Botë

Trumpi “kryenxitës” i dhunës, në telashe ligjore edhe në Georgia

Prokurorët demokratë janë zotuar të mërkurën që të ofrojnë dëshmi se ish-presidenti amerikan nuk ka qenë një “spektator i pafajshëm”, por në fakt “kryenxitësi” i dhunës së 6 janarit. Ndërkaq në Georgia kundër tij kanë nisur hetime rreth përpjekjes për ndërhyrje në rezultatin zgjedhor të shtetit

Prokurorët në procesin e impiçmentit kundër Donald Trumpit kanë thënë të mërkurën se do të dëshmojnë që ish-presidenti ka qenë një “spektator i pafajshëm” porse “kryengritësi” i sulmit vdekjeprurës në Capitol me qëllim të përmbysjes së humbjes së tij zgjedhore karshi Joe Bidenit.

Duke e fuqizuar argumentimin se ish-presidenti duhet të mbahet përgjegjës, ata pretenduan se Trumpi ka “mbjellë farën” e sulmit të 6 janarit me pretendimet e rreme për vjedhjen e zgjedhjeve.

Përveç rrezikut nga dënimi në fund të procesit të gjykimit në Senat, republikanit Trump të mërkurën i janë hapur fronte të reja në ballafaqimin me drejtësinë. Prokurorët në Fulton county të shtetit të Georgias kanë nisur hetimet kundër tij lidhur me përpjekjen për të ndikuar në rezultatet zgjedhore të këtij shteti.

Prokurorja kryesore