Botë

Pas dy dozash të vaksinës, infermierja kineze rezulton pozitive me COVID-19

Rasti i parë lokal me koronavirus në Kinë që nga shkurti ishte një punëtore stafi në një spital e cila kishte marrë dy doza të vaksinës anti-COVID midis fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit.

Pacientja, e identifikuar nga mbiemri i saj Liu, kishte punuar në zonën e karantinës së një spitali në qytetin Xian që prej 4 marsit dhe ishte kryesisht përgjegjëse për mbledhjen e mostrave nga njerëzit që pritej të testoheshin për koronavirus, raportoi Health Times, gazeta zyrtare e Partisë Komuniste në pushtet të Kinës.

Kina kishte raportuar rastin të enjten, duke e bërë atë rastin e parë të vendit të transmetuar brenda territorit që nga 14 shkurti.

Health Times, duke cituar një grup të përbashkët ekspertësh të provincës Shaanxi, kanë thënë se Liu u infektua pasi u ekspozua aksidentalisht ndërsa ishte në zonën e karantinës së spitalit.

Zeng Guang, ish-kryedemiolog i qendrës së kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve të Kinës, ka thënë se shkalla e mbrojtjes nga vaksina nuk është "100%" dhe se është "relative, dhe jo absolute".

Kina ka zhvilluar vaksinat e veta por Zeng nuk specifikoi se cilën vaksinë kishte marrë Liu.

33 punonjës që punojnë në zonën e karantinës bashkë me Liu kishin rezultate negative të testit për COVID-19.

Lajmi nga Kina erdhi ndërsa disa vende evropiane rifilluan vaksinimin e qytetarëve me vaksinën ‘’AstraZeneca’’ pasi Rregullatori i Bashkimit Evropian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë dha dritën jeshile për përdorimin e saj.