Botë

SHBA-ja synon nisjen e luftanijeve në Detin e Zi shkaku i tensioneve Rusi-Ukrainë

Flota detare amerikane operon në mënyrë rutinore në Detin e Zi, por vendosja e anijeve luftarake do të kishte për synim dërgimin e një mesazhi specifik për Moskën se SHBA-ja është duke i vëzhguar zhvillimet nga afër, ka thënë një zyrtar, i cili ka folur nën kushtin e anonimitetit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke e shqyrtuar mundësinë e dërgimit të luftanijeve në Detin e Zi gjatë javëve në vijim, në një demonstrim të mbështetjes për Kievin zyrtar midis shtimit të pranisë ushtarake të Rusisë në kufirin lindor të Ukrainës, ka thënë të enjten një zyrtar i lartë i Mbrojtjes, duke folur për CNN.

Flota detare amerikane operon në mënyrë rutinore në Detin e Zi, por vendosja e anijeve luftarake do të kishte për synim dërgimin e një mesazhi specifik për Moskën se SHBA-ja është duke i vëzhguar zhvillimet nga afër, ka thënë një zyrtar, i cili ka folur nën kushtin e anonimitetit.

SHBA-së i kërkohet që të adresojë një njoftim 14 ditë para synimit për të hyrë në Detin e Zi, sipas traktatit të vitit 1936, që ia dha Turqisë kontrollin mbi ngushticën hyrëse në det. Ende nuk dihet nëse një njoftim i tillë veçse është dërguar.

Zyrtari i Mbrojtjes ka thënë gjithashtu se flota ushtarake detare është duke ndërmarrë fluturime vëzhguese në hapësirën ndërkombëtare ajrore mbi Detin e Zi për t’i monitoruar aktivitetet detare ruse dhe lëvizjet e çfarëdoshme të trupave në Krime.

Dy aeroplanë bombardues amerikanë “US B-1” kanë ndërmarrë gjatë të mërkurës misione të tilla vëzhguese mbi Detin Egje. Ndonëse SHBA-ja nuk e sheh grumbullimin e forcave ruse si një lloj ofensive, zyrtari ka thënë për CNN se “nëse ndonjë gjë ndryshon, ne do të jemi të gatshëm për të vepruar”.

“Vlerësimi aktual i marinës është se rusët janë duke ndërmarrë trajnime dhe manovra, dhe se të dhënat e inteligjencës nuk japin ndonjë indikacion mbi urdhrat ushtarake për veprime të mëtutjeshme”, ka thënë një zyrtar, porse ka shtuar se “janë më se të vetëdijshëm që një gjendje e tillë mund të ndryshojë çdo moment”.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur shqetësim lidhur me tensionet në rritje midis Ukrainës dhe Rusisë. Gjatë javëve të fundit presidenti Biden, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sekretari i Mbrojtjes, lloyd Austin, shefi i stafit të përgjithshëm ushtarak, Mark Milley, dhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, kanë zhvilluar bisedime me homologët e tyre në Ukrainë.

“Kemi shqetësime lidhur me përshkallëzimin e fundit të agresionit rus në lindje të Ukrainës, përfshirë raportet e besueshme për shtimin e lëvizjeve të forcave ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës dhe të Krimesë së okupuar”, ka thënë gjatë kësaj jave zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price. “I kemi kërkuar Rusisë që t’i shpjegojë këto provokime, por më e rëndësishmja është se ua kemi sinjalizuar qartë partnerëve tanë ukrainas mesazhin e sigurisë”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, ka thënë gjatë javës se është me rëndësi që “të gjitha palët t’i përmbahen Marrëveshjes së Minskut” dhe që “integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës të respektohen nga Rusia”.

Në anën tjetër kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka zhvilluar të enjten një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, për t’i bërë thirrje për tërheqjen e trupave nga rajoni me qëllim të qetësimit të situatës, ka bërë të ditur një zëdhënës i Qeverisë gjermane.

Ndërkaq sipas versionit të Kremlinit për bisedën, Putini ka akuzuar Kievin për “veprime provokuese”.

Ukraina ka ngritur alarmin lidhur me praninë e shtuar të forcave ruse afër kufirit, teksa shkalla e dhunës është shtuar përgjatë linjës kufitare që i ndan trupat e vendit nga separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin e saj, Donbass.

“Gjermania ka kërkuar që ky grumbullim të ndalet, në mënyrë që situata të qetësohet”, ka bërë të ditur Qeveria gjermane, në përmbledhjen mbi telefonatën Merkel-Putin.

Që nga fillimi i aktiviteteve ushtarake në javën e kaluar, Rusia ka insistuar se forcat e saja nuk përbëjnë ndonjë kërcënim dhe se janë për qëllime të mbrojtjes, porse do të mbeten aty për aq kohë sa Moska e konsideron të nevojshme. Kremlini ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat e Ukrainës se grumbullimi ka për qëllim që të largojë vëmendjen nga çështjet e brendshme të Rusisë, përfshirë rastin e burgosjes së liderit opozitar, Alexei Navalny, në prag të zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.