Botë

Australia i kërkon Komisionit Evropian të rishikojë vendimin për bllokimin e vaksinave nga Italia

Australia i ka kërkuar Komisionit Evropian të rishikojë vendimin e Italisë për të bllokuar eksportin e 250 mijë dozave të vaksinës “AstraZeneca” në vend.

Të enjten ishte hera e parë që janë përdorur rregulla të reja që lejojnë bllokimin e eksporteve nëse ofruesi i vaksinave dështon të përmbushë detyrimet e tij ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, raporton BBC.

Vendimi ka rritur tensionet midis kompanisë “AstraZeneca” dhe vendeve të BE-së mbi çështjet e furnizimit dhe vonesat e saj.

Kryeministri australian, Scott Morrison, ndërsa ka kërkuar rishikimin e vendimit, ka thënë gjithashtu se mund të kuptonte Italinë për shkak të situatës së rëndë që po kalon me pandeminë.

Nuk ka pasur asnjë koment zyrtar mbi vendimin e Italisë nga BE-ja ose “AstraZeneca”, megjithatë thuhet se Komisioni Evropian e mbështet plotësisht këtë lëvizje.