Botë

Kërkimfaljet e pavlefshme të kryengritësve të Trumpit

Fiks një ditë pasi që Chad Jonesi kishte valëvitur flamurin para syve të policisë në korridorin e Dhomës së Përfaqësuesve, i kishte thënë një shoku, duke folur për vete, se qe një idiot. E dinte fort mirë se ishte në telashe të mëdha, thuhej në dokumentet e gjykatës. Edhe kishte të drejtë. Një javë më vonë gjykata federale e akuzoi për përdorimin e shtizës në formë të armës, me të cilën kishte sulmuar një oficer policie. Në rast se shpallet fajtor, e pret dënimi deri në 60 vjet burgim

Burri nga Idaho me helmetë në kokë, i fotografuar teksa me një dorë qëndronte i varur në ballkonin e Capitolit gjatë trazirave të 6 janarit në Washington, u dorëzua gjashtë ditë më vonë. Derisa po qëndronte në automjetin që bartte të arrestuarit në drejtim të burgut Boise, Josiah Colt kërkoi falje nëpërmjet një videoje, duke u shprehur i turpëruar për sulmin ndaj Capitolit.

Jacob Chansley, i vetëshpalluri QAnon Shaman, teksa po pozonte nëpër Senat si viking me kapelën me brirë, i mungonte entuziazmi që kishte shprehur në atë ditë janari në Washington.

Një muaj më vonë, me letër nga burgu kërkoi falje. Lypte mirëkuptim teksa ishte pishman për veprimet e bëra.

Të ballafaquar me prova bindëse, video dhe fotografi, në gjykatë, dhjetëra protestues kanë kërkuar falje dhe kanë shprehur keqardhje teksa pasojat e veprimeve të tyre kanë filluar që të thellohen edhe më tej. E pasojat janë humbja e vendeve të punës, rrënimi financiar dhe një kohë bukur e gjatë prapa grilave.

“Për ata njerëz, kjo do të ketë pasoja për krejt jetën e mbetur dhe edhe duhet që të ketë pasoja”, ka thënë John Flannery, ish-prokuror federal dhe avokat në Capitol Hill.

Një pasojë tjetër e mundshme për Coltin dhe të tjerët, që janë kapur nëpër fotografitë që morën dhenë nëpër internet, është edhe poshtërim përtej jetës së tyre, sepse pamjet do të jenë pjesë e faqeve të historisë.

Gjendja e rëndë

Avokat i Dominic Pezzolas, për të cilin autoritetet pretendojnë se është anëtar i grupit ekstremist “Proud Boys” dhe që me një mburojë policore theu njërën prej dritareve të Capitolit, ka thënë se burgosja e klientit të tij e ka shpjerë familjen në gjendje të rëndë financiare.

Disa punëtorë në biznesin e instalimeve të dyshemesë, që menaxhonte Pezzola, kanë mbetur gjithashtu të papunë shkaku i burgosjes së tij, ka shkruar avokati Jonathan Zucker. Ai kërkoi lirimin e Pezzolas deri në ditën e gjykimit.

Pezzola, siç ka shkruar avokati, është pishman për veprimet që përfshijnë postimin e videos së fjalimit triumfues brenda Capitolit. Në këtë video, ai shihej tek tymoste një puro në shenjë fitoreje.

“Që prej arrestimit të tij, duke pasur kohë që të reflektonte dhe të shihte se si i kanë shkuar gjërat, tani e kupton se ishte mashtruar me besimet e rrejshme” se presidentit Donald Trumpi iu vodhën zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ka shkruar Zucker.

Colt, i devotshëm ndaj Trumpit dhe që e quajti “tradhtare” kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, pak pas arrestimit e mori vesh për pasojat afatgjate të veprimeve të tij brenda ndërtesës së Capitolit.

“Nuk e kam pasur ndërmend të bëja diçka që do ta vinte në sy të keq familjen, shtetin dhe mua”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe ishte kërcënuar me vdekje.

Kërkimfalje pafund

Pishmanllëku ka mbërthyer disa protestues më shpejt sesa të tjerët.

Fiks një ditë pasi që Chad Jonesi kishte valëvitur flamurin para syve të policisë në korridorin e Dhomës së Përfaqësuesve, i kishte thënë një shoku, duke folur për vete, se qe një idiot. E dinte fort mirë se ishte në telashe të mëdha, thuhej në dokumentet e gjykatës. Edhe kishte të drejtë. Një javë më vonë gjykata federale e akuzoi për përdorimin e shtizës në formë të armës, me të cilën kishte sulmuar një oficer policie. Në rast se shpallet fajtor, e pret dënimi deri në 60 vjet burgim.

Samuel Camargo, i cili e kishte postuar një video në Instagram ku shihej teksa rrokej me policinë për të hyrë në Capitol, një ditë më vonë u shfaq në Facebook, duke shprehur keqardhje për veprimet.

Image

“Më vjen keq për krejt njerëzit. I kam zhgënjyer me ato që nuk janë vlerat e mia”, kishte shkruar ai. Edhe Camargo është akuzuar nga shteti.

Keqardhja nuk e ndihmoi as atë. Një gjykatë urdhëroi burgosjen e Camargos deri në datën e gjyqit. Gjykata sqaroi se asnjë lirim me kusht nuk do të garantonte se ai do të merrte pjesë në seancat gjyqësore.

Teksa po zhvillohej procesi gjyqësor para gjykatësve federalë, disa pjesëmarrës të trazirave kërkuan falje para se të shkonin në gjykatë. Qe e pamundur të dallohej se cila kërkimfalje ishte e sinqertë dhe kush shtrëngonte dhëmbët për të kërkuar falje, si joshje për dënime më të lehta nga gjykata.

Prapa grilave, fill pas arrestimit të tij në mars, protestuesi riosh, Bruno Joseph Cua, i shkroi letër gjykatësit. I tha se ishte penduar dhe ishte i përulur nga përvoja.

“Kam marrë plotësisht mësim, i nderuari gjykatës”, ka shkruar 18-vjeçari Cua, thuhej në dokumentet e gjykatës.

Dy muaj më parë, Cua postoi mesazhe entuziaste nëpër rrjetet sociale, duke thënë se qe pjesë e historisë kur iu bashkua turmës në drejtim të Capitolit. Ai ka shtuar një fjali që prokurorët me shumë gjasë do ta marrin si pranim të fajit: “Po, fizikisht u përplasëm për të hyrë brenda”.

Ende nuk ka marrëveshje për fajësi, ani pse ka gjasa të jenë në proces. Duke qenë se ishte një sulm ndaj asaj që shumëkush e cilëson si kështjellë të demokracisë amerikane, vlerësimet mes prokurorëve, gjykatësve dhe publikut në përgjithësi, të paktën aktualisht, nuk janë aspak të buta.

Gjykatësi i Pezzolas mohoi kërkesën e tij për lidhje të rasteve, duke përmendur një rrezik të mundshëm për komunitetin dhe duke thënë se shprehjet e pendimit të Pezzolas tani nuk mund t’i tejkalojnë provat se “ishte i gatshëm të luante një rol të rëndësishëm në një akt të dhunës politike”.

Deri më tani, janë akuzuar më shumë se 300 kryengritës të Capitol Hill. Disa akuzohen për planifikim të kujdesshëm dhe për koordinimin e sulmit të 6 janarit. Shumica nuk akuzohen për dhunë dhe dëmtim të pronës, por tejkalim të linjave të sigurisë dhe hyrje në zona të kufizuara.

Në shumicën e rasteve, ka pak mospajtime se të akuzuarit shkelën brenda ndërtesës së Capitolit. Shumica e provave për këtë akuzë janë siguruar nga fotografitë “selfie” dhe videot e postuara në internet.

Shteti në ndjekje të tyre

Edward Jacob Lang postoi një fotografi në mesin e turmës së përkrahësve të Trumpit teksa hynin në korridorin e Capitolit, duke shtyrë policët. Të nesërmen, në koment kishte shkruar se “ky jam unë” teksa mediat shfaqnin fotografitë e kaosit. Fotoja ishte në mesin e provave në seancën gjyqësore të mbajtur më 16 janar.

Disa protestues kanë thënë se për qejf iu bashkuan turmës dhe nuk i kushtuan aq vëmendje se çfarë po bënin kryeprotestuesit. Mirëpo, ishte tepër vonë.

James Rahm në një videodeklaratë pak para se të akuzohej nga gjykata, ka thënë se që në hapin e parë që bëri pas pragut të derës së Capitolit, e kishte marrë vesh se “FBI-ja më është vënë pas”. 61-vjeçari ka thënë se u kaplua nga një “pasion i momentit”.

Psikologët kanë vëzhguar prej kohësh se si individët në turmat e tërbuara duket se humbasin ndjenjën e tyre të përgjegjësisë individuale dhe bëhen të gatshëm të përfshihen në sjellje antisociale që kurrë nuk do të mendonin vetë.

Gjykatat nuk kanë gjasa të lejojnë avokatët të përdorin psikologjinë e turmave si një mbrojtje në gjyq. Potencialisht mund të përmendet gjatë dënimit për të provuar të shpjegohet se si ata që nuk ishin në listën e zezë të policisë përfunduan duke shkelur ligjin.

Ndër personalitetet më të njohura të trazirave të Capitolit që kërkoi falje është Cahnsley, i vetëcilësuari si QAnon Shaman nga Phoenixi. Sulmoi ndërtesën me shtizë në dorë, ndërsa shprehu zhgënjimin me Trumpin që kishte mohuar kërkesën e tij për falje.

Në kërkim faljen e tij, Chansley kërkoi durim për të dhe të tjerët që morën pjesë sepse e kanë “të vështirë të bëjnë bashkë krejt atë çfarë ndodhi rreth nesh dhe na ne”.

“Ne jemi njerëz të mirë që shqetësohemi thellë për kombin tonë”, thotë Chansley.

Një muaj më vonë, gjykatësi që mohoi kërkesën e Chansleyt për lirim nga burgu, kishte pyetur nëse burri nga Arizona ishte nën magjinë e Trumpit, duke përmendur intervistën e Chansleyt për “60 Minutes +” të CBS-së. Në këtë intervistë kishte thënë se nuk ishte pishman për besnikërinë ndaj Trumpit.