Botë

Ekspertët mbrojnë izolimet teksa variantet e koronavirusit kaplojnë botën

Në javën e përvjetorit të shpërthimit të pandemisë COVID-19, Italia ka pezulluar të enjten të gjithë ceremonitë e parapara, si pasojë e paraqitjes së rasteve të reja të infektimit me variantin e virusit që është identifikuar fillimisht në Britaninë e Madhe. Shfaqja e varianteve të reja ka nxitur izolimin e sërishëm të Lombardisë së goditur më së rëndi nga vala e parë e pandemisë, por edhe gjetkë

New York, 18 shkurt (AP) – Teksa shtetet po i heqin një nga një rregullat e bartjes së maskave dhe po i zbusin kufizimet ndaj restoranteve dhe bizneseve të tjera me rënien e shifrave të të infektuarve nga COVID-19, zyrtarët e shëndetit publik kanë nxitur autoritetet që ta përqendrojnë vëmendjen te variantet më të rrezikshme të koronavirusit që heshtazi po përhapen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjetkë në botë.

Shkencëtarët pajtohen gjithmbarshëm se SHBA-ja thjesht nuk ka mjete për t’i menaxhuar variantet dhe se kjo përbën rrezik për shpërthimin e një tjetër vale të pandemisë.

“Tani nuk është koha që të hapemi tërësisht”, ka thënë Karthik Gangavarapu, një studiues i lartë në Institutin e Kërkimeve “Scripps”, ekipi i të cilit bashkëpunon me zyrtarët shëndetësorë në San Diego për mbikëqyrjen e mutacioneve të koronavirusit. “Duhet të jemi vigjilentë”, ka shtuar ai.

Mirëpo, peizazhi nuk është i zymtë vetëm në SHBA.

Image

Në javën e përvjetorit të shpërthimit të pandemisë COVID-19, Italia ka pezulluar të enjten të gjitha ceremonitë e parapara, si pasojë e paraqitjes së rasteve të reja të infektimit me variantin e virusit që është identifikuar fillimisht në Britaninë e Madhe. Shfaqja e varianteve të reja ka nxitur izolimin e sërishëm të Lombardisë së goditur më së rëndi nga vala e parë e pandemisë, por edhe gjetkë.

Instituti i Lartë për Shëndet në Itali ka raportuar javën e shkuar se varianti britanik i koronavirusit përbën tani 18 përqindëshin e të gjitha infeksioneve, por ka parashikuar se bilanci do të rritet shpejt, meqë varianti po përhapet me hov të madh. Instituti ka paralajmëruar se kufizimet e reja do të mund të bëheshin domosdoshmëri për ta mbajtur nën kontroll sistemin e përkujdesjes shëndetësore.

Gjatë dy javëve të fundit, mesatarja ditore si e rasteve ashtu edhe e vdekjeve nga COVID-19 ka shënuar rënie prej pothuajse 50 për qind në SHBA, sipas të dhënave nga Universiteti “Johns Hopkins”. Teksa deri të enjten, mbi 40 milionë persona – apo rreth 12 për qind e popullatës – kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Por ekspertët, përfshirë Anthony Faucin dhe drejtorin e Qendrave për Kontrollimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, kanë thënë se trendi në rënie mund të përmbyset me shfaqjen e vazhdueshme të varianteve të reja të koronavirusit.

Problemi, sipas ekspertëve, është se SHBA-ja ka qenë e ngadalshme në zbatimin e një sistemi rigoroz të mbikëqyrjes gjenetike për gjurmimin e përhapjes së varianteve.

“Fakt është se për këtë çështje jemi disi në errësirë”, ka thënë Diane Griffin, mjeke që i studion sëmundjet infektive në Universitetin “Johns Hopkins”. Ajo ka paralajmëruar se variantet “janë mbase të gjithëpranishme, ani pse këtë ne nuk e dimë”.

Të mërkurën, administrata e presidentit Joe Biden kishte njoftuar shpenzimin e 200 milionë dollarëve në Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, për ta trefishuar nivelin e studimeve në sekuencimin gjenetik ashtu që të identifikohen mutacionet, të cilat do të mund ta bënin koronavirusin më të përhapur dhe më vdekjeprurës.

Veçmas kësaj, Kongresi është duke e shqyrtuar një pako për sigurimin e 1.75 miliardë dollarëve për punime të tilla.

Varianti më i përhapur dhe potencialisht më vdekjeprurës i koronavirusit që është identifikuar fillimisht në Britani të Madhe është përhapur tanimë në së paku 42 shtete. Variantet e tjera, të detektuara në Afrikën e Jugut dhe në Brazil, janë raportuar përgjatë gjithë SHBA-së në numër të vogël. Ai i Afrikës së Jugut konsiderohet si veçanërisht shqetësues, shkaku i dëshmive të siguruara se mund ta rrënojë efikasitetin e vaksinave.

“Jemi duke e ndjekur një cak në lëvizje. Ai po ndryshon goxha shpejt për t’u kontrolluar”, ka thënë mjeku Lucio Miele, një ekspert i gjenetikës në Qendrën e Shkencave Mjekësore LSU në New Orleans. “Duhet të jemi proaktivë. Nuk jemi të pacenueshëm”.

Detektimi i varianteve dhe inspektimi i vendeve dhe mënyrës se si po përhapen do të jenë pikat kritike për parandalimin e një vale tjetër vrastare të COVID-19, sikurse ajo që kishte mbërthyer spitalet kudo nëpër botë gjatë këtij dimri.