Botë

Turqia ia hedh fajin BE-së për sjelljen ndaj Ursula von der Leyenit në Ankara

Descriptive Text

Turqia të enjten ka mohuar fuqishëm akuzat se ka neglizhuar Ursula von der Leyenin për shkak të gjinisë, duke insistuar se kërkesat protokollare të BE-së janë aplikuar gjatë takimit në pallatin presidencial turk.

Presidentja e Komisionit Evropian dhe shefi i Këshillit Evropian Charles Michel u takuan me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për bisedimet rreth marrëdhënieve Turqi-BE, të martën. Mysafirët u drejtuan në një dhomë të madhe për bisedimet me Erdoganin, por ishin vetëm dy karrige aty për tre liderët.

Von der Leyen e befasuar qëndroi duke shikuar dy burrat që zunë karriget, duke lëshuar vetëm një “ehm” nga goja si zhgënjim. Më vonë, ajo u pa e ulur në njërin nga kolltukët, më larg nga palët, raporton AP.

Imazhet e publikuara ngritën kritika të shumta në rrjetet sociale dhe akuza për diskriminim gjinor.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha se Turqia është vënë nën kritika “ekstremisht të padrejta” lidhur me vizitën dhe sjelljen ndaj von der Leyenit.

“Protokolli i aplikuar gjatë takimeve është në linjë me rregullat protokollare ndërkombëtare, ashtu si edhe me traditat e mikpritjes turke”, tha ai.

Cavusoglu insistoi se zyrtarët e Turqisë dhe BE-së të ngarkuar me protokollin kanë mbajtur takime para vizitës dhe se aranzhimet ishin në linjë me kërkesat e BE-së. “Arazhimi i tillë i ulëseve u bë në përputhje me sugjerimet e palës së BE-së. Pikë”.

Ministri turk shtoi se ndjehej i obliguar që të dilte publikisht për t’ia hedhur fajin BE-së pas akuzave kundër Turqisë edhe nga “nivelet më të larta të BE-së”.