Botë

Marrja e një doze të vaksinës së Pfizerit mbron nga riinfektimi

Tri studime të reja britanike tregojnë se vaksina kundër COVID-19 e kompanive Pfizer-BioNTech, e cila merret me dy doza, zvogëlon transmetimin e virusit pas marrjes së një doze, veçanërisht te personat që kishin rezultuar më parë pozitivë.

Një studim i kryer nga Spitali Universitar i Kembrixhit në Britani dhe i botuar të premten sugjeron që një dozë e vetme e kësaj vaksine mund të zvogëlojë me katër herë numrin e infeksioneve asimptomatike me COVID-19.

Eksperti kryesor në studim, specialisti i sëmundjeve infektive në Spitalin Universitar të Kembrixh, Dr. Mike Weekes, e cilësoi këtë “një lajm të mrekullueshëm”, shkruajnë mediat e huaja.

Edhe dy studime të tjera, të botuara të enjten në revistën mjekësore britanike The Lancet, tregojnë se një dozë e vetme e vaksinës Pfizer/BioNTech është e mjaftueshme për të mbrojtur nga infektimi sërish njerëzit që kanë kaluar COVID-19.