Vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për ta shtyrë tërheqjen e trupave amerikane deri në muajin shtator, do të thotë se prania amerikane do të vazhdojë përtej 1 majit, afat i caktuar gjatë vitit të kaluar. Lajmi ka shkaktuar reagimin e lidershipit politik të talebanëve
Shkuarja në territorin e kontrolluar nga talebanët nuk zgjat fort, shkruan BBC-ja. Nja 30 minuta prej qytetit verior Mazar-e-Sharif, të mbushur me kratere bombash, ne takohemi me mirëpritësin tonë: Haji Hekmat, taleban që është kryetar në hije i qytezës Balkh.
I pispillosur dhe me turban të zi, ai është veteran i grupit. I pari iu bashkua militantëve në vitet ’90 kur ata sundonin pjesën më të madhe të shtetit.
Talebanët kishin organizuar një paradë ushtarake për gazetarët e BBC-së. Të rreshtuar në dy anët e rrugës janë njerëzit e armatosur deri në dhëmbë. Njëri mbante një krah një minahedhës, ndërsa një tjetër kishte në dorë një automatik M4 të marrë nga amerikanët. Balkh dikur ishte një prej zonave më të qëndrueshme të vendit. Tani është shndërruar në më të dhunshmet.
Baryalay, komandant ushtarak me një reputacion të egër, bën me gisht poshtë rrugës.
“Forcat qeveritare janë pak matanë shitores, por nuk mund të largohen nga bazat e tyre. Ky territor u takon muxhahedinëve”, thotë ai për transmetuesin britanik.
Pamje e njëjtë është në krejt Afganistanin, vlerëson BBC-ja. Qeveria kontrollon qytetet më të mëdha, por janë të rrethuara nga talebanët që kanë prezencë të madhe në fshatra.
Militantët shfaqin autoritetin e tyre nëpërmjet pikave të kontrolleve të herëpashershme në rrugët kyçe. Teksa talebanët ndalojnë dhe marrin në pyetje secilin prej automjeteve, Aamir Sahib Ajmal, udhëheqës lokal i shërbimit inteligjent të talebanëve, thotë se po kërkojnë njerëz të lidhur me Qeverinë.
“Do t’i arrestojmë dhe do t’i burgosim. Ua dorëzojmë gjykatave tona dhe ato vendosin për fatin e tyre”, thotë Ajmal.
Bindja për fitore
Talebanët besojnë se fitorja është në dorën e tyre. I ulur tek pi një filxhan qaji të gjelbër, Haji Hekmat është i bindur.
“E fituam luftën, Amerika e humbi”, thotë ai prerazi.
Vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për të shtyrë tërheqjen e trupave amerikane deri në muajin shtator, do të thotë se prezenca amerikane do të vazhdojë përtej 1 majit, afat i caktuar gjatë vitit të kaluar. Lajmi ka shkaktuar reagimin e lidershipit politik të talebanëve. Sido që të jetë, vrulli është në anën e militantëve, vlerëson BBC-ja.
“Jemi të gatshëm për gjithçka. Jemi të përgatitur për paqe, por jemi gati edhe për xhihad”, thotë Haji Hekmat. I ulur pranë tij, një komandant ushtarak shton se “xhihadi është një lloj adhurimi”. “është diçka që sido që ta bësh, nuk lodhesh kurrë”.
Gjatë vitit të kaluar, pati një kontradiktë të dukshme në “xhihadin” e talebanëve. Ndaluan sulmet ndaj forcave ndërkombëtare pas nënshkrimit të marrëveshjes me SHBA-në, por vazhduan të luftonin me Qeverinë afgane. Haxhi Hekmat, megjithatë, këmbëngul se nuk ka asnjë kontradiktë. “Ne duam një qeveri islamike të sunduar nga Sheriati. Ne do të vazhdojmë xhihadin tonë derisa ata t’i pranojnë kërkesat tona”, thotë Hekmat për BBC-në.
Nëse talebanët do të pranonin ndarjen e pushtetit me fraksione të tjera politike në Afganistan, Haji Hekmat i referohet lidershipit politik në Katar. Çfarëdo që ata të vendosin, ne do të pranojmë”, thotë vazhdimisht.
