Botë

Kampion në vaksinim, Izraeli siguron miliona vaksina të “Pfizerit” për 2022-n

Përveç kësaj, Izraeli dhe “Pfizeri” janë pajtuar po ashtu për mbajtjen hapur të opsionit të blerjes, po qe se është nevoja, edhe të miliona vaksinave shtesë që mund t’i trajtojnë variantet e reja të koronavirusit, ndërsa është bërë e ditur se negociata të ngjashme janë duke u zhvilluar edhe me kompaninë tjetër zhvilluese të vaksinave “Moderna”

Izraeli ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Pfizer” për blerjen e miliona dozave shtesë të vaksinave së saj kundër COVID-19 për mbulimin e nevojave të vendit për vitin 2022, kanë njoftuar të hënën kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Shëndetësisë, Yuli Edelstein.

Përveç kësaj, Izraeli dhe “Pfizeri” janë pajtuar po ashtu për mbajtjen hapur të opsionit të blerjes, po qe se është nevoja, edhe të miliona vaksinave shtesë që mund t’i trajtojnë variantet e reja të koronavirusit, ndërsa është bërë e ditur se negociata të ngjashme janë duke u zhvilluar edhe me kompaninë tjetër zhvilluese të vaksinave, “Moderna”.

Marrëveshja e nënshkruar duhet të garantojë që Izraeli të vazhdojë betejën për mbajtjen nën kontroll të pandemisë krejt deri në fund të vitit 2022, thuhet në njoftimin e Qeverisë izraelite.

“Rishtas kam biseduar me miqtë e mi, shefat ekzekutivë në ‘Pfizer’ dhe ‘Modena’”, ka thënë Netanyahu në një videomesazh. “Nëse nuk do të ketë befasi, si variantet e koronavirusit që vaksinat nuk mund t’i luftojnë, atëherë ne kemi nënshkruar për sigurimin e miliona vaksinave shtesë të ‘Pfizerit’”.

Ai ka thënë gjithashtu se do të ketë një kontratë të zgjeruar me “Modernan”, brenda një të ardhmeje të afërt.

“Kjo do të thotë se shumë shpejt do të kemi më shumë se mjaftueshëm vaksina si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët”, ka thënë Netanyahu. “Izraeli do të prijë përsëri në betejën kundër koronavirusit”.

Ndërkaq numri i saktë i dozave nuk është përmendur në njoftim.

Në fillim të muajit “Pfizeri” ka ndalur dërgesat e vaksinave, pasi që Izraeli ka dështuar në nënshkrimin e kontratës për doza shtesë.

Netanyahu dhe zyrtarët më të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se kanë dashur që të blinin edhe 36 miliona doza shtesë, me një çmim prej 3.5 miliardë eurosh. Megjithëkëtë, kanë dështuar që të sigurojnë fonde për një blerje të tillë, shkaku i betejave të brendshme politike. Pavarësisht kësaj, Netanyahu ka gjetur një mënyrë për zgjidhjen e problemit. Vaksinat do të blihen me fondet e teprisë të caktuara brenda Thesarit për trajtimin e koronavirusit. Nën një rrethanë të tillë, transferimi i parave te “Pfizeri” nuk e kërkon miratimin e Qeverisë apo të Knessetit.

Dozat nuk janë paraparë që të përdoren në një të ardhme të afërt, andaj disa prej tyre, sipas të gjitha gjasave, do të dërgohen me kohë për vaksinimin e 12 deri 15-vjeçarëve, nëse miratohet nga Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna. Të tjerat doza do të sigurohen deri në fund të vitit të ardhshëm.

Izraeli konsiderohet si lider botëror në fushatën e vaksinimit. Deri më tani aty janë vaksinuar 55 për qind e popullatës, me administrimin e më shumë se 10 milionë dozave. Rreth 4.9 milionë qytetarë veçse i kanë marrë të dy dozat e nevojshme për imunizim ndaj koronavirusit.

“Ka të ngjarë se njerëzit do të duhej që të merrnin edhe një dozë të tretë apo dozë përforcuese të vaksinës “Pfizer” përbrenda gjashtë muajve apo dy vjetëve të ardhshëm, dhe dozat shtesë do të jenë të nevojshme”, ka thënë komisionari për luftë ndaj koronavirusit, profesori Nachman Ass. “Jam i gëzuar që me gjithë dallimet politike, ia kemi dalë që të arrijmë marrëveshje me ‘Pfizerin’”, ka thënë Edelstein. “Izraeli po del nga koronavirusi falë vaksinave. Izraeli do të vazhdojë të prijë në betejën kundër virusit edhe në të ardhmen”.

Shefi ekzekutiv i “Pfizerit”, Albert Bourla, ka lavdëruar marrëveshjen.

“Sot e kemi nënshkruar marrëveshjen tonë të parë qeveritare për 2022-n me Izraelin, për furnizimin e miliona dozave të vaksinës kundër COVID-19 të ‘Pfizer’-‘BioNTech’, me opsionin e blerjes së edhe miliona dozave shtesë”, ka shkruar ai në Twitter. “’Pfizeri’ & qeveritë përreth botës janë duke punuar në gatishmërinë afatgjate ndaj pandemisë”.