Botë

“Zgjohem e bërtas”: Terrorizmi torturues i burgut sekret taleban

Gjasat e tërheqjes amerikane nga Afganistani, të ngërthyera me petkun e një force të dobët afgane të sigurisë, nënkuptojnë se talebanët do të mund të vazhdojnë kapjen, dënimin dhe torturimin e mijëra personave

Faizabad, Afganistan, 1 mars – Burgu taleban është një shtëpi e rrënuar, një shpellë, bodrum i pistë në një strehim të braktisur apo një xhami fshati. Rrahjet apo edhe më të këqijat aty janë punë e kryer dhe dënimi i papërcaktuar. Ushqimi, nëse fare ka, është një copëz bukë bajat dhe groshë e ftohtë. Shtrati dyshemeja apo qilimi i fëlliqur.

Kërcënimi me vdekje është kudo i pranishëm.

Duke folur për të përditshmen amerikane “New York Times”, Malik Mohammadi, një bujk i qetë 60-vjeçar, tregon se si ka shikuar i pafuqishëm teksa talebanët kanë dënuar me vdekje të birin e tij 32-vjeçar, Nasrullah, oficer ushtrie, në një burg të këtillë. Gjatë nëntë ditëve të fundit, Nasrullahu, ndryshe epileptik, kishte refuzuar ilaçet nga kapësit e tij. E atij i ishte refuzuar ushqimi. Babai e kishte parë se si gjaku i dilte nga goja dhe si mavijosjet ia kishin mbuluar trupin. Në ditën e dhjetë, ai vdiq.

“Talebanët e rrahën”, thotë Mohammadi qetas për “NYT”. “E kam shikuar vrasjen e tim biri”.

Image

Traumat e torturës

Represioni i tillë është pjesë e strategjisë së kontrollit të talebanëve në territoret nën qeverisjen e tyre. Derisa Qeveria afgane dhe negociatorët talebanë në Katar flasin rrëmbyeshëm për takimet e ardhshme negociuese, teksa ideja për paqe po venitet, realiteti është se kryengritësit veçse e mbajnë në duart e tyre pjesën më të madhe të vendit. Tërheqja në afrim e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e shoqëruar nga një forcë e dobët afgane as përafërsisht e aftë që ta mbrojë vetveten, nënkuptojnë se grupi do ta ruajë këtë autoritet dhe mënyrat e tij brutale të nxitjes së nënshtrimit.

Njëra prej mënyrave të talebanëve për ta bërë këtë është nëpërmjet rrjetit të çlirët të burgjeve, ndryshe vende të keqtrajtimit dhe vuajtjeve, ku kryengritësit ua zbatojnë dënimet më të serta bashkëkombësve afganë, duke i ndaluar që në rrugë. Kryesisht, ata janë në kërkim të ushtarëve dhe punëtorëve qeveritarë. Qeveria gjithashtu është akuzuar për keqtrajtimin e të burgosurve, teksa një zbulim i paradokohshëm nga Kombet e Bashkuara ka treguar se pothuajse një e treta e të ushtarëve të burgosur afganë janë torturuar.

Në rastin e talebanëve, të burgosurit mbyllen në burgje sekrete të improvizuara, një univers ky i izolimit, ku të mbyllurit barten, dita-ditës, prej një shtëpie të rrënuar në një xhami të izoluar, dhe sërish anasjelltas, pa sinjalin as më të vogël se sa mund të zgjasë burgimi, ka shkruar “NYT” në rrëfimin e saj. Qasja, sipas gazetës, nuk është asgjë tjetër përpos diskriminuese.

“Më kthehet vazhdimisht në ëndrra”, ka thënë Sayed Haitullah (42), një dyqanxhi nga Faizabadi. Vitin e shkuar Haitullahu ishte akuzuar rrejshëm në një postbllok taleban se punonte për sigurimin shtetëror. I ishte shqiptuar dënimi me 25 ditë burgim.

“Zgjohem e bërtas”, ka thënë ai për gazetën amerikane. “Ishte kjo periudha më e errët, më e hidhur e jetës sime. Isha në gjendje shoku për gjashtë muaj”, ka shtuar Haitullah.

“I mbaj mend ato ditë 100 për qind, secilën sekondë, secilën minutë”, ka thënë Atiqullah Hassanzada, një ish-ushtar 31-vjeçar që ishte kapur vitin e shkuar, rrugës drejt një spitali ushtarak në Kabul. “Më kanë rrahur në pjesët e prapme të kofshëve dhe në shpatulla”, ka treguar ai për “New York Times”.

Në qytetin Faizabad, teknika e talebanëve funksionon ndryshe prej normave ligjore. Ata burgosin dhe ndëshkojnë së pari, mandej marrin në pyetje. Aty që nuk ka gjykatës apo gjykatë. Fshatarët detyrohen të ofrojnë ushqim. E derisa me mijëra afganë janë burgosur kësisoj, statistika mbi numrin e saktë të tyre nuk ka. Forcat speciale afgane kanë bërë të ditur se kanë liruar së fundi më shumë se 40 të burgosur nga burgu taleban në krahinën Baghlan.

Veç të hënën e shkuar, 23 të tjerë janë liruar në krahinën Kunduz, pasi të jenë “torturuar rëndë” nga talebanët, ka bërë të ditur Ministria afgane e Mbrojtjes.

