Botë

Akuza e dytë ndaj guvernatorit të New Yorkut për ngacmim seksual

Guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo, është akuzuar për herë të dytë për ngacmim seksual, raporton The Independent.

Charlotte Bennett, e cila shërbeu si këshilltare e politikave shëndetësore të Cuomos deri në nëntor, pretendoi në një intervistë me New York Times se guvernatori i kishte bërë asaj pyetje të papërshtatshme në lidhje me jetën e saj seksuale, përfshirë nëse ajo kishte pasur ndonjëherë marrëdhënie seksuale me një burrë të moshuar.

Bennett, e cila është 25 vjeçare, gjithashtu pretendoi se ajo informoi shefin e stafit të Cuomos, Jill DesRosiers, për ngacmimet me të cilat u përball dhe më pas u transferua në një rol tjetër më pak se një javë më vonë.

Ajo tha se kishte vendosur të mos ndiqte një hetim zyrtar në atë kohë sepse "dëshironte të lëvizte" nga situata e vështirë.

Cuomo, që vjen nga radhët e Demokratëve, i ka mohuar këto akuza.

Akuzat e reja vijnë pas pretendimeve të Lindsey Boylan, zëvendës-sekretarja për Zhvillimin Ekonomik dhe këshilltarja e veçantë e guvernatorit, e cila e akuzoi Cumon për ngacmim seksual më herët.