BBC-ja shkruan se talebanët nuk e shohin veten e tyre si grup të thjeshtë rebelesh, por si qeveri në pritje. Ata e cilësojnë veten si “Emirati Islamik i Afganistanit”, term që u përdor sa ishin në pushtet nga viti 1996 deri në përmbysjen e shtetit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Barazia gjinore
Tani kanë një strukturë të sofistikuar në “hije”, me zyrtarë të angazhuar në mbikëqyrjen e shërbimeve të përditshme në zonat që kontrollojnë. Haji Hekmat, kryetari i bashkisë talebane, i bëri një shëtitje ekipit të BBC-së.
“Na është treguar një shkollë fillore, e mbushur me djem dhe vajza të reja që shkruajnë në librat shkollorë të dhuruar nga Kombet e Bashkuara. Kur ishin në pushtet në vitet ‘90, talebanët ndaluan arsimimin e grave, megjithëse ato shpesh e mohojnë këtë. Edhe tani, ka raporte se në zona të tjera vajzat e moshuara nuk lejohen t’i ndjekin mësimet. Por këtu të paktën, talebanët thonë se po i inkurajojnë gratë vazhdimisht”, shkruan BBC-ja.
“Për sa kohë që ato mbajnë hixhab, është e rëndësishme për ato që të arsimohen”, thotë Mawlawi Salahuddin, përgjegjës i komisionit arsimor lokal të talebanëve. Në shkollat e mesme, thotë ai, lejohen vetëm mësueset dhe mbulesa është e detyrueshme. “Nëse ato ndjekin Sheriatin, nuk ka asnjë problem”, shton ai.
“Burimet lokale na thanë se talebanët hiqnin orët e artit dhe qytetarisë nga programi mësimor, duke i zëvendësuar ato me lëndë islamike, por për lëndët tjera ndjekin programin kombëtar”, shkruan BBC-ja.
Por a i dërgojnë talebanët vajzat e tyre në shkollë? “Vajza ime është shumë e re, por kur të rritet, do ta dërgoj në shkollë dhe në medrese, për sa kohë që zbaton hixhabin dhe Sheriatin”, thotë Salahuddini.
Qeveria paguan pagat e stafit, por talebanët janë në krye. Në krejt vendin është një sistem hibrid.
“Në një klinikë shëndetësore aty pranë, e drejtuar nga një organizatë ndihmëse, është një histori e ngjashme. Talebanët lejojnë që gratë të punojnë, por gjatë natës duhet të kenë një mbikëqyrës burrë ndërkaq pacientët janë të ndarë me gjini. Kontracepsioni dhe informacioni rreth planifikimit familjar janë në dispozicion”, shkruan BBC-ja.
BBC-ja në raportin e saj për vendimin amerikan të tërheqjes së trupave nga Afganistani, shkruan se gjatë tërë udhëtimit të gazetarëve, talebanët dëshironin që t’i shihnim me pozitivitet.
“Kur kalojmë para një turme nxënësish që shkojnë në shtëpi, Haji Hekmat bën gjest me entuziazëm, krenar që binim në kundërshtim me pritjet tona. Megjithatë ende ekzistojnë shqetësimet mbi pikëpamjet e talebanëve mbi të drejtat e grave. Grupi nuk ka fare përfaqësim femëror dhe në vitet 1990 ua ndaluan grave që të punonin jashtë shtëpive”, shkruan BBC-ja.
Teksa ekipi i BBC-së kalon nëpër fshatrat e rajonit Balkh, sheh shumë gra, jo të gjitha mbanin burkën dhe ecnin lirshëm. Sidoqoftë, BBC-ja vlerëson se nuk kishte asnjë grua në pazarin e qytetit. Haji Hekmat këmbëngul se nuk ka ndalesa për gratë, megjithëse në shoqëri konservatore, thotë ai, gratë vetë nuk do të shkonin në pazar.
