Botë

Forcimi ushtarak në Ukrainë: Blof apo jo, Rusia “po luan me zjarrin”

“Sinjalet e Rusisë janë të qarta. Videot e vazhdueshme në mediet sociale kanë shfaqur kontingjente të automjeteve të blinduara tek lëvizin nëpër rajonin kufitar pak kilometra larg Ukrainës. Dhe për më tepër, këto lëvizje janë kapur qartë nga pamjet satelitore”, ka shkruar CNN

Për një ushtri që duhet t’i maskojë veprimet e tij, mënyra më e keqe e mundshme për fshehjen e okupimit në përgatitje të një vendi pa dyshim është përgatitja haptas për të.

Kjo gjë, në një analizë të gjatë të transmetuesit amerikan CNN, cilësohet si paradoksi që ka mbërthyer grumbullimin e qartë të Rusisë në veri të vendit, jo fort larg kufirit me Ukrainën.

“Sinjalet e Rusisë janë të qarta. Videot e vazhdueshme në mediet sociale kanë shfaqur kontingjente të automjeteve të blinduara tek lëvizin nëpër rajonin kufitar pak kilometra larg Ukrainës. Dhe për më tepër, këto lëvizje janë kapur qartë nga pamjet satelitore”, ka shkruar CNN.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të premten se Rusia tani ka më shumë trupa afër kufirit me Ukrainën fqinje sesa kurdo herë që nga 2014-s – kur gadishulli i Krimesë ishte aneksuar. Më gjetkë në jug, raportet e Inteligjencës ushtarake kanë vlerësuar se rreth 4.000 ushtarë të armatosur rëndë të Rusisë janë duke u vendosur në Krime, ka bërë të ditur për CNN një zyrtar i Mbrojtjes amerikane.

“Rusia është gjithashtu duke e luajtur lojën. Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka shpallur gjendje gatishmërie për ushtrinë. I dërguari i Kremlinit për konfliktin, zëvendësshefi i administratës presidenciale, Dmitri Kozak, ka thënë se Moska do të mund të mbronte popullatën në lindje të Ukrainës, po qe nevoja. Dhe ka thënë se nisja e një konflikti do të ishte ‘fillimi i fundit për Ukrainën’. Deklaratat e Rusisë janë goxha të zhurmshme”, ka shkruar CNN.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vendosur disa njësite ushtarake më afër Donbasit dhe ka realizuar të enjten një vizitë në territorin e rrezikuar.

Sikurse lideri rus, Vladimir Putin, edhe rejtingu i Zelenskyt në vend është shëndetlig. Në vizitë ai ka folur me gjuhën e paqes. Është munduar të jetë i afërt me ushtarët, i vetëdijshëm se presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se do t’i qëndrojë përkrah.

Administrata amerikane ka shprehur “shqetësim të shtuar për përshkallëzimin e fundit të agresionit rus në lindje të Ukrainës” derisa zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar se mund të dërgohen luftanije në Detin e Zi, në një sinjal të qartë të përfshirjes së shtuar, ani pse fluturaket amerikane vazhdimisht e kanë monitoruar rajonin.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka kërkuar Putinit që t’i tërheqë trupat gjatë një bisede telefonike të enjten.

“Spekulimet se çfarë mund të pasojë në këtë territor të madh lufte në Evropë janë po aq të përhapura sa Kremlini shpresonte që do të ishin. Pyetja kyç që ngelet pa përgjigje është se cili do të ishte synimi i intervenimit ushtarak të Rusisë”, ka shkruar CNN.

Disa analistë kanë spekuluar se do të ishte “vërshimi” i zonave separatiste dhe vatrave të tjera të konfliktit me një “forcë masive paqeruajtëse ruse”, destinuar për ta imponuar vullnetin dhe rregullat e saj në rajon – që një njëfarë mënyrë do të ishte aneksim i butë i Donbasit.

Opsioni i dytë i përmendur nga analistët është krijimi i një korridori tokësor midis Dobasit separatist në lindje dhe Krimesë. Për vite me radhë uji ka qenë një burim i munguar në Krime, krizë kjo për të cilën një zyrtar i lartë ukrainas qysh dy vjet më herët kishte paralajmëruar se do të arrinte pikën e një krize në verën e 2019-s. Kjo krizë, sipas CNN, vazhdon edhe më tutje.

“Por korridori tokësor do të ishte jashtëzakonisht i cenueshëm për forcat okupuese ruse. Do të mund të ziheshin midis Detit Azov dhe ushtrisë tepër të ashpër e më mirë të pajisur ukrainase. Për ta mbajtur korridorin hapur, ata do të duhej të avanconin më thellë në Ukrainë dhe sërish të përballeshin me ushtrinë dhe popullatën lokale ukrainase”, është theksuar në analizën e transmetuesit amerikan.

Andaj, detyrë e ushtrisë ruse tani është që ose të bëjë më pak ashtu që të sanksionet e pashmangshme amerikane të kishin ndikim minimal, ose të bëjë shumë që të okupojë pjesë të mëdha të Ukrainës, për vite me radhë.

“Në që të dy mënyrat është katrahurë e vërtetë”, ka shkruar CNN.

Okupimi i tretë i Ukrainës më 2021 është njëherësh një kumar shumë më i rrezikshëm për Putinin sesa ai i viteve 2015-2015. Kësaj radhe, Bideni i ka dalë haptas krah Kievit. Washingtoni tani e sheh Rusinë përherë e më kërcënim të madh.

“Megjithëkëtë, dy rreziqe të vazhdueshme dhe të panënvlerësueshme mbesin. E para është se Putini mund ta shohë një moment mundësie për sulm dhe thjesht të vendosë që të përballet me pasojat më vonë. E dyta është rreziku i pashmangshëm i grumbullimit të forcave të zemëruara në të dyja anët e vijës veçse aktive të frontit”, ka shkruar agjencia.

Një gabim i pakalkuluar apo ngritja e cilësdo palë mund të përshkallëzojë situatën në një luftë më të madhe.

“Nëse Moska shpreson që grumbullimi nënkupton që telefonat të nisin t’i cingërojmë më shpesh dhe që diplomacia do të fillojë ta bëjë të veten, atëherë më mirë që të ndodhë sa më parë”, ka konstatuar CNN në analizën e saj.