Gazeta e njohur britanike “The Guardian” ka publikuar një listë të kompanive për prodhimin e vaksinave dhe shumat e majme që kanë fituar me shitjen e dozave.
Ardhja e vaksinave kundër koronavirusit premton kthimin në jetën normale. Pos kësaj, këto vaksina kanë krijuar një treg botëror në vlerë miliarda dollarësh në shitje vjetore për disa prej kompanive që kanë prodhuar “shpëtimin”.
Mes fituesve më të mëdhenj do të jenë “Moderna” dhe “Pfizer” – dy kompani amerikane që kërkojnë më shumë se 30 dollarë për person që të mbrohen nga virusi me dy doza të vaksinës. Përderisa “Moderna” ishte themeluar vetëm 11 vjet më parë dhe s’kishte pasur kurrë fitim të madh, “Pfizeri” ka rrënjë nga viti 1849 dhe vitin e shkuar kishte fitim neto prej 9.6 miliardë dollarësh.
Prodhues të tjerë të njohur si “AstraZeneca” në kombinim britaniko-suedez dhe “Johnson&Johnson” në SHBA janë zotuar se vaksinat e tyre s’do të jenë për përfitime derisa pandemisë t’i vijë fundi.
Nëse tregu do të mbetet fitimprurës në të ardhmen varet nëse vaksinat do të bëhen të nevojshme përherë – sikur ato kundër fruthit – apo sikur ato për gripin. Por për të ardhmen e afërt fitimet janë të mëdha.
Vaksina e “Pfizer/BioNTech”
Vaksina e zhvilluar nga “Pfizeri” në bashkëpunim me gjermanët e “BioNTechut” është e bazuar në molekula që dërgojnë instruksione gjenetike nga ADN-ja në makinerinë e prodhuesit të proteinave mbrojtëse. Ajo ishte e para që u aprovua dhe duhet të ruhet në temperatura të ulëta –70 gradë celsius. Qeveritë kanë porositur rreth 780 milionë doza, përfshirë SHBA-në 200 milionë doza për 3.9 miliardë dollarë dhe Komisionin Evropian 300 milionë doza, ndërsa 40 milionë doza do të shpërndahen përmes programit COVAX te shtetet më të varfra. Ajo kushton 39 dollarë për dy doza në SHBA dhe rreth 30 dollarë në BE. “Pfizeri”, që shpenzimet e kostos dhe të përfitimit e ndan baras me “BioNTechun”, pret të ketë shitje rreth 15 miliardë dollarë më 2021, bazuar në marrëveshjet aktuale. Shifra totale mund të shkojë deri në dyfish, pasi “Pfizeri” thotë se potencialisht mund të shpërndajë dy miliardë doza sivjet. Analistët parashikojnë shitje deri 21.5 miliardë dollarë sivjet, 8.6 miliardë të tjera vitin e ardhshëm dhe rreth dy miliardë më 2023, në supozimin se jepet me një dozë. Në 12 muajt e fundit “Pfizeri” pati rritje të vlerës së aksioneve prej 1.8 për qind, ndërsa “BioNTech” prej 156 për qind. Dy themeluesit e “BioNTechut”, Ugur Shahin dhe Ozlem Tureci, u bënë miliarderë sivjet.
Vaksina e “Modernas”
Vaksina e prodhuar nga kompania me bazë në Massachusetts duhet të ruhet në temperaturë deri në -20 gradë celsius. BE-ja ka blerë 310 milionë doza me opsionin për 150 milionë të tjera më 2022, ndërsa SHBA-ja ka porositur 300 milionë. Japonia po ashtu ka blerë doza të kësaj vaksine. “Moderna” po i shet dy doza për 30 dollarë në Amerikë dhe 36 në Evropë. Kompania ka thënë se pret që në vitin 2021 të ketë shitje prej 18.4 miliardë dollarësh. Analistët parashikojnë shitje prej 19.6 miliardë dollarësh sivjet, 12.2 vitin e ardhshëm dhe 11.4 miliardë më 2023. Vlera e aksioneve të kësaj kompanie në 12 muajt e fundit është ngritur për 372 për qind. Një grup investitorësh që mbështetën kompaninë kur ajo u themelua më 2010 ka nxjerrë fitim të madh nga rritja e kompanisë. Shefi ekzekutiv, Stephane Bancel, një 48-vjeçar francez, që ka nëntë për qind të aksioneve të kompanisë, tani ka pasuri në vlerë prej pesë miliardë dollarësh.
Vaksina e “Johnson&Johnsonit”
Vaksina e “J&J”, që është e para që jepet me vetëm një dozë, u aprovua në Amerikë në fund të shkurtit dhe mund të ruhet në temperatura të një frigoriferi standard për të paktën tre muaj. Porosi të shumta janë bërë në SHBA, Britani të Madhe e BE, si dhe me programin COVAX që si i vetëm ka kërkuar 500 milionë doza. Kompania po synon të shesë të paktën një miliard doza sivjet, që do të gjeneronte dhjetë miliardë dollarë të hyra. Qeveria amerikane që ka porositur 100 milionë doza, me opsionin për blerjen edhe të 200 milionë dozave tjera, po paguan dhjetë dollarë për vaksinë. Vlera e aksioneve të kësaj kompanie është rritur për 7.7 për qind në 12 muajt e fundit.
Vaksina e “AstraZenecas”
Vaksina e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit përdor një virus të modifikuar dhe mund të ruhet në temperatura të frigoriferit. Porositë e mëdha janë bërë nga Britania (100 milionë doza), Bashkimi Evropian (400 milionë doza) dhe SHBA-ja (300 milionë doza). Analistët parashikojnë që kompania të ketë shitje prej 1.9 miliardë dollarësh sivjet dhe tre miliardë dollarë të tjera më 2022. Shifrat e sivjetme mund të jenë edhe më të larta nëse “AstraZenaca” arrin të përmbushë cakun prej tre milionë dozash. Kompania është zotuar se s’do të fitojë nga lufta me pandeminë dhe kërkon 4.3 dollarë deri në 10 për dy dozat e vaksinës. Vlera e kompanisë në tregun e aksioneve megjithatë ka pësuar rënie prej 8.6 për qind.
Vaksina e “Sinovacit”
“CoronaVac” që është përdorur për raste emergjente në disa qytete të Kinës që nga vera e shkuar u aprovua nga rregullatori në këtë shtet në fillim të muajit shkurt. “Sinovac”, që është me bazë në Pekin, ka arritur marrëveshje për shitje me Brazilin, Kilin, Singaporin, Malajzinë dhe Filipinet. Në janar, Turqia dhe Indonezia nisën me shpërndarjen e kësaj vaksine. Kompania planifikon të përkrahë “COVAX-in” me dhjetë milionë doza. Ajo thotë se mund të prodhojë mbi një miliard doza sivjet. Vaksina kushton rreth 60 dollarë për dy doza në Kinë. Partneri indonezian, “Bio Farma”, që ka porositur të paktën 40 milionë doza, ka thënë se do të kushtojë 27.2 dollarë për dy doza. Kompania ka pasur rënie të vlerës së aksioneve në 12 muajt e fundit, për 21.6 për qind.
Vaksina e Rusisë
Edhe pse nuk është aprovuar nga rregullatori evropian, Hungaria, Sllovakia dhe disa vende të Evropës Lindore kanë porositur vaksinën ruse “Sputnik V”. Në total, më shumë se 50 shtete, përfshirë Iranin, Algjerinë dhe Meksikën, e kanë porositur vaksinën. “AstraZeneca” është duke testuar kombinimin e vaksinës së vet me “Sputnikun”. Parashikimet për të hyrat nga kjo vaksinë janë të paqarta, por mund të priten miliarda dollarë. Zhvilluesit po kanë telashe që të prodhojnë në masë vaksinën në Rusi. Muajin e shkuar fondi sovran rus kishte thënë se ka nënshkruar kontrata me 15 prodhues në dhjetë shtete për të prodhuar 1.4 miliardë doza. Zhvilluesit kanë thënë se do të kërkojnë 20 apo më pak dollarë nëse duhen dy doza të vaksinës, por do të japin falas në Rusi.
Vaksina e “Novavaxit”
Vaksina “Novavax” përdor një fragment më të vogël të proteinës së virusit. Kompania amerikane shpreson që në pjesën e parë të vitit të miratohet në SHBA, Britani e shtete të tjera. Ajo merret me hulumtime për vaksina qe 30 vjet, por kurrë s’kishte prodhuar një të tillë më herët. Deri tash është pajtuar për shitjen e 300 milionë dozave, në Britani, BE, Kanada e Australi. Shpreson të prodhojë 150 milionë doza në muaj dhe pritet të jetë më e lirë se rivalët. Sipas “Financial Times”, kompania është pajtuar të shesë vaksinën për 3 dollarë në Afrikë. Vaksina mund të ruhet në frigorifer standard. Bazuar në të dhënat aktuale, kompania parashikon “të hyra disamiliardëshe për 12 muaj”. Kjo pritet të rritet pasi “Novavaxi” po pret të prodhojë deri dy miliardë doza sivjet, falë partneritetit me Indinë. Kompania përjetoi rritje të vlerës së aksioneve për 1 mijë e 128 për qind.
Vaksina e “CureVacut”
“CureVac” pret që të publikojë rezultatet e testimeve të vaksinës së vet në prill dhe shpreson të fitojë miratimin e BE-së deri në qershor. BE-ja ka porositur 225 milionë doza me opsionin për blerjen edhe të 180 milionë dozave të tjera. Kjo vaksinë mund të ruhet në temperaturë frigoriferi. Kompania po synon të prodhojë vaksinë me të cilën do t’i luftojë të gjitha variantet e COVID-19. Çmimi i saj ende s’dihet për të përllogaritur ndonjë fitim të mundshëm. Kompania synon të prodhojë 300 milionë doza sivjet dhe 600 milionë deri një miliard vitin e ardhshëm. Ajo përjetoi rritje të vlerës së aksioneve prej 45.5 për qind. Aksionari më i madh i saj, miliarderi gjerman, Dietmar Hopp, tani ka pasuri në vlerë prej 12 miliardë dollarësh.