Associated Press ka zbuluar se në shumë prej rasteve të pandehurit përsëritën pretendime të rreme, të thëna nga Trumpi për muaj të tërë të presidencës së tij se zgjedhjet në SHBA ishin të manipuluara
Në një mesazh të shkruar, një mbështetës radikal i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, bëri thirrje që të merrte një barkë për të transportuar “armë të rënda” përtej lumit Potomac dhe për t’ua sjellë anëtarëve tjerë të grupit fiks në kohë për datën 6 janar, kanë treguar provat e gjykatës.
Nuk ishte veç një bisedë e kotë, thonë autoritetet. Hetuesit gjetën fatura në vlerë prej 750 dollarësh për armatim dhe një armë zjarri të krijuar në formë celulari në shtëpinë e Thomas Caldwellit në Virginia. Ai akuzohet për komplot me anëtarët e grupit të milicisë së djathtë ekstreme “Oath Keepers”, në një prej planeve më të dhunshme të organizuara ndonjëherë në rrethimin e Capitolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ekstremistët e krahut të djathtë, të bekuar nga Donald Trump, u liruan muajin e kaluar dhe prania e tyre kërcënuese ka ringjallur debatin mbi ekstremizmin e brendshëm dhe mënyrën se si forcat e rendit duhet t’i trajtojnë këto grupe.
Bisedat e tyre për luftë civile, tradhtarë dhe për revolucion i pasqyronin fjalët e ashpra të përsëritura nga personalitete dhe faqet e internetit të mediave sociale të krahut të djathtë për muaj me radhë, teksa Trumpi vazhdonte me pretendimet e rreme se zgjedhjet ishin të manipuluara.
Në gati gjysmën e më shumë se 200 çështjeve federale që burojnë nga sulmi në Capitol, autoritetet kanë cituar prova që një kryengritës është frymëzuar nga teoritë e konspiracionit ose ideologjitë ekstremiste, sipas një analize të Associated Press që ua bëri dokumenteve të gjykatës.
FBI-ja ka lidhur të paktën 40 të pandehur me grupe apo lëvizje ekstremiste, duke përfshirë së paku 16 anëtarë ose bashkëpunëtorë të grupit neofashist “Proud Boys” dhe të paktën pesë dyshohet se janë pjesë e grupit “Oath Keepers”. Agjentët e FBI-së gjithashtu bëjnë të ditur se të paktën 10 të pandehur ishin të lidhur me “QAnon”, një teori konspirative pro-Trump që është rritur përtej origjinës së saj të skajshme, për të depërtuar në politikat kryesore të republikanëve.
Në të paktën 59 raste të tjera autoritetet i lidhin të pandehurit me retorikë të dhunshme ose ekstremiste, teori konspirative ose lidhje të tjera të ekstremit të djathtë në mediat sociale dhe forume të tjera para, gjatë ose pas kaosit të 6 janarit.
Përsëritja e thirrjeve ekstremiste

AP-ja me analizën e saj zbuloi se në shumë prej rasteve të pandehurit përsëritën pretendime të rreme, të thëna nga Trumpi për muaj të tërë të presidencës së tij se zgjedhjet në SHBA ishin të manipuluara. Disa nëpër llogaritë e tyre në rrjetet sociale transmetonin kërcënime me vdekje ndaj demokratëve. Të tjerët ishin thellësisht të ngatërruar në një botë me teori konspirative të ekstremit të djathtë në lidhje me pandeminë COVID-19. Ndërkaq dhjetëra protestues të dyshuar u bënë jehonë fjalëve të përdorura nga mbështetësit e QAnon, të cilët hodhën në dritë besimin e pabazë se Trumpi është një luftëtar i fshehtë që lufton për të ekspozuar një rrjet burokratësh dhe personazhesh të famshëm të Satanit që trafikojnë fëmijë.
Të shtunën Senati e shfajësoi Trumpin në procesin e dytë të impiçmentit. Një grup liberal u bëri thirrje mbështetësve që t’i kërkonin të nominuarin për prokurorin e përgjithshëm Merrick Garland që të “hetojë dhe të ndjekë penalisht Trumpin dhe tërë rrjetin e tij kriminal për thyerje të ligjit”.
Zyra e Prokurorit amerikan në Washington ka caktuar një task-forcë të veçantë të prokurorëve që do të shqyrtojnë nëse do të ngrenë akuza për trazira kundër disa prej protestuesve, teksa prokurorët dhe agjentët federalë në të gjithë vendin zhvillojnë më shumë raste kundër ekstremistëve që bënë planin për të sulmuar Capitolin më 6 janar. Prokurorët kanë një tjetër task-forcë që shqyrton sulmet ndaj gazetarëve.
Presidenti Joe Biden, që ende nuk ka mbushur një muaj në krye të SHBA-së, ka urdhëruar tashmë zbatimin e ligjit dhe zyrtarët e Inteligjencës për të hetuar terrorizmin e brendshëm. Por zbatimi i shtuar nuk është aq i thjeshtë. Pjesa më e madhe e retorikës inflamatore mbrohet nga Amendamenti i Parë.
Dhe disa grupe të të drejtave civile kanë hezituar ndaj çdo zgjerimi të zbatimit të ligjit, sepse komunitetet afro-amerikane dhe latine kanë nxitur barrën e kontrollit të sigurisë dhe kanë frikë se mjetet e reja për të luftuar ekstremizmin do të përfundojnë duke i përndjekur këto komunitete.
Shumimi i teorive konspirative
Ndërkohë, teoritë e konspiracionit shumohen. Aplikacioni konservator i mediave sociale Parler dyfishoi bazën e përdoruesve, duke shtuar 8.7 milionë përdorues, pas zgjedhjeve presidenciale kur Facebook dhe Twitter bllokuan llogaritë që përhapnin keqinformime në lidhje me zgjedhjet.
Thirrjet në platformën konservatore për revoltë ose të nisë një luftë ndaj rezultateve të zgjedhjeve u rritën me të madhe, thuhet në analizën e AP-së, që u bëri 183 milionë postimeve dhe 13 milionë profileve të përdoruesve.
Arkivi që u regjistrua mes gushtit 2018 dhe 10 janarit, kur Parler u nxor jashtë linje, iu ofrua AP-së nga studiuesi Max Aliapoulios i Universitetit të Nju-Jorkut.
Postimet e Parler që përmbajnë fjalën “revolucion” u rritën pesë herë më shumë sesa shkalla e përgjithshme e trafikut të mesazheve pas zgjedhjeve, thuhet në analizën e AP-së.
Rreth 84 për qind e postimeve që i referohen thurjes “#1776” u publikuan në ose pas ditës së zgjedhjeve. Pas tyre referencat për “tradhti” dhe parullën e QAnon “besojini planit” u rritën rreth 10 herë më shumë se norma e përgjithshme.
Nga 6 deri më 8 janar termat “luftë civile”, “besojini planit” dhe “mbajeni frontin” u përmendën më shumë se 250 mijë herë nëpër media online, përfshirë Twitter, Redditt dhe Instagram, sipas një analize nga firma e Inteligjencës mediatike Zignal Labs.
Përgatitja si për luftë
Po ashtu mbështetësit e Trumpit që morën pjesë në kaosin e Washingtonit ishin të shpejtë për të kuptuar gjuhën e Revolucionit Amerikan dhe dokumenteve themeluese të kombit amerikan, për të pikturuar veten si patriotë në vend të ekstremistëve. Në rastet e hapura federale, FBI citon të paktën 11 të pandehur se kanë thënë “ne njerëzit”, ndërkaq të paktën dhjetë i janë referuar “1776”, kurse të paktën nëntë kanë përdorur termin “revolucion”. Tetë të tjerë përdorën fjalët “tradhtar” ose “tradhti”.
“Të gjithë atje janë tradhtarë të pabesë, kishte thënë i akuzuari Peter Stager, banor i Arkansas, në një video të postuar në Twitter. “Vdekja është ilaçi i vetëm për atë që janë në atë ndërtesë”, kishte thënë ai për Capitolin. Avokat i Stagerit nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Postimet e avokatit të Parler u bënë gjithnjë e më paranojake dhe të zemëruara pasi zgjedhjet presidenciale filluan të ktheheshin në favor të Bidenit. William Calhoun nga Americus, Georgia përmendi kryengritjen në Capitol pak para se ajo të niste. Paralajmëroi për një luftë civile dhe kërcënoi se do t’i therte demokratët.
Calhoun pas kaosit në Washington u kthye në shtëpi dhe vazhdoi me përfaqësimin e klientëve të tij nëpër seanca gjyqësore. Agjentët federalë kanë dëshmuar se në momentin e arrestimit në shtëpinë e tij kishte të paktën dy pushkë, katër armë gjahu, një pistoletë dhe qindra fishekë. Gjykata ka urdhëruar paraburgimin e tij. Avokati i tij deri më tani ka heshtur.
“Oath Keepers” me javë të tëra para 6 janarit ishin përgatitur për kaosin sikur të niseshin për luftë, thonë hetuesit. Njëri e këshilloi ekstremistin tjetër “që të ishte i gatshëm të luftonte” deri në ditën e inaugurimit dhe diskutuan për dy ditë lojëra lufte, si pjesë e trajnimit të madh luftarak për “betejë urbane”, kontroll të trazirave dhe operacione të shpëtimit, thuhet në dokumentet e gjykatës.
Gjykata gjatë javës së kaluar refuzoi lirimin e Caldwellit, që sipas autoriteteve së bashku me anëtarët tjerë të “Oath Keepers” organizoi komplotin për fshirjen e fitores së Bidenit. Duke i kërkuar që ta mbanin në burg Caldwellin, prokurori ka thënë se në shtëpinë e tij është gjetur një “listë e vdekjes” me emrin e një zyrtari zgjedhor që bëri famë në kohën e zgjedhjeve presidenciale.
Avokati i Caldwellit ka thënë se prokurorët nuk kanë prova se klienti i tij që mohon të jetë anëtar i “Oath Keepers” ka hyrë ndonjëherë në Capitol. Akuzat ndaj tij i quajti “imagjinare”.
“Këto gjëra janë nxjerrë nga konteksti”, ka thënë Caldwell gjatë seancës gjyqësore. \ AP