Botë

“Mos lini asnjë të gjallë” – përdhunimet e tmerrshme të grave

Descriptive Text

Kombet e Bashkuara kanë raportuar për 500 raste të përdhunimit në Tigray. Mirëpo gruaja nga Humera, rasti i së cilës është konfirmuar edhe nga mjeku, thotë se ka shumë të mbijetuara që po i fshehin përdhunimet

Alemi ka nisur të mësojë gjuhën amharic të Etiopisë. Ia ka vënë vetes qëllim se kështu mund të shpëtojë e gjallë.

“Qëllimi është të mos lënë gjallë asnjë tigrayan. Shpresoj se Tigray do të jetë shtëpia e fëmijëve të mi”, thotë ajo.

Ideja e shtëpisë mbetet e rrezikshme. Pak ditë pasi presidenti Abiy Ahmad u ka bërë thirrje njerëzve që të ktheheshin në Tigray kah fundi i muajit mars, së paku dy burra që tentuan kthimin nga Hamdayet u qëlluan menjëherë pasi kaluan kufirin.

U varrosën nga qindra refugjatë në kishën ortodokse në Hamdayet. Muret e kësaj kishe po kthehen në murale të sakrificës dhe shpëtimit. Dhjetëra besimtarë bien në gjunjë dhe luten teksa prekin gurët e kishës. Të tjerët mbështetnin ballin në mure. Shenjë se nuk mund të vazhdonin më.

Pasi me radhë e përdhunuan milicët e Amharas, gruas së re i ofruan një mundësi shpëtimi. U kthye në shtëpinë e vet të plaçkitur në Humera. U kap nga milicët që flisnin gjuhën amharic. Kur u kërkoi që të flisnin gjuhën e saj amë, të cilën e kuptonte më mirë, ata u çmendën dhe filluan ta shkelmonin.

Ajo ra përtokë. Milicët ranë mbi të. Kujton të paktën tre burra.

“Le të vijë qeveria e Tigrayt të të ndihmojë”, kujton fjalët e njërit prej ushtarëve.

Mban mend edhe një propozim që ia bënë milicët. “Bëhu e fisit amhara dhe do t’ua kthejmë shtëpinë. Do t’ua gjejmë edhe një burrë. Por nëse vazhdoni të pretendoni se jeni tigrayane, do të vijmë të të përdhunojmë përsëri”.

Fqinji i saj i etnisë amhara ishte prezent gjatë përdhunimit. Kur më vonë shkoi në shtëpinë e tij për t’i kërkuar ndihmë, ai refuzoi.

“Çfarë edhe nëse të kanë përdhunuar?”, i kishte thënë ai. “Ke dashur të kthehesh. Sillu mirë dhe hesht!”.

PJESA E PARË: 

“Mos lini asnjë të gjallë” – shfarosja e një etnie

Fshehja e përdhunimeve

Gruaja qau tërë natën. Të nesërmen u ngushëllua kur mësoi se shumë gra të lagjes ishin përdhunuar.

“Nënë e bijë u detyruan ta shihnin njëra-tjetrën teksa përdhunoheshin. Një tjetër u përdhuna në rrugë para syve të njerëzve. Fati i të tjerave ishte më i keq se imi”, thotë ajo.

Ia mësyu Sudanit kah mesi i shkurtit. Nga frika për t’i rrëfyer dikujt për atë që kishte përjetuar, priti një muaj para se të kërkonte ndihmë mjekësore.

“Më vinte turp”, thotë ajo me lot në sy. Shpesh bishtnonte me sy kah dera. Kishte frikë se dikush mund ta dëgjonte dhe të përhapte thashetheme mes refugjatësh.

Ndjeu lehtësim kur doli negative në testin për HIV, por mësoi se është shtatzënë. Goxha gjatë qëndroi e heshtur. Nuk mund të mendonte për këtë tani për tani. Familja e saj nuk e di.

Kombet e Bashkuara kanë raportuar për 500 raste të përdhunimit në Tigray. Mirëpo gruaja nga Humera, rasti i së cilës është konfirmuar edhe nga mjeku, thotë se ka shumë të mbijetuara që po fshehin përdhunimet. “Associated Press” nuk do të publikojë identitetin e të dhunuarave në Tigray.

Disa refugjatë nga komunitete të ndryshme në Tigray kanë dëshmuar për AP-në se si të pashpresë dhe pa pikë fuqie dëgjuan dhe shikuan teksa gratë u rrëmbyen nga milicia e Amhara ose të Eritresë dhe u përdhunuan.