“Vazhdimisht jemi të shoqëruar nga talebanët. Banorët e paktë me të cilët flasim, të gjithë thonë se mbështesin talebanët, të cilëve u janë mirënjohës për përmirësimin e sigurisë dhe uljen e krimit. “Kur qeveria ishte në kontroll, burgoste popullin tonë dhe kërkonte ryshfet për t’i liruar”, thotë një i moshuar. “Njerëzit tanë vuajtën shumë, tani ne jemi të kënaqur me situatën”.
Fshehja e terrorit
Vlerat shumë konservatore të talebanëve vërehen fort nëpër zonat rurale, mirëpo në qytete, njerëzit nuk duan kthimin e brutalitetit të Emiratit Islamik të viteve ’90, kur u hoqën liritë me të cilat shumë të rinj janë rritur për më shumë se dy dekada.
“Një banor vendas në kushte anonimiteti na rrëfeu më vonë. Na tha se talebanët ishin të rreptë sesa na foli më vonë, në kushte anonimiteti dhe na tha se talebanët ishin shumë më të rreptë sesa që paraqiteshin në intervistat tona. Ai tha se fshatarët rriheshin veç pse rruanin mjekrën ose ua prishnin pajisjen për të dëgjuar radio”, shkruan BBC-ja.
“Njerëzit nuk kanë zgjidhje tjetër përveç të bëjnë atë që thonë talebanët. Për çështjet më të vogla ata rrihen nga talebanët”, thotë burri.
Haji Hekmat ishte pjesë e talebanëve që prej viteve ’90. Militantët e rinj që kalojnë përreth ekipit të BBC-së duken të lutur dhe shkrepin vazhdimisht fotografi, mirëpo Hekmat fshehu fytyrën kur pa kamerën e ekipit të gazetarëve. “Shprehi të vjetra”, thotë ai i buzëqeshur. Nën regjimin e vjetër të talebanëve, fotografia ishte e ndaluar.
“A kanë bërë gabime sa ishin në pushtet? A do të silleshin njëjtë edhe tani?”, u pyet Haji Hekmat.
“Talebanët e atëhershëm janë të njëjtë me tani. Pra, krahasuar atë kohë me tani, asgjë nuk ka ndryshuar”, thotë Haji Hekmat. Por shton se “ka ndryshime në personel. Disa janë të ashpër, të tjerët janë të butë. Kjo është normale”.
“Talibanët janë dukur të paqartë qëllimisht për atë që nënkuptojnë me “qeverinë islamike” që duan të krijojnë. Disa analistë e shohin atë si një përpjekje të qëllimshme për të shmangur fërkimet e brendshme midis elementeve të vijës së ashpër dhe më të moderuar. A mund të akomodojnë ata të dy me pikëpamje të ndryshme dhe të mos tjetërsojnë bazën e tyre? Ardhja në pushtet mund të shfaqë provën e tyre më të madhe”, vlerëson BBC-ja.
“Teksa hamë drekë me pulë dhe oriz, dëgjojmë gjëmimin e të paktën katër sulmeve të ndara ajrore. Haji Hekmat nuk lëviz vendi. ‘është larg, mos u shqetësoni’, na thotë ai”, shkruan BBC-ja.
Në analizën e transmetuesit britanik thuhet se fuqia ajrore, posaçërisht ajo e ofruar nga amerikanët, ka qenë vendimtare gjatë viteve në frenimin e përparimit të talebanëve. SHBA-ja tashmë ka ndërprerë operacionet ushtarake kur nënshkroi marrëveshjen me talebanët gjatë vitit të kaluar. Shumë njerëz kanë frikë se pas tërheqjes së ushtrisë amerikane, talebanët do të nisin fushatën ushtarake për të marrë në kontroll Afganistanin.
Haji Hekmat tallet me qeverinë afgane ose siç i referohen krejt talebanët “administratën e Kabulit”. E quan si të korruptuar dhe jo-islamike. Është e vështirë të shohësh burrat si ai që të pajtohen me të tjerët, vetëm nëse paqja bëhet me kushtet e tyre.
“Ky është xhihadi”, thotë ai. “Është adhurim. Nuk e bëjmë për pushtet, por për Allahun dhe ligjet e tij. Për të sjellë Sheriatin në këtë vend. Kushdo që do të dalë përballë nesh, do t’i kundërshtojmë”.