Botë

Gjysmë milioni jetë të humbura: Pesha e pandemisë që rëndon mbi SHBA-në

Saktësisht një vit pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, SHBA-ja ka prekur shifrën historike të vdekjeve nga COVID-19, gjithsej 500.000. Marshimi i palodhur i vdekjeve dhe tragjedive ka ngërthyer kohën dhe kujtesën. I ka bërë të paharrueshme pamjet shokuese që shfaqeshin dita-ditës të sekuencave që fillimishit ishin të paimagjinueshme në një vend të pasur e të pushtetshëm sa SHBA-ja

Vetëm një vit më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës as që e kishin idenë se si do të rridhnin gjërat. Jeta në shkurtin e 2020-s ende i ngjante normales. Ishin shfaqur shqetësimet rreth një sëmundjeje të mistershme respiratore, që veçse ishte emëruar COVID-19. Kishte filluar paniku, por pjesa dërrmuese e amerikanëve ishin optimistë. Koronavirusi dukej ende si një problem i huaj, madje edhe kur u bë e ditur se një person kishte vdekur nga ky virus në Amerikë.

Tani, saktësisht një vit më pas kësaj, SHBA-ja ka prekur shifrën historike të vdekjeve nga COVID-19, gjithsej 500.000.

Marshimi i palodhur i vdekjeve dhe tragjedive ka ngërthyer kohën dhe kujtesën. I ka bërë të paharrueshme pamjet shokuese që shfaqeshin dita-ditës të sekuencave që fillimishit ishin të paimagjinueshme në një vend të pasur e të pushtetshëm sa SHBA-ja.

Fotografët e “Associated Press” kanë krijuar një kolazh pamjesh të vuajtjeve, ndjenjave dhe ringjalljes, nëpërmjet të cilave shpaloset viti që e ka ndryshuar Amerikën.

Anashkalimi fatal

Një vit më herët, kriza dukej e largët. Në shkurtin e kaluar, amerikanët e përshëndetnin ende njëri-tjetrin me shtrëngim duarsh dhe shkonin në punë me transport publik të stërmbushur. Edhe fëmijët shkonin në shkollë. Por asokohe një anije lundrimi me udhëtarë të infektuar zbarkoi në bregun e Kalifornisë. Brenda javësh “Princesha e Madhe” u shndërrua në simbol të paaftësisë së Amerikës për ta parandaluar sëmundjen.

Fjalët si izolimi dhe distanca fizike ende nuk ishin pjesë e fjalorit të vendit. Shumë njerëz bartnin maska përderisa prisnin në radhë të gjata nëpër dyqane me letra tualeti në duar.

Mërzia dhe shkatërrimi arritën shpejt.

Skenat plot makth që shiheshin veçse në Kinë dhe Itali, kapluan edhe Amerikën. Shtëpitë e kujdesit afër Seattles u kthyen në vatrat e para të shpërthimit vdekjeprurës të COVID-19 në SHBA. Pamjet e moshuarve dhe të cenuarve duke vuajtur në vetmi u bënë dukuri e rëndomtë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur në marsin e 2020-s se kriza e shëndetit përkon me pandemi dhe krejt përnjëherë çdo gjë dhe çdo cep i botës u boshatis, duke filluar nga konviktet e studentëve e deri te kompanitë më të njohura.

Anthony Fauci, eksperti kryesor i vendit për sëmundje infektive, u shndërrua në emrin më të dëgjuar të konferencave të përditshme në lajme.

E kur në marsin e atij viti ai vlerësoi në njërën prej këtyre konferencave se 100.000 deri në 200.000 amerikanë mund të vdesin nga virusi, gjendja dramatike u shpërfill me mosbesim të përgjithshëm. Krejt kjo nxitur fillimisht nga presidenti i atëhershëm, Donald Trump. Ai e kishte minimizuar virusin deri në injorancë, teksa e kishte vlerësuar hidroksikolorokinën si “ndryshues të rregullave të loje”, ani pse ekspertët mjekësorë nuk pajtoheshin me konstatimin.

Peizazhi në SHBA dalëngadalë filloi të merrte pamje të zymtë në tërë vendin. Dritat nëpër sheshin “Times Square” mbetën të ndezura, por energjia dhe turmat identifikuese të tij u venitën. Prilli i ngjasonte një Armagedon në qytetin e New Yorkut; ambulancat vazhdimisht pushtonin rrugët e boshatisura, thasët me kufoma barteshin kudo në kamionë-frigoriferë, që ishin të parkuar jashtë spitaleve dhe shërbenin si morgje të improvizuara.

Pamjet ajrore të kapura nga AP-ja shfaqën një tjetër këndvështrim të pamenduar më parë: një varr masiv në qytetin e New Yorkut për trupat e panjohur të viktimave nga COVID-19. Punonjësit e veshur me kostume nga materiali kundër rreziqeve ishin parë duke bartur arkivole, të vendosur afër njëri-tjetrit në një lëndinë afër bregdetit të Bronxit.

Realiteti i ri i Amerikës

Image

Ajo që mrekulloi në kohë krize ishte heroizmi i punonjësve shëndetësorë dhe demonstrimi i gjithmbarshëm i mirënjohjes për ta; qytetarët e New Yorkut u duartrokitën dhe i goditën tenxheret nga ballkonet e shtëpive të tyre për çdo natë në orën 19:00 për t’i nderuar mjekët dhe infermierët. Të lodhur e të frikësuar, ata luftuan për t’i shpëtuar të sëmurët dhe u zotuan se nuk do t’i lënë viktimat që të vdesin të vetmuar.

Brenda dhomave të spitaleve, ku shumë pacientë nuk i kishin afër familjet për t’i ngushëlluar, detyra për të ofruar ngushëllim u ra mbi supe mjekëve dhe infermierëve të stërngarkuar me punë dhe të dërrmuar emocionalisht. Disa syresh mezi u përmbaheshin lotëve teksa vazhdimisht luteshin për pacientëve që i ndihmonin.

Realiteti i ri se Amerika ishte shndërruar në epiqendrën globale të pandemisë më vdekjeprurëse të historisë moderne e mori tërë vëmendjen. Jeta mori tiparin e virtuales: gjithçka, duke filluar nga puna e shkolla deri te vizitat mjekësore, festat e ditëlindjeve, dasmat e funeralet, kaluan në komunikimin online.

Kjo reflektonte qartë se askush nuk ishte i sigurt. Mirëpo disa ishin më të rrezikuar.

Pabarazitë racore luajtën një rol qenësor në Amerikë, pasi të dhënat treguan se njerëzit me ngjyrë dhe ata nga komuniteti latin ishin prekur në mënyrë disproporcionale dhe po vdisnin po në të njëjtën mënyrë.

Infektimi me virusin ishte kthyer në një nga shqetësimet kryesore, pasi pandemia e mbylli shoqërinë dhe ua vuri drynin bizneseve. Pagat u ulën për miliona amerikanë derisa uria u shfaq në vend. Shumë amerikanë u rreshtuan para bankave të ushqimit; shumica prej tyre për herë të parën në jetë.

Shkenca ishte përzier me politikën, duke e thelluar përçarjen në vend dhe duke e rritur shqetësimin mes popullatës veçse të stresuar. Protestat kundër padrejtësive racore i shtynë njerëzit, shumica prej të cilëve bartnin maska, që të dilnin në rrugë.

Në mesin e një jete të përmbysur, të gjithë kthenin sytë kah normaliteti. Restorantet në disa vende i mbajtën shenjat “hapur” nëpër dyer dhe refuzuan që t’u binden urdhrave për të ndenjur në shtëpi. Të tjerët gjetën ide kreative. Në parkingun e një restoranti në California, një çift bleu një tavolinë për ta shijuar ushqimin italian që e kishin marrë me vete.

Shkëndija shprese

Pas gjithë këtyre u dhanë disa shkëndija shprese.

Në mes të përshkallëzimit, vaksinat kundër COVID-19 u zbuluan në mes të dhjetorit, duke i hapur rrugën përpjekjes më të madhe për vaksinim në historinë e SHBA-së. Ishte lajmi i parë i mirë në një vit plot të këqija. Kur mjekët dhe infermierët i morën të parët vaksinat, kjo për disa u përkthye në festë. Për të tjerët në lot.

Përderisa vaksinat u shpërndanë – ngadalë – pjesa dërrmuese e parqeve të lojërave dhe stadiumeve u hapën, pas disa muajsh mbyllje, për të shërbyer si qendra vaksinimi.

Pushimet e ndaluara pak kohë më herët veç sa sollën më shumë vuajtje.

Karriget e zbrazëta nëpër tavolinat familjare ishin rikujtim i dhimbshëm i humbjes së më të dashurve. Miliona amerikanë i shpërfillën urdhrat për t’iu shmangur udhëtimeve dhe tubimeve, pasi pushimet ishin katalizator për infektime të reja. Dallgë pas dallge, rastet e reja shpërthyen pas Ditës së Falënderimeve dhe pas Krishtlindjeve e Natës së Vitit të Ri, me ç’rast përditë shënoheshin rekorde të zymta në bilancin e infektimeve.

Gjersa vendi dhe bota mbarë po përshëndeteshin me vitit 2020, ishte bërë e qartë se 2021-shi, të paktën në muajt e parë, nuk do të ishte aspak ndryshe.

Politikat megjithatë ndryshuan, kur presidenti Joe Biden e mori detyrën që braktisi Trumpi, pas shumë buje.

Pas katër vjetësh kaos, presidenti i ri reflektoi një ndjenjë rehatie në politikën e vendit, por ende nuk është e qartë nëse Amerika është duke e fituar luftën kundër virusit.

Shifra e të vdekurve nga COVID-19 nuk duket se do të ndalet tek 500-mijëshi derisa virusi ka pësuar mutacion shumë herë, me shpërthimin e varianteve të reja që përhapen më lehtë dhe më shpejt.

Por si do të duket normaliteti i ri? A do të munden qytetarët të frekuentojnë përsëri parqet e lojërave apo të shkojnë sërish në kinema? Dhe a do të gumëzhijë prapë “Times Square”?

Viti më vdekjeprurës në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shërbyer si mësim se këto gjëra duhen shikuar ashtu siç janë, me kohë. \ AP

Image