Botë

Ish-polici Chauvin dënohet për vrasjen e afro-amerikanit Floyd

Juria dymbëdhjetanëtarësh ka shpallur Chauvinin (45) përgjegjës për vdekjen e Floydit vitin e kaluar, pas tri javësh të dëgjimit të 45 dëshmitarëve, përfshirë kalimtarët e rastit, zyrtarët policorë dhe ekspertët mjekësorë, në njërin prej rasteve që ka nxitur vëmendjen më të madhe në epokën e lëvizjes “Black Lives Matter”

Ish-polici nga Minneapolisi, Derek Chauvin, është dënuar të martën për vrasje të shkallës së dytë, vrasje të shkallës së tretë dhe për vrasje pa paramendim gjatë arrestimit fatal të afro-amerikanit George Floyd, në atë që konsiderohet si moment historik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbërthyera nga tensionet raciste dhe kritikat kundër trajtimit të qytetarëve me ngjyrë nga zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Juria dymbëdhjetanëtarëshe ka shpallur Chauvinin (45) përgjegjës për vdekjen e Floydit vitin e kaluar, pas tri javësh të dëgjimit të 45 dëshmitarëve, përfshirë kalimtarët e rastit, zyrtarët policorë dhe ekspertët mjekësorë, në njërin prej rasteve që ka nxitur vëmendjen më të madhe në epokën e lëvizjes “Black Lives Matter”. Pesë anëtarët burra dhe shtatë gra të jurisë vendimin e shpalosën, pasi që ishin mbledhur për diskutime rreth katër orë të hënën pasdite dhe më shumë se dhjetë orë gjatë së martës, duke e mbajtur në teh gjithë SHBA-në.

Sipas ligjeve në fuqi në Minnesota, Chauvin ballafaqohet me 12 vjet e gjysmë burgim për dënimin për vrasje, si një kryerës i veprës së parë kriminale. Megjithëkëtë, prokurorët mund të kërkojnë dënim më të gjatë, deri në maksimum 40 vjet heqje lirie, në rast se gjykatësi i Qarkut në Hennepin County, Peter Cahill, i cili ka kryesuar gjykimin, vendos se ekzistojnë “faktorë rëndues”.

Në Minnesota, kriminelët e dënuar përgjithësisht dalin nga burgu, në një liri të mbikëqyrur, pas vuajtjes së dy të tretës së dënimit. Chauvini nuk ka qenë i dënuar më herët për ndonjë vepër penale.

Verdikti u shqiptua pasi që në videon bujëmadhe të rastit nga maji i vitit të shkuar, asokohe si polic në detyrë, Chauvin, i cili është i bardhë, shihet tek ia mban gjurin në qafë dhe në shpinë Floydit të prangosur dhe të shtrirë përtokë, për plot nëntë minuta dhe 29 sekonda, në ditën e 25 majit. Polici e kishte ndaluar Floydin (46) nën akuzën se kishte përdorur një bankënotë false prej 20 dollarësh për të blerë cigare në një dyqan. Ai ishte shkarkuar nga detyra në polici, menjëherë pas rastit.

Image

Vdekja e Floydit kishte ndezur trazira dhe protesta masive kundër racizmit dhe brutalitetit policor në shumë qytete të SHBA-së dhe përreth botës. Si rrjedhojë e drojës për tensione të reja, gjithë Minnesota gjatë ditëve të fundit ka qenë e fortifikuar. Më shumë se 3000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë vënë në gjendje gatishmërie, teksa bizneset përreth Minneapolisit janë mbyllur dhe fortifikuar nga droja e shpërthimit të dhunës pas verdiktit.

Pak kohë pasi që u njoftua se juria e kishte marrë vendimin, zyrtarët e rendit dhe ligjit kanë filluar mbylljen e portës së porsainstaluar në selinë e përgjithshme të policisë në Minneapolis. Ndërkaq janë vendosur gjithashtu edhe barriera betoni shtesë.

Chauvini ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e vrasjes pa paramendim të shkallës së dytë, përfshirë “nxitjen e dëmtimit të qëllimshëm trupor”, vrasjen e paqëllimshme të shkallës së tretë dhe atë për vrasje të shkallës së dytë që e përfshin vdekjen e shkaktuar nga “fajësia e neglizhuar”.

Më herët gjatë ditës presidenti amerikan, Joe Biden, kishte thënë se lutej për një “verdikt që është verdikt i drejtë” në gjykimin kundër Chauvinit. Para shqiptimit të vendimit, ai ka thënë se në këtë rast dëshmitë janë “evidente”, pa elaboruar më tutje. Ka theksuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike të hënën me familjarët e afro-amerikanit të vdekur, duke i siguruar se “mund ta marrë me mend presionin dhe ankthin që ata po e ndiejnë”.

“Ata janë një familje e mirë dhe po bëjnë thirrje për paqe dhe qetësi, pa marrë parasysh se cili është verdikti”, ka thënë ai para gazetarëve në Zyrën Ovale.

Në rastin e parë të tillë në Minnesota, procesi i gjykimit ishte transmetuar drejtpërsëdrejti për t’iu përshtatur kufizimeve në fuqi për frenimin e përhapjes së COVID-19, në atë që i ofroi publikut një qasje të rrallë në zemër të sistemit ligjor.

Prokurorët gjatë gjithë procesit u kanë thënë anëtarëve të jurisë që “t’u besojnë syve” dhe të bazohen në videoxhirimin e kalimtarit të rastit që kishte dokumentuar momentet e fundit të Floydit.

“Rasti është pikërisht ashtu siç keni menduar kur e keni shikuar për të parën herë, kur e keni parë atë video. Është bash kështu. Duhet që t’u besoni syve”, ka thënë prokurori, Steve Schleicher, në argumentimin përmbyllës. “Kjo nuk ka të bëjë me veprim policor. Kjo është vrasje”.

Avokati i mbrojtjes, Eric Nelson, kishte argumentuar se përdorimi i forcës prej anës së Chauvinit ishte i pakëndshëm por i duhur, ndërkaq ka theksuar se ai ishte shpërqendruar nga turma e kalimtarëve të zemëruar të rastit, në vendin e ngjarjes. Në ndërkohë, ka argumentuar se Floydi ka vdekur nga përdorimi i lëndëve narkotike, rezistenca ndaj policëve dhe problemet paraekzistuese me zemrën, e jo si pasojë e veprimeve të Chauvinit. Mirëpo prokuroria ka argumentuar se vdekja e tij ishte shkaktuar nga mungesa e oksigjenit, e nxitur nga vendosja për kohë shumë të gjatë e gjurit të Chauvinit në qafën e afro-amerikanit.