Botë

Shfajësimi nuk është fjala e fundit për Trumpin rreth dhunës në Capitol

“Presidenti Trump është ende përgjegjës për gjithçka që ka bërë derisa ishte në detyrë, si një qytetar i thjeshtë”, ka thënë lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell, nga Kentucky, pas votës. Ai ka insistuar se gjykatat janë vendi më i duhur sesa Senati për mbajtjen e Trumpit përgjegjës. “Ende nuk ka shpëtuar tërësisht... ende”, ka thënë McConnell.

Washington, 14 shkurt (AP) – Shfajësimi i Donald Trumpin në procesin e dytë të impiçmentit ndaj tij mund të mos jetë fjala e fundit rreth fajësisë së tij për dhunën vdekjeprurëse në Capitol. Hapi i radhës për ish-presidentin mund të jenë gjykatat.

Duke qenë tani një qytetar i thjeshtë, Trumpit i është hequr imuniteti nga përndjekja ligjore që ia ofronte presidenca. Ky ndryshim statusi është pika të cilën e përmendin madje edhe republikanët, të cilët votuan të shtunën për shfajësimin e Trumpit nga akuza për nxitjen e sulmit më 6 janar, në përpjekjen për t’i nxitur amerikanët që të lëvizin tutje prej impiçmentit.

“Presidenti Trump është ende përgjegjës për gjithçka që ka bërë derisa ishte në detyrë, si një qytetar i thjeshtë”, ka thënë lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell nga Kentucky, pas votës. Ai ka insistuar se gjykatat janë vendi më i duhur se sa Senati për mbajtjen e Trumpit përgjegjës.

“Ende nuk ka shpëtuar tërësisht...ende”, ka thënë McConnell.

Kokëçarjet e shumta ligjore të Trumpit

Kryengritja në Capitol, në të cilën mbetën të vdekur pesë persona, është vetëm një prej rasteve ligjore që do ta përcjellin Trumpin në muajt pas largimit të tij nga detyra. Ai përballet gjithashtu me padi penale në Georgia për presionin e pretenduar ushtruar zyrtarëve zgjedhorë të këtij shtetit, si dhe me atë në Manhattan për ryshfet dhe ujditë afariste.

Por, sipas ligjit, fajësia e Trumpit për nxitjen e dhunës nuk është aspak e përfunduar. Trumpi mund të paditet edhe nga viktimat, ani pse ai ende gëzon njëfarë mbrojtje kushtetuese.

Njohësit e çështjeve ligjore kanë thënë se për hetimet adekuate penale nevojitet kohë dhe kufizimi për ngritjen e një rasti penal është të paktën pesë vjet. Dëshmi të reja për shkeljet po shfaqen përditë.

“Hetimet janë goxha në fazë të hershme për t’u ditur ndonjë gjë”, ka thënë Laurie Levenson, profesoreshë e së drejtës në shkollën e Drejtësisë Loyola dhe ish-prokurore federale. “Janë arrestuar 200 persona, janë në kërkim të edhe qindra të tjerëve, krejt këta njerëz mund të jenë dëshmitarë potencialë për shkak se disa kanë thënë: ‘Trumpi më ka shtyrë ta bëjë’”.

Ajo çfarë nuk dihet, sipas saj, është se çfarë po bënte Trumpi gjatë protestës dhe ky mund të jetë çelësi. Procesi i impiçmentit nuk ka ofruar shumë përgjigje. Por hetuesit federalë në një hetim penal kanë shumë më tepër kompetenca që t’i nxjerrin dëshmitë nëpërmjet thirrjes së dëshmitare nga juria e lartë.

Rasti penal ka të bëjë me atë nëse Trumpi apo ndonjëri folës në tubimin afër Shtëpisë së Bardhë që i parapriu sulmit në Capitol ka nxitur dhunë dhe nëse ata kanë qenë në dijeni se fjalët e tyre do ta kishin atë ndikim.

Trumpi kishte nxitur turmën më 6 janar që të marshonte në Capitol, ku Kongresi ishte mbledhur për ta certifikuar fitoren zgjedhore të Joe Bidenit. Ai madje premtoi që të shkonte bashkë me mbështetësit e tij, ndonëse këtë gjë në fund nuk e bëri.

“Nuk do ta ktheni kurrë vendin tonë në dobësi”, ka thënë Trumpi.

Betejë pas beteje

Avokatët e Trumpit kanë thënë se ai nuk ka bërë ndonjë gjë të paligjshme.

Prokurorët federalë kanë bërë të ditur se janë në kërkim që ta paraqesin sulmin e Capitolit nga të gjitha këndet dhe të konstatojnë nëse dhuna ishte e nxitur. Prokurori i përgjithshëm i Qarkut të Columbias, Karl Racine, ka thënë se prokurorët e qarkut janë duke shqyrtuar nëse të padisin Trumpin sipas ligjit lokal që i bën vepra të dënueshme deklaratat që i motivojnë njerëzit për dhunë.

Prokurorët në Atlanta së fundi kanë hapur hetime penale lidhur me tentimet e Trumpit për ta përmbysur humbjen e tij zgjedhore në Georgia, përfshirë këtu telefonatën e 2 janarit, në të cilën ai e nxiti sekretarin e shtetit, Brad Raffensperger, që t’i “gjejë” mjaftueshëm vota për ta sprapsur fitoren e ngushtë të Bidenit.


Bideni e quan shfajësimin e Trumpit si “dëshmi të demokracisë së brishtë”

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka cilësuar të dielën shfajësimin e Donald Trumpit nga akuza për nxitje të kaosit në Washington si dëshmi se demokracia amerikane është e brishtë. Vetëm shtatë republikanë iu bashkuan demokratëve në votën për dënimin e Trumpit, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’i siguruar dy të tretat e nevojshme. Presidenti Biden ka thënë se akuza rreth rolit të Trumpit në kaosin e Washingtonit nuk duhet vënë në diskutim, teksa ka kërkuar që SHBA-ja të lërë prapa këtë proces. “Ky kapitull i hidhur i historisë sonë na dëshmon se demokracia jonë është e brishtë dhe se gjithmonë duhet të mbrohet. Duhet të jemi vigjilentë se dhuna dhe ekstremizmi nuk kanë vend në Amerikë”, ka thënë Bideni. Ndërkaq vetë Trumpi ka mirëpritur shfajësimin, duke e quajtur procesin si “gjueti shtrigash”. Të shtunën procesi ndaj ish-presidentit përfundoi me 57 vota kundër e 43 në favor të dënimit. Trumpi përballej me vetëm një akuzë për nxitje të dhunës në Capitol më 6 janar. Gjatë procesit të gjykimit, prokurorët demokratë argumentuan se ai e nxiti turmën me të pavërtetat se zgjedhjet ishin të manipuluara. Trumpi është presidenti i vetëm që u gjykua dy herë dhe i pari që iu nënshtrua procesit pas përfundimit të mandatit.