhe për hyrje dhe qëndrim në një ndërtesë me qasje të kufizuar me armë të rrezikshme ose vdekjeprurëse. Për krimin e parë rrezikon të dënohet me 20 vjet burgim, por doracakët federalë kërkojnë nga tri deri në katër vjet e tre muaj, ka vlerësuar gjykatësi. Prokurorët mund të kërkojnë dënim edhe më të lartë në këmbim të bashkëpunimit të tij kundër të pandehurve të tjerë.

Në New York gjatë javës, një 37-vjeçar i cili nuk ishte pjesë e mësymjes, por pranoi postimin e xhirimeve dhe materialeve të tjera mbështetëse për bandën e dhunshme, është dënuar bazuar në akuzat federale për kërcënimin me vrasje të kongresistëve. Prokurorët kanë thënë se Brendan Hunt përballet me mbi dhjetë vjet burgim.

Nëse prokurorët do të kërkonin dënime të larta për të akuzuarit me akuza më të lehta për sulmin në Capitol, do të mund të përballeshin me humbje të besimit në raport me gjykatësit, ka thënë Laurie Levenson, ish-prokurore federale që tani ligjëron në Shkollën e së Drejtës Loyola. Dhe nëse ata vënë standard të lartë, do të ngatërrohen me qindra raste gjykimi në vend se të merren vetëm me shkelësit më seriozë. Rastet më serioze janë ato ku prokurorët mund dhe duhet të përçojnë mesazh të fuqishëm, ka thënë Levenson.

“Nëse ka ndonjë presion mbi Departamentin e Drejtësisë, është marrja me këto raste në atë mënyrë që nuk i keni parë kurrë më parë”, është shprehur ajo. “Dhe nëse njerëzit mendojnë se çmimi nuk është shumë i lartë, ku i dihet?”

Zemërimi i gjyqtarëve

Së paku një gjykatës ka shprehur zemërimin kundrejt kohës së hetimeve, që kanë ngarkuar Gjykatën Federale edhe ashtu të mbingarkuar sherri i vonesave të proceseve të lidhura me pandeminë. Gjyqtari lokal, Christopher Cooper, ka urdhëruar lirimin me kusht të një burri i cili ishte fotografuar duke qëndruar ulur në tavolinën e punës në zyrën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Speaker. Gjyqtari ka shprehur shqetësimin se rasti po procedohet shumë ngadalë.

Cooper ka vërejtur se Richard Barnett është mbajtur qe katër muaj në burg dhe nuk është i sigurt nëse është marrë në pyetje gjatë kohës së mbajtjes prapa grilave. Dhe druhet se nëse Barnett pajtohet të bashkëpunojë me hetuesinë, ka rrezik që të kalojë më shumë kohë në burg sesa do të dënohej nëse shpallet fajtor. Prokurori llogarit se qeveria do të mund të rekomandonte dënim që dallon nga shtatë vjet burgim nëse Barnet shpallet fajtor, megjithëse ai mund të lavdërohet për përgjegjësinë e treguar në rast bashkëpunimi.

Sidoqoftë, së paku në një rast prokurorët kanë lënë të kuptohet se zyrtarët nuk janë të gatshëm për ndryshim – së paku jo deri tani – që të akuzuarit që bashkëpunojnë të ngarkohen me më pak akuza.

Një avokat i Jenny Cuddit, që ka në pronësi një dyqan lulesh në Teksasin Perëndimor, që postoi një xhirim në Facebook me thirrje për trazira, i ka thënë një gjykatësi se prokurorët nuk i kanë ofruar bashkëpunim në rast se klienti pranon fajësinë.

“Kemi kërkuar përgjigje se pse, por Qeveria në reagimin e saj theksoi se jemi të lirë ta pranojmë akuzën”, ka thënë avokati i Cuddit. “E ndaj kësaj ne reaguam: ‘A është kjo shaka?’”. \ Analizë e agjencisë amerikane “Associated Press”

Përktheu: Rexhep Maloku