E bënin në formë talljeje, thotë Adhanom Gebrehanis nga fshati Korarit. Ai sapo kishte mbërritur në Hamadayet me shpinën plot shenja nga rrahja brutale prej ushtarëve të Eritresë.

“Përdhunimet i bëjnë haptas me qëllim që të na turpërojnë”, thotë ai.

Me sytë e tij pa se si ushtarët e Eritresë tërhoqën nga grupi i tigrayanëve nja 20 gra dhe i përdhunuan. Të nesërmen u kthyen vetëm 13 prej tyre.

“Ecni tash!”, i kishin thënë pjesës së mbetur të grupit. “I morëm ato që kërkuam”.

Mamia nga Adwa, Elsa Tesfa Berhe, në fshehtësi ishte kujdesur për pacientet e shtruar në spitalin të cilin e plaçkitën ushtarët e Eritresë. Morën shtretërit dhe u thanë pacientëve që të iknin prej aty. Teksa kujdesej për lindjen e grave dhe për të plagosurit, Berhe pa njerëzit që varrosnin të afërmit e tyre nën rrezikun e vrasjes nga ushtria, ose u hidhnin alkool trupave të pajetë, për të fshehur erën e tyre të rëndë.

Me shkatërrimin e qendrave shëndetësore, gratë dhe vajzat e përdhunuara nuk kanë ku të trajtohen. Askush nuk e di se sa prej grave mbajnë fëmijët e përdhunuesve të tyre.

Berhe sapo ka arritur në Sudan. Lotët i shkonin rrëke kur kujtonte 60-vjeçaren që u përdhunua nga ushtarët e Eritresë dhe pastaj priti me ditë të tëra duke tentuar të fshehë gjakderdhjen. Buzë vdekjes, u detyrua të kërkonte ndihmë.

“Nuk donte t’i tregonte askujt”, thotë Berhe. E kishte dëgjuar tek thoshte: “A mund të më besojë ndokush nëse them se isha dhunuar?”.

Një grua tjetër u përdhunua nga katër ushtarë të Eritresë teksa burri i saj fshihej nën krevat, rrëfen Berhe. Burri kishte rrëfyer për sulmin kur ushtarët i kërkuan të abortonin.

Image

“Përdhuno të bijën ose të vramë!”

Gruaja e tretë rrëfeu se si ushtarët e urdhëruan babanë e saj që ta përdhunonte, por e vranë në vend kur refuzoi. Pas vrasjes së tij ushtarët ia përdhunuan të bijën.

Berhe ka frikë se situata në zonat rurale është edhe më e keqe, siç përshkruhet nga njerëzit e zhvendosur që mbërrijnë në qytete. Deri më tani, pak nga bota e jashtme mund të arrijnë në zonat ku shumica e tigrajanëve jetonin para konfliktit, ndërsa luftimet vazhdojnë.

“A mendoni se ka ndonjë fjalë për ta shpjeguar këtë? Nuk ka fjalë”, thotë një mamie nga Humera që quhet Mulu.

Në Hamdayet u miqësua me shtatë gra të fshatit Mai Gaba. Të gjitha u përdhunuan ndaras nga milicët, përfshirë edhe nga pjesëtarët e forcave federale të Etiopisë.

Mulu frikësohet se Mai Gaga është një shembull ekstrem dhe vlerëson se komunitetet kanë përjetuar sulme edhe më të rënda.

“Këto përdhunime po bëhen për të dëmtuar komunitetet në anën psikologjike. Shumë prej etnisë tigray përkrahin liderët e arratisur. Për t’i shkatërruar këta liderë duhet të shkatërroni tigrayanët”, thotë Mulu. Më e keqja ende nuk ka përfunduar.

Uria e madhe

Pothuajse secili i intervistuar tregonte për mungesën e madhe të ushqimit. Shumë prej tyre thonë se tigrayanët po vdesin nga uria. Shtojnë se të korrurat po plaçkiten ose digjen nga milicët Amhara ose nga ushtria e Eritresë.

Bujku Kidu Gebregirgis thotë se për çdo ditë u mor në pyetje për etninë e tij. Çon përpjetë këmishën për të treguar vragat e armës. Rrëfen se milicët korrën 5 mijë kilogramë melekuqe nga arat e tij. Korrjen e kryen për dy javë. Nga habia e tundte kokën. Konflikti nisi pak para se të nisnin korrjet në rajonin kryesisht bujqësor. Tani po afrohet koha e mbjelljes.

“Nuk ka farë. Nuk ka asgjë për të filluar nga e para”, thotë Kidu.

Perspektiva është e tmerrshme, thotë Alex de Waal, autori i një raporti me të cilin është tërhequr vërejtja për urinë e madhe me të cilën mund të përballet Tigray.

“Frika ime është se miliona njerëz në zonat rurale po qëndrojnë nëpër shtëpi me shpresën se mund të mbjellin. Mirëpo nëse dështojnë dhe furnizimet me ushqim mbarojnë, atëherë mund të shohim një migrim të madh të tyre”, thotë de Waal.

Tigrayanët që kaluan nëpër rajonet e këtyre komuniteteve kanë parë njerëz të uritur që luteshin për ushqim para objektit të kishave. Shpesh edhe tigrayanët e bënin të njëjtën gjë.

Nëna e rraskapitur lypte para dhe shtrëngonte rrobat për të kontrolluar dhimbjet që ia përshkonin barkun shkaku i urisë. Abedom, punëtor krahu, kërkonte lëmoshë kur për muaj të tërë sorollatej nëpër male e fshatra nuk kishte gjetur asgjë.

“Është normale të mos kesh ushqim për një ditë. Por shumë njerëz janë të uritur. Plaçkitin çfarëdo që munden. Prandaj nëse i marrin të gjitha, atëherë si do të mbijetoj unë”, thotë Abedom.

Uria është në kulm. Një refugjat pa se si një burri i ra të fikët në mes të rrugës në Adi Asr. Ishte buzë vdekjes. Një tjetër pa se si bashkudhëtari ishte aq i lodhur sa ndaloi së ecuri. Ndërkaq një tjetër pa fëmijën aq të dobët që të vazhdonte rrugëtimin e shpëtimit, sa e lanë aty.

Ndasia me etni

Përsëri etnia është vendimtare. Belaynesh nga Dansha rrëfen se duhej të fliste gjuhën amharic kur të afrohej te depoja e ushqimit në perëndim të Tigrayt.

Etiopia, në presion të madh ndërkombëtar, ka bërë të ditur se ushqimi është shpërndarë për katër milionë njerëz në Tigray. Refugjatët nuk pajtohen. Thonë se ushqimi nuk është shpërndarë në komunitete dhe se është transferuar diku tjetër.

Maza Girmay, 65-vjeçare, dëgjoi për shpërndarjen e ushqimit dhe shkoi në zyrën e qeverisë për të kërkuar pak bukë.

“Më thanë: ‘Ec në shtëpi, ti je tigrayane!’”, rrëfen ajo. “Ne tigrayanët jemi etiopianë. Përse na trajtojnë si të huaj?”

Refuzimi për bukë e bëri të qante. Një kryq ortodoks në formë tatuazhi, i fshirë nga shenjat e pleqërisë, rrudhej nga pikëllimi i saj.

Në komunitetin e Divizionit fermeri Berhane Gebrewahid tregon se u qëllua nga ushtarët Amhara që kërkonin bagëtinë e tij. Pranon se ndihmat ushqimore u shpërndanë në muajin shkurt, por ato nuk u ofruan për tigrayanët, përfshirë dhe atë. Madje edhe emri i vendlindjes së tij është ndërruar në Gondarin Verior, për nder të një qyteti të madh në Amhara.

Koloneli i luftëtarëve të Tigray, Bahre Tebeje, është i shqetësuar se uria mund të mbysë më shumë njerëz sesa vetë lufta.

“Ndihmat ushqimore po shpërndahen në Amhara ose te ushtarët e Eritresë. Ushqimi nuk po shpërndahet edhe për etninë tonë”, thotë ai.

Kequshqyerja është në nivelet emergjente. Punëtorët humanitarë po kërkojnë ndihmë nga komunitetet e huaja, kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara. Në Hamdayet një numër i madh i rasteve u dërguan jashtë shtetit për trajtim. Një grua nuk ka gji për beben e saj.

Të dërrmuar dhe të uritur, tigrayanët çdo ditë kalojnë kufirin me Sudanin. Në një mbrëmje pranvere tre refugjatë u afruan në postbllok.

Në Sudan tigrayanët po regjistrohen dhe kërkohet edhe etnia e tyre. Për një herë të vetme ata janë të lirë të përgjigjen si të duan.

(Fund)