“Kina është i vetmi vend që ka fuqinë për ta sfiduar seriozisht aftësinë e SHBA-së për ta formësuar sistemin global të rregullave, vlerave dhe marrëdhënieve”, ka thënë ai
Washington, 3 mars (AP) – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka përshkruar të mërkurën marrëdhënien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kinën si nën fokusin kryesor ndërkombëtar të administratës së presidentit Joe Biden, dhe ka thënë se vendi përbën “sprovën më të madhe gjeopolitike” të këtij shekulli.
Në një fjalim para Departamentit të Shtetit, Blinkeni ka shpalosur mënyrat se si politikat e jashtme do t’u sigurojnë beneficione punëtorëve dhe familjeve amerikane teksa ka theksuar se kjo është qasja kryesore e administratës së re. Krejt kjo në kohën kur Bideni po mëton që të sinjalizojë një shkëputje prej qasjes “Amerika e para” të ish-presidentit Donald Trump, nëpërmjet riangazhimit me aleatët dhe përqendrimit në diplomaci multilaterale, duke pranuar njëkohësisht se bota ka ndryshuar qëkur ai ka shërbyer në administratën pararendëse të Trumpit, të udhëhequr nga Barack Obama.
“Do të luftojmë për akëcilin vend pune të amerikanëve dhe për të drejtat e tyre, në mbrojtjen dhe në interesin e secilit punëtor amerikan”, ka thënë Blinkeni.
Kina ishte vendi i vetëm, të cilin Blinkeni e përmendi si një prej tetë prioriteteve, mes të cilave përfshihet puna në shmangien e një tjetër pandemie, luftimi i ndryshimeve klimatike dhe promovimi i demokracisë gjetkë.
“Kina është i vetmi vend që ka fuqinë për ta sfiduar seriozisht aftësinë e SHBA-së për ta formësuar sistemin global të rregullave, vlerave dhe marrëdhënieve”, ka thënë ai.
Dy fuqitë më të mëdha botërore janë përfshirë në përplasje të theksueshme lidhur me ndikimin në rajonin indo-paqësor, praktikat ekonomike të Pekinit, Hong-Kongut, Tajvanit dhe të drejtat e njeriut në rajonin kinez, Xinjiang.
Bideni më herët e kishte quajtur Pekinin “konkurrentin më serioz” të SHBA-së dhe administrata e tij kishte lënë të kuptohet se do ta vazhdojë qasjen e ashpër ndaj Kinës, të zbatuar edhe nga Trumpi.
“Angazhimi me Kinën nga pozicioni i të fortit, siç administrata synon të bëjë, e kërkon ngritjen për vlerat tona, kur të drejtat e njeriut shkelen në Xinjiang apo kur demokracia cungohet në Hong-Kong, për shkak se nëse nuk ngrihemi, Kina do të veprojë edhe më tutje pa u ndëshkuar”, ka thënë Blinken.
Sekretari amerikan ka bërë të ditur gjithashtu se pajtohet me vlerësimin e pararendësit të tij, Mike Pompeo, se gjenocidi kundër myslimanëve është duke vazhduar në Xinjiang, por nuk e ka përdorur këtë term gjatë fjalimit të tij. Aktivistët dhe ekspertët e OKB-së kanë bërë të ditur se mbi 1 milion ujgurë myslimanë janë duke u mbajtur të mbyllur në kampe kineze. Kina i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka pretenduar se kampet ofrojnë trajnime dhe se janë të domosdoshme për luftimin e ekstremizmit.