Botë

Sarkozy i dënuar për korrupsion mund t’i shpëtojë burgimit

Udhëheqësi 66-vjeçar i Francës nga vitet 2007-2012 mund të mos e kalojë as edhe një ditë në burg. Dy vjetët e dënimit të tij janë caktuar me kusht, ndërsa kryegjykatësja e rastit ka bërë të ditur se do të pranojë që atij t’i vendoset një byzylyk elektronit jashtë burgut, gjatë viteve të mbetura të burgimit

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, është shpallur fajtor të hënën për korrupsion dhe është dënuar me tre vjet burgim, në një goditje të fortë ligjore dhënë një burri që ka udhëhequr vendin dhe ka pushtuar skenën botërore për pesë vjet radhazi.

Prokurorët financiarë kanë bindur një gjykatë në Paris se pasi Sarkozy u largua nga detyra, ai është munduar që t’i japë ryshfet një gjykatësi dhe të ushtrojë ndikim në këmbim të informatave konfidenciale lidhur me hetimet rreth financave të fushatës së tij presidenciale më 2007.

Sidoqoftë, 66-vjeçari Sarkozy, i cili ka hedhur poshtë akuzat, mund të mos e kalojë as edhe një ditë në burgim. Dy vjetët e dënimit të tij janë caktuar me kusht, ndërsa kryegjykatësja e rastit ka bërë të ditur se do të pranojë që atij t’i vendoset një byzylyk elektronit jashtë burgut, gjatë viteve të mbetura të burgimit.

“Ai ka përfituar nga statusi i tij dhe marrëdhëniet që ka krijuar”, ka thënë gjykatësja kryesuese, Christine Mee, gjatë gjykimit.

Sarkozy, i cili ka shërbyer si president nga viti 2007 deri më 2012, është shefi i dytë i shtetit në historinë moderne të Francës që dënohet për korrupsion. I pensionuar nga politika, por ende me ndikim të madh në mesin e konservatorëve, Sarkozy tani ka dhjetë ditë kohë për t’u ankuar rreth dënimit. Ai u largua nga gjykatorja pa folur para kamerave.

Prokurorët kanë thënë se Sarkozy i kishte ofruar një vend të sigurt dhe prestigjioz pune në Monako gjykatësit, Gilbert Azibert, në këmbim të informatave të brendshme nga një hetim rreth pretendimeve se ai kishte pranuar pagesa të paligjshme nga trashëgimtarja e gjigantit të produkteve kozmetike “L’Oreal”, Liliane Bettencourt, për fushatën e tij presidenciale të 2007-s.

Duke iu kundërpërgjigjur akuzës, Sarkozy ka thënë se është viktimë e një “gjahu shtrigash” të prokurorëve federalë, të cilët kanë përdorur mjete të tepruara për t’i gjurmuar aferat e tij.

Sarkozy ishte ngjitur në skenën botërore si një reformator përplot ide, i cili fliste hapur për të shkuarën e stagnuar të Francës në frontin e brendshëm dhe i cili i ringjalli të dhënat e të drejtave të njeriut në vendin e tij.

Jashtë Francës, ai e kishte ndërmjetësuar armëpushimin në luftën Rusi-Gjeorgji më 2008, i kishte prirë intervenimit ushtarak në Libi dhe ishte bërë nikoqir i samiteve të profilit të lartë të G8-s dhe G20-s.

I vetmi president tjetër i Francës që ishte dënuar nga një gjykatë qe pararendësi i Sarkozys, Jacques Chiracu i ndjerë, i cili ishte shpallur fajtor për korrupsion më 2011.

Hetuesit i kishin përgjuar bisedat telefonike midis Sarkozys dhe avokatit të tij, Thierry Herzog, nga viti 2013, teksa po i hulumtonin pretendimet mbi financimet libaneze të fushatës së tij më 2007.

Gjatë përgjimeve ata mësuan se Sarkozy dhe avokati i tij kishin komunikuar mes vete nëpërmjet telefonave celularë të regjistruar me emra të rremë. Telefoni i Sarkozys ishte regjistruar nën emrin Paul Bismuth. Herzog dhe Azibert, të cilët qëndronin përskaj Sarkozys në gjykim, janë shpallur gjithashtu fajtorë për korrupsion dhe ushtrim ndikimi.

“Një sjelle të tillë vetëm sa mund ta rrezikojë besimin legjitim që publiku duhet ta ketë në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Mee.

Një gjykatës tjetër pritet që të vendosë nëse t’ia lejojë Sarkozysë bartjen e byzylykut, në vend të vuajtjes së dënimit me burgim.

Sarkozy dhe partia e tij e qendrës së djathtë “Les Republicains” kanë insistuar për vite me radhë se hetimet kundër ish-presidentit janë politikisht të motivuara. Më vonë gjatë marsit, Sarkozy pritet që të përballet në gjyq edhe me akuzat për shkeljen e rregullave të financimit të fushatës, gjatë përpjekjes së tij për rizgjedhje në vitin 2012.

Prokurorët janë ende duke i hetuar pretendimet se ish-lideri libian, Muammar Gaddafi, i ka siguruar fushatës së 2007-s të Sarkozys me miliona euro para, të sjella me anije në Paris dhe të vendosura nëpër valixhe, akuza këto që janë mohuar nga vetë Sarkozy. \ AP