Botë

Kërcënimi i ri i Trumpit për demokracinë amerikane

“Donald Trump nuk ndien keqardhje për dhunën vdekjeprurëse që ka nxitur me gënjeshtrat e tij rreth vjedhjes së zgjedhjeve, me rastin e kryengritjes kundër Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Kjo gjë u bë më së miri e qartë, sipas një analize të agjencisë CNN, në kohën kur ish-presidenti e njoftoi Partinë Republikane, të dielën, se synon që të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Në deklarimin e parë publik që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, ai i qortoi përfaqësuesit e Gjykatës Supreme për dështimin e tyre në intervenimin për t’ia rikthyer zgjedhjet e humbura kundruall presidentit aktual Joe Biden.

“Duhet të turpërohen nga vetja për atë që i kanë bërë vendit tonë... Gjykata Supreme nuk i pati guximin dhe kurajën që të bëjë ndonjë gjë lidhur me këtë”, ka thënë Trump në një fjalim autoritar para Konferencës së Veprimit Konservator Politik në Orlando të Floridas, duke iu referuar pretendimeve të rreme për mashtrime adresuar gjykatësve të shumtë.

Hera e fundit që Trumpi e përdori këtë lloj gjuhe në publik sikurse të dielën ishte kur Kongresi po e certifikonte fitoren zgjedhore të Bidenit dhe turma e mbështetësve të tij iu vërsul Capitolit, duke bërë thirrje për ekzekutimin e asokohe nënpresidentit, Mike Pence, i cili kishte refuzuar që ta shkelte ligjin për ta mbajtur Trumpin në pushtet, ka shkruar CNN.

Komentet e tij të fundit, sipas agjencisë amerikane, sugjerojnë se beteja për mbrojtjen e institucioneve demokratike amerikane dhe zgjedhjet nuk ka marrë fund me largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë.

“Kjo tregon se do të jetë fjala kyç në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, ka shkruar CNN.

Fjalim ndezës

Teksa republikanët lokalë dhe ata shtetërorë po bëjnë përpjekje për ta ngushtuar qasjen në votime, Trumpi, i cili ishte munduar që t’i shtrëngonte zyrtarët në Georgia për “t’i gjetur” vota të mjaftueshme, i ka bërë thirrje partisë që t’i shpallë të paligjshme votat me postë dhe votimet e parakohshme.

“Republikanët duhet të bëjnë diçka lidhur me këtë. Më mirë të bëjnë diçka”, ka thënë ai, raporton CNN.

“Paralajmërimi i ish-presidentit mund të jetë shumë dëmtues, shkaku se faktikisht është duke u ofruar mbështetje kandidatëve republikanë për zgjedhjet e mesmandatit më 2022 në këmbim të përkrahjes së tyre për pretendimet e tija të rreme për zgjedhje të manipuluara më 2020. Dhe në aspektin më afatshkurtër, ai po mbjell edhe më shumë dyshim për largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë mes votuesve konservatorë, derisa po ofron motivacion potencialisht më të madh për grupet ekstremiste që e mbështesin”, ka shkruar agjencia.

Në mënyrë të këtillë, ndikimi i Trumpit mund ta dëmtojë besimin në zgjedhjet e drejta amerikane, të cilat janë pishtari i demokracisë për muajt apo vitet në vijim.

Në një veprim edhe më ndezës, Trumpi gjithashtu ka përmendur me emra ligjvënësit republikanë, të cilët kanë votuar për fajësimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat për sulmin e tij ndaj Kushtetutës. Në këtë mes ai ka përfshirë përfaqësuesen Liz Cheney nga Wyomingu dhe Adam Kinzingerin e Illinoisit, bashkë me senatorët Ben Sasse nga Nebraska dhe Mitt Romney nga Utah. Përmendja e tyre, sipas CNN-it, e demonstron synimin e tij për hakmarrje në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit. Dhe për më tepër, kjo gjë mund edhe t’i nënshtrojë ata ndaj ngacmimeve teksa udhëtojnë përreth vendit.

Fjalimi i Trumpit, të cilin CNN-i e cilësoi si synim të qartë për radikalizimin e mëtutjeshëm të pasuesve të tij që janë shprehur të vullnetshëm për ta përqafuar dhunën, ishte transmetuar drejtpërsëdrejti në “Fox News” dhe në mediat e tjera konservatorë. Për më tepër, ai u brohorit më së shumti nga pjesëmarrësit e pranishëm kur e përsëriti gënjeshtrën se ka fituar në nëntor, dhe pastaj iu kthye sërish pretendimeve të shumta të paqena mbi mashtrimet zgjedhore.

“Mund madje të vendosë që t’i mposhtë për një herë të tretë”, ka thënë ish-presidenti për një mandat. Për disa herë radhazi ai ka nënkuptuar para turmës se mund të përfundojë prapë në Zyrën Ovale.

“Me ndihmën tuaj do të kthehemi përsëri në Shtëpinë e Bardhë. Do ta fitojmë Senatin. Dhe më pas, një president republikan do ta bëjë kthimin triumfal në Shtëpi. Dhe pyetem se cili do të jetë ai?”, ka thënë Trump.

Akuza Bidenit

Gjatë fjalimit, Trumpi ka akuzuar gjithashtu pasuesin e tij, Joe Biden, për fillimin më të keq të detyrës në histori, ndonëse shkalla e mbështetjes për demokratin është në nivelin që ai kurrë nuk e ka mbërritur.

“Brenda vetëm një muaji të shkurtër ne kemi kaluar nga Amerika e para në Amerika e fundit”, ka thënë Trumpi. Mirëpo komentet e tija plot zemërim ndaj imigracionit, të cilat veçse e pasqyruan retorikën e tij të hershme nga fushata e vitit 2016, kanë përfaqësuar po atë gjuhë nativiste që kishte armiqësuar shumë votues periferikë dhe mund t’ia ketë ndihmuar atij humbjen e presidencës, ndërsa republikanëve Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin.

Pavarësisht kësaj, një sondazh i realizuar pas fjalimit të Trumpit në Florida ka treguar se mbi 55 për qind e republikanëve do të votonin për të në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, duke e reflektuar ndikimin e vazhdueshëm të Trumpit në Partinë Republikane.

Në këtë aspekt, ish-presidenti ka bërë të ditur se nuk synon që ta formojë një parti të re, duke pretenduar se kjo gjë do ta dëmtonte partinë.

Përkitazi me deklarimet e tija ndezëse, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se administrata nuk u kushtoi vëmendje të madhe deklaratave të Trumpit.

Ndërkaq, sinjali për rikthimin e Trumpit në skenën politike është dhënë pak kohë pasi që ish-presidenti është fajësuar nga Dhoma e Përfaqësuesve për nxitjen e kryengritjes në ndërtesën e Kongresit më 6 janar, por më pas është shfajësuar nga Senati. Megjithëkëtë, Trumpi vazhdon të gëzojë popullaritet të madh mes mbështetësve republikanë, ani pse roli i tij i ardhshëm në parti është i diskutueshëm.