Ndikimi i këtyre burgimeve arbitrare përkon me terrorin.

“I lusja, qaja, që të më lironin”, ka thënë Haitullah. “Do të më rrihnin edhe më fort”.

“Talebanët e ndaluan veturën dhe më arrestuan”, ka treguar Naqibullah Momand, duke e përshkruar ngjarjen në afërsi të shtëpisë së tij në krahinën Kunduz, vitin e shkuar. “Vendosën duart mbi zemrën time për të m’i dëgjuar të rrahurat”, ka thënë prezantuesi televiziv 26-vjeçar.

Për talebanët, të rrahurat e përshpejtuara nënkuptonin fajësi; Momandi kishte bërë çmos për ta ruajtur qetësinë, por në fund do t’i kalonte 29 ditë i mbyllur në një shtëpi dydhomëshe bashkë me 20 të tjerë, duke fjetur mbi një qilim të pistë në dysheme, me një poç të vetëm që ndriçonte gjithë natën, para se kapësit e tij të konstatonin se nuk ishte pjesëtar i ushtrisë afgane.

Image

“Armik i njerëzimit”

Kapja është vetëm fillimi i torturës. Komandantët lokalë, rëndom shumë të rinj, kanë kontroll të pamohueshëm mbi të burgosurit e tyre.

“Sjellja e anëtarëve talebanë të nivelit të ulët është tepër e keqe”, ka treguar Fazul-Ahmad Aamaj, një i moshuar. Ndihmën e Aamajit e kërkojnë të afërmit e personave të kapur. Kjo pasi që ai e kishte siguruar lirimin e dhjetëra të kapurve të grupit, nëpërmjet negociatave me bashkëfamiljarë, kryepleqtë e fisit dhe me anë të parasë.

Rahmatullah Danishjo, student i kapur në Kabul në shtatorin e 2019-s, ishte transferuar në një xhami të fshatit. Sikurse në rastin e të burgosurve të tjerë, vendi i shenjtë nuk qe dëshmuar të ishte shpëtim për të.

Sipas talebanëve, krimet e per0ceptuara si politike – të punuarit për qeverinë afgane apo të luftuarit për të – përkojnë me një univers ligjor krejtësisht të ndryshëm. Aty nuk ka gjyqe për krime të tilla. Komandantët lokalë talebanë kanë autoritetin absolut “për arrestimin e kujtdo që e cilësojnë si të dyshimtë”, ka bërë të ditur një raport i “Human Rights Watch”.

Mohammed Aman, inxhinier qeveritar 31-vjeçar, ka thënë të ishte tërhequr zvarrë në autostradën midis Ghaznit dhe Kabulit një pasditeje të nëntorit të shkuar, i ishin lidhur duar dhe ishte dërguar në xhami.

“Aty ishin edhe 10 apo 11 të tjerë, të lidhur me zinxhirë, përbrenda xhamisë”, ka thënë ai për “New York Times”. “Po luteshim herët në mëngjes. Ata erdhën dhe na rrahën”, ka shtuar Danishjo. “Na rrahën me shkopinj për mbase pesë minuta. Na godisnin në shpinë dhe duar”.

“Njëri prej talebanëve na rrahu me kamxhik në oborrin e xhamisë”, ka treguar Abdel Qadir Sharifi (25), i cili ishte kapur kur u sulmua baza e tij ushtarake. “Mendova se do të më vrisnin”.

Vdekja aty është një kërcënim përherë i pranishëm, nganjëherë e shkaktuar por më shpesh e përdorur si një kartë e frikshme për t’i përfituar ato që talebanët duan: paratë, shkëmbimin e të burgosurve apo zotimin e siguruar me dhembje të shumta për braktisjen e shërbimeve qeveritare. Vdekja e qëllimshme, rëndom e ngadaltë, e të kapurve gjithashtu ndodh.

I thirrur nga pleqtë e fshatit për ta negociuar lirimin e të birit të tij në këmbim të të burgosurve talebanë, Mohammadi ishte në gjendje që ta shihte të birin e tij tri herë gjatë burgosjes së shkurtër të Nasrullahut.

“Mundoheshin ta ngrinin në këmbë. Por ai vazhdimisht bindte”, kujtoi Mohammadi për “NYT”.

Të nesërmen talebanët e zhvendosën Nasrullahun në shtëpinë e rrënuar. Në ditën e nëntë aty, ai e humbi vetëdijen. Ishte i fëlliqur, i mbuluar në urinë dhe jashtëqitje.

Kapësit e tij e lejuan Mohammadin që ta lante me ujë të ftohte. Por ishte tepër vonë.

“Po vdiste”, ka thënë babai i tij. “Të fundit herë që e pashë ishte në oborrin e shtëpisë së rrënuar”.

Pas vdekjes së të birit, talebanët nisin që ta torturonin atë. “Pse nuk qan?”, e pyetën. “U thashë: Nuk dua të qaj para drunjve dhe gurëve”, ka thënë Mohammadi, duke e treguar rrëfimin për gazetën amerikane. “Qaja i vetëm”, ka thënë ai.

I biri i tij tjetër, Rohullah Hamid, avokat 35-vjeçar në Kabul, i cili mori pjesë në përpjekjen e dështuar për lirimin e vëllait të tij, ka thënë: “Përditë me dhjetëra afganë vdesin për shkak të talebanëve. Talebanët janë armik i njerëzimit”.