Botë

Ëndrra e bjellorusëve për shtet normal

Gjenerata e sipërmarrësve dhe artistëve të rinj në ish-republikën sovjetike po përballet me dënime me burg vetëm pse po mbështet demonstratat paqësore për ndryshimin e regjimit diktatorial

Kasia Syramalot, 32 vjeçe, po qëndron pranë dritares në banesën e saj, duke shikuar derisa petku i dëborës po zbardhon Minskun. Ajo po pret ndonjë lajm për motrën, të burgosur tre muaj më parë. Nëntorin e kaluar, Kseniya Syramalot, studente filozofie dhe e shkencave sociale në Universitetin Shtetëror Bjellorus, u arrestua në shtëpinë e prindërve nga policia sekrete, duke u bërë vetëm një prej mijëra të të burgosurve nga Qeveria pas protestave që shpërthyen pas zgjedhjeve të kurdisura të verës së kaluar në Bjellorusi. Historia e saj është vetëm një prej dëshmive të shumta që i kanë rrëfyer familjarët e të arrestuarve për revistën amerikane, “Foreign Policy”.

“Amerikanka” e Bjellorusisë

Bashkimi Evropian vazhdon të ngulmojë se zgjedhjet presidenciale u manipuluan nga presidenti diktator, Aleksandar Lukashenko, i cili përherë e më shumë po ua shtrëngon lakun në fyt qytetarëve të revoltuar, sidomos të rinjve të shkolluar e të artikuluar që po iu prijnë demonstratave. Ata thonë se nuk po kërkojnë asgjë më shumë pos një shtet normal evropian. Lukashenko konsiderohet diktatori i fundit në Evropë, njëherësh lideri me periudhën më të gjatë në pushtet në kontinentin evropian.

Kseniya Syramalot, i mbushi 21 vjet në “Amerikanka”, qendra ndëshkimore që ishte përdorur gjatë periudhës sovjetike për ngujimin e disidentëve politikë. Megjithëse në fillim i ishte lejuar që të shkëmbente letrat me familjen, ka muaj të tërë prej se janë këputur të gjitha lidhjet. Autoritetet pretendojnë se krejt këto masa ekstreme janë marrë me qëllim që të ruhet shëndeti si pjesë e kufizimeve kundër përhapjes së koronavirusit.

“Është e vështirë të qaj”, ka deklaruar e motra Kasia nëpërmjet një lidhje me “Zoom” për revistën amerikane. “Më janë tharë lotët. Është gjendje e vazhdueshme rreziku, por jeta normale ende vazhdon – ka kafene, miq e njerëz të mirë”.

Brez i humbur, apo i shpresës?

Kasia do të vazhdojë të shpresojë se do të lirohet motra nga policia sekrete dhe se do të vazhdojnë jetën bashkë. Ajo dhe Kseniya janë pjesë e një gjenerate të bjellorusëve, të cilët përbëjnë shumicën e opozitës në Bjellorusi. Janë të rinjtë e rrëmbyer nga shpresa se vendi mund të kthehet në një shtet normal dhe demokrat, ani pse vazhdon të qeveriset me grusht të hekurt diktatorial.

Dhe në kohën kur vendi po vazhdon të përballet me ashpërsim të masave brutale, bjellorusët më kreativë po burgosen, keqtrajtohen ose detyrohen të largohen nga vendi.

Bjellorusia është një prej ish-republikave sovjetike që ka vazhduar t’i mbajë aktive njësitet speciale sekrete, duke i përdorur për qëllime të ngushta politike. Aleksandar Lukashenko e ka bërë të qartë se nuk e ka ndërmend të largohet nga pushteti pa i shterur të gjithë mekanizmat shtetërorë për hesape të veta.

Kasia është një prej anëtarëve të brezit të lindur në Bjellorusinë post-sovjetike. Me kalimin e viteve, kjo gjeneratë shpresonte se do të dominonte fryma perëndimore dhe se në vend do të kishte liri për realizimin e qëllimeve të të rinjve.

Kasia thotë se kishin shpresuar se nuk do të kishin fatin e gjeneratës së vjetër, që për të jetuar e vepruar në liri, u desh të emigronte jashtë vendit në vitet nëntëdhjetë, atëherë kur Lukashenko mori frenat e pushtetit pas rënies së Bashkimit Evropian. Kasia kishte vizituar shumë qytetet perëndimore evropiane e amerikane me punën e saj si fotografe. Megjithatë, thotë se në Bjellorusinë e sotme, gjendja vetëm sa është përkeqësuar dhe se të gjithë krijuesit jo vetëm që nuk po ndihen të lirë të krijojnë, por edhe po arrestohen e burgosen pse janë bërë pjesë e demonstratave për ndryshimin e regjimit diktatorial në vend.

“E shihni në fytyrat e njerëzve përditë se si po mundohen të fshihen”, thekson Kasia.

Megjithatë, demonstratat, sipas saj, kanë treguar se në vend ka shenja shprese. Dhe këtë revoltë paqësore të bjellorusëve e sheh si “mundësi që ofrohet njëherë në jetë”.