Botë

Ushtria amerikane e refuzon vaksinën

Disa njësi të Ushtrisë kanë raportuar se vetëm një e treta e pjesëtarëve është pajtuar që ta marrë vaksinën. Udhëheqësit e ushtrisë që synojnë t’i japin fund problemit me vaksinën kanë identifikuar një arsye të fortë për t’i vaksinuar ushtarët: dalje e menjëhershme në detyrë. Për shembull, anëtarët e marinës që kanë nisur lundrimin javën e kaluar janë vaksinuar me ritme nga 80 deri në 90 për qind

Mijëra anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan po e refuzojnë ose prolongojnë procesin e vaksinimit ndaj COVID-19, teksa komandantët e irrituar po përpiqen t’i bllokojnë thashethemet në internet dhe ta gjejnë formën e duhur për t’i bindur trupat që t’i marrin dozat e kurës.

Disa njësi të Ushtrisë kanë raportuar se vetëm një e treta e pjesëtarëve është pajtuar që ta marrë vaksinën. Udhëheqësit e ushtrisë që synojnë t’i japin fund problemit me vaksinën kanë identifikuar një arsye të fortë për t’i vaksinuar ushtarët: dalje e menjëhershme në detyrë. Për shembull, anëtarët e marinës që kanë nisur lundrimin javën e kaluar janë vaksinuar me ritme nga 80 deri në 90 për qind.

Gjeneralmajori i Forcave Ajrore, Jeff Taliaferro, zëvendësdrejtor i operacioneve për Shtabin e Përbashkët, ka thënë para Kongresit të mërkurën se “të dhënat e hershme” tregojnë që vetëm deri në dy të tretat e Ushtrisë kanë pranuar të vaksinohen.

Kjo është shifër më e lartë sesa mesatarja për popullsinë, të cilën një sondazh i fundit nga Fondacioni “Kaiser Family” e vendosi në rreth 50 për qind. Mirëpo, numri i madh i ushtarëve që po refuzojnë vaksinën është shqetësues, ngase ata shpesh jetojnë, punojnë dhe luftojnë së bashku në mjedise ku distanca sociale dhe mbajtja e maskave në shumë raste janë të pamundura për t’u respektuar.

Shifra të larta të refuzimit

Rezistenca e Ushtrisë ndaj vaksinës po bëhet edhe në kohën kur trupat po angazhohen në shpërndarjen e vaksinave nëpër gjithë Shtetet e Bashkuara dhe ndërsa udhëheqësit kanë kthyer sytë kah Ushtria amerikane ashtu që ajo të bëhet shembull për kombin në lidhje me vaksinat.

“Jemi ende duke u përballur me probleme rreth mesazhit dhe si mund të ndikojmë te njerëzit që ta marrin vaksinën”, ka thënë gjenerali Edward Bailey, kirurg për Komandën e Forcave të Ushtrisë.

Ai ka theksuar se në disa njësi vetëm 30 për qind e ushtarëve janë pajtuar që ta marrin vaksinën, ndërkaq midis 50 deri 70 për qind vazhdojnë ta refuzojnë.

Komanda e Forcave i mbikëqyr njësitë kryesore të Ushtrisë, duke përfshirë rreth 750 mijë ushtarë të ushtrisë, rezervës dhe Gardës Kombëtare në 15 baza.

Në Fort Bragg të Karolinës Veriore, ku disa mijëra trupa po përgatiten për angazhimet e ardhshme në terren, shkalla e pranimit të vaksinës është rreth 60 për qind, ka thënë Bailey. Kjo “nuk është aq shifër e lartë sa do të shpresonim për personelin e vijës së parë”, ka shtuar ai.

Bailey i ka dëgjuar të gjitha arsyetimet.

“Një prej arsyetimeve më shqetësuese që kam dëgjuar ishte se ‘Ushtria gjithmonë më thotë se çfarë të bëj, ata më dhanë një zgjidhje, kështu që unë thashë jo’”, ka thënë ai.

Drejtuesit e shërbimeve kanë bërë fushatë të ashpër për vaksinim. Kanë mbajtur takime me bashkitë e qytetit, kanë shkruar mesazhe, kanë shpërndarë të dhëna shkencore, postuar video dhe madje kanë nxjerrë fotografi të drejtuesve duke u vaksinuar.

Për javë të tëra, Pentagoni ka këmbëngulur se nuk e dinte shifrën e saktë të ushtarëve që e refuzonin vaksinën. Të mërkurën ofroi detaje mbi të dhënat e hershme të procesit të vaksinimit brenda Ushtrisë.

Zyrtarët nga shërbimet individuale ushtarake, megjithatë, kanë thënë në intervistat për “Associated Press” se nivelet e refuzimit të vaksinës ndryshojnë prej njëra-tjetrës, në varësi të moshës, njësisë, vendndodhjes, statusit të vendosjes dhe angazhimeve të tjera.

Image

Vaksina e detyrueshme

Këto ndryshime ua vështirësojnë udhëheqësve ushtarakë specifikimin e argumenteve që janë më bindëse për vaksinën. Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve ka lejuar përdorimin emergjent të vaksinës, kështu që është proces vullnetar. Mirëpo, zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes shpresojnë që së shpejti gjërat të ndryshojnë për të mirë.

“Akoma nuk mund ta bëjmë vaksinën të obligueshme”, ka thënë zëvendësadmirali Andrew Lewis, komandanti i Flotës së dytë të Marinës. “Mund t’ju them se vaksinën do ta bëjmë të obligueshme sa më parë që të jetë e mundur, ashtu siç bëmë me vaksinën e gripit”.

Rreth 40 pjesëtarë të marinës u mblodhën së fundmi në një sallë konferencash në Kaliforni, për një orë informacione nga stafi mjekësor. Një oficer që nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht lidhur me bisedat private e ka bërë këtë nën kushtin e anonimitetit. Ai tha se marinsat janë më të qetë kur bëjnë pyetje në lidhje me vaksinën në grupe më të vogla.

Oficeri ka thënë gjithashtu të kishte dëgjuar nga një marins që kishte përmendur një teori konspirative rreth vaksinës.

“Kam dëgjuar se vaksina është një pajisje gjurmimi”, ka thënë oficeri amerikan. Sipas tij, një anëtar i stafit u çua në këmbë dhe shpejt ia mohoi këtë teori konspirative, duke drejtuar gishtin kah telefoni. I kishte thënë ushtarit se telefoni ishte një gjurmues efektiv.

Pyetje të tjera të shpeshta janë ngritur edhe rreth efekteve anësore apo shqetësimeve të tjera shëndetësore, përfshirë problemet e mundshme te gratë shtatzëna. Zyrtarët e Ushtrisë, Marinës dhe Forcës Ajrore kanë pretenduar se nga ushtarët gjithnjë dëgjojnë pothuajse të njëjtat gjëra.

Refuzimi i të rinjve

Trupat detare janë një shërbim relativisht i vogël dhe përgjithësisht me të rinj. Ngjashëm me popullatën e përgjithshme, anëtarët e rinj të shërbimit kanë më shumë gjasa që të refuzojnë ose të presin. Në shumë raste, dëshmuan komandantët ushtarakë, trupat në moshë më të re e kanë pasur koronavirusin ose kanë njohur të tjerë që janë infektuar dhe erdhën në përfundimin se virusi nuk ishte aq i keq.

“Ajo që nuk po shohin është se 20-vjeçarët që janë sëmurur shumë janë shtruar në spital ose kanë vdekur, ose njerëzit që duken mirë, por rezulton se kanë zhvilluar anomali të mushkërive dhe të zemrës”, ka bërë të ditur Bailey.

Një fije shprese për nisjen e vaksinimit mes Ushtrisë ishte angazhimi i tyre.

Lewis, me bazë në Norfolk të Virginias, ka thënë javën e kaluar se marinarët në luftanijen “USS Dwight D. Eisenhower”, e cila operon në Atlantik, u pajtuan që të vaksinoheshin me një mesatare prej 80 për qind. Detarët në “USS Iwo Jima” dhe marinsat në Njësinë e 24-t Detare të Ekspeditës, të cilët gjithashtu po vendosen, kishin mesatare më shumë se 90 për qind.

Bailey ka specifikuar se Ushtria po mendon ta reduktojë periudhën dyjavore të karantinës për njësitë e vogla që po angazhohen në Evropë, po qe se ushtarët vaksinohen në shumicë dhe nëse shteti mikpritës pajtohet me këtë. Ushtria amerikane në Evropë mund të shkurtojë kohën e karantinës në pesë ditë, nëse vaksinohet 70 përqindëshi i njësisë dhe kjo nxitje mund të funksionojë, ka thënë ai.

Numrat e pranimit të vaksinës bien mes ushtarëve që nuk janë të angazhuar në terren, kanë thënë zyrtarët ushtarakë.

Gjenerali James McConville, shefi i stafit të Ushtrisë, shfrytëzoi përvojën e tij për t’i inkurajuar ushtarët që të vaksinohen.

“Kur ata më pyetën se si ndihesha, u thashë se ishte shumë më pak e dhimbshme sesa disa nga takimet që realizoj në Pentagon”, ka thënë ai.

Koloneli Jody Dugai, komandant i Spitalit të Komunitetit Ushtarak në Fort Polk të Louisianas, ka bërë të ditur se deri më tani bisedat në nivelin e skuadrës, me tetë deri në 10 kolegë, kanë qenë të suksesshme dhe se marrja e më shumë informacioneve po ndihmon.

Në Qendrën e Përbashkët të Trajnimit në Fort Polk, gjenerali David Doyle ka një sfidë të dyfishtë. Si komandant baze, duhet t’i bindë gati 7.500 ushtarë që ta marrin vaksinën dhe të sigurohet se mijëra trupa që hyjnë dhe dalin për stërvitje të jenë të sigurt.

Doyle ka thënë se shkalla e pranimit në bazën e tij është midis 30 dhe 40 për qind dhe se ushtarët e rinj janë ata që po e refuzojnë më së shumti vaksinën.

“Më thonë se nuk kanë besim të lartë te vaksinat, sepse besojnë se është krijuar me nguti”, ka specifikuar ai. Zyrtarët e lartë shëndetësorë kanë dëshmuar sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës.

Doyle ka thënë se ushtarët kanë ndikim më shumë sesa komandantët te bindja e të tjerëve - i të njëjtit mendim është edhe Baileyi, kirurgu i Komandës së Forcave të Ushtrisë.

“Jemi duke u përpjekur që ta kuptojmë se cilët janë ndikuesit”, ka bërë të ditur Bailey. “A është një udhëheqës skuadre apo një rreshter toge në ushtri? Mendoj se ndoshta është. Dikush që është i moshës së tyre dhe bashkëvepron me ta më shpesh ndikon sesa oficeri që bën foto të vaksinimit dhe thotë ‘kam qëlluar në shenjë’”. \ AP