Raporti i SHBA-së: Princi saudit e autorizoi vrasjen e Khashoggit

Washington, 26 shkurt (AP) – Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, ka miratuar operacionin për kapjen apo vrasjen e gazetarit disident, Jamal Khashoggi, i cili ishte vrarë më 2018, ka treguar të premten raporti i porsadeklasifikuar i Inteligjencës amerikane, që mund t’i dëmtojë theksueshëm marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite.
“Vlerësojmë se princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka miratuar operacionin në Stamboll për kapjen apo vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi”, ka bërë të ditur Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në SHBA, në raportin e publikuar në uebfaqen e saj
Washington, 26 shkurt (AP) – Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, ka miratuar operacionin për kapjen apo vrasjen e gazetarit disident, Jamal Khashoggi, i cili ishte vrarë më 2018, ka treguar të premten raporti i porsadeklasifikuar i Inteligjencës amerikane, që mund t’i dëmtojë theksueshëm marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite.
Khashoggi, shtetas amerikan që kishte shkruar opinione kritike në “The Washington Post” për politikat e princit të kurorës, ishte vrarë dhe kufoma e tij ishte gjymtuar nga një ekip i vrasësve të lidhur me princin në konsullatën e kësaj mbretërie në Stamboll të Turqisë.
Riadi zyrtar kishte mohuar çdo lloj përfshirjeje në këtë rast të princit dhe de facto sunduesit të Arabisë Saudite.
“Vlerësojmë se princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka miratuar operacionin në Stamboll për kapjen apo vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi”, ka bërë të ditur Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në SHBA, në raportin e publikuar në uebfaqen e saj. “E bazojmë këtë vlerësim në kontrollin që princi ka mbi vendimmarrjen në Mbretëri, në përfshirjen e drejtpërdrejtë të një këshilltari kyç dhe mbi hollësitë rreth anëtarëve Salmanit, si dhe mbi mbështetjen e princit të kurorës për përdorimin e masave të dhunshme në heshtjen e disidencës jashtë, përfshirë atë të Khashoggit”, thuhet në raport.
Në dokumentin e deklasifikuar, presidenti amerikan, Joe Biden, ka zmbrapsur vendimin e pararendësit të tij, Donald Trump, për të mos e publikuar atë në kundërshtim me një ligj të 2019-s, duke e reflektuar kësisoj gatishmërinë e re të SHBA-së për ta sfiduar mbretërinë në çështjet që nisin prej të drejtave të njeriut e deri te lufta në Jemen.
Sidoqoftë, Bideni është duke bërë gjithashtu përpjekje për t’i ruajtur marrëdhëniet me Mbretërinë, në kohën kur është duke u munduar që ta ringjallë marrëveshjen bërthamore të 2015-s me rivalin e saj rajonal, Iranin, dhe në adresimin e sfidave të tjera, përfshirë luftimin e ekstremizmit islamik dhe avancimin e marrëdhënieve arabo-izraelite.
Washingtoni i parapriu publikimit me iniciativën e zbutjes së goditjes, me ç’rast Bideni zhvilloi të enjten një bisedë me babanë 85-vjeçar të princit të kurorës, mbretin Salman, nëpërmjet një telefonate, në të cilën të dyja palët janë zotuar për riafrimimin e aleancës së tyre disadekadëshe dhe me premtimin për bashkëpunim.
Të dhënat e deklasifikuara të Inteligjencës i japin jehonë versionit të klasifikuar të një raporti mbi vrasjen e Khashoggit, të cilin Trump e kishte ndarë me anëtarët e Kongresit në fund të 2018-s. Refuzimi i kërkesave të ligjvënësve dhe grupeve të të drejtave të njeriut për deklasifikimin e raportit në atë kohë prej anës së Trumpit e reflekton dëshirën e tij për ta ruajtur bashkëpunimin me Riadin, në kohën e tensionimeve në ngritje me Iranin, si dhe për promovimin e shitjes së armëve amerikane për mbretërinë.
Drejtoresha e Bidenit për Inteligjencë Kombëtare, Avril Haines, i është përmbajtur ligjit të 2019-s që i kërkonte zyrës së saj ta publikonte brenda 30 ditësh një raport të deklasifikuar mbi vrasjen e Khashoggit.
59-vjeçari Khashogii ishte gazetar saudit që jetonte në ekzil në Virginia të SHBA-së dhe shkruante artikuj kritik mbi politikat e princit, që për disa në Perëndim njihen si MBS.
Ai ishte joshur më 2 tetor 2018 që të shkonte në Konsullatën saudite në Stamboll, me premtimin që t’i sigurohej një dokument i nevojshëm për martesë me të fejuarën e tij turke. Një ekip i operuesve, i afërt me princin, e vrau atë në Konsullatë dhe më pas ia gjymtoi kufomën. Mbetjet e tija mortore nuk janë gjetur asnjëherë.
Riadi fillimisht ka ofruar versione përplasëse lidhur me zhdukjen e tij, por në fund pranoi se Khashoggi ishte vrarë në atë që e quajti një operacion ekstradimi, i cili ka marrë kah të gabuar.
21 persona janë arrestuar për vrasje, ndërsa pesë zyrtarë të lartë, përfshirë zëvendësshefin e Inteligjencës Ahmad Asiri, dhe ndihmësin e lartë të princit, Saud al-Qahtani, janë shkarkuar.
Në janar të 2019-s, 11 persona janë gjykuar në një proces të zhvilluar prapa dyerve të mbyllura. Pesë prej tyre janë dënuar me vdekje, dënime këto që u janë zbutur në 20 vjet burgim pas faljes nga familja Khashoggi, ndërsa tre të tjerë janë dënuar me burgime.
Asiri ishte gjykuar, por më pas ishte shfajësuar “si rrjedhojë e dëshmive të pamjaftueshme”, ndërkaq Qahtani është vënë nën hetime, por nuk ishte ngarkuar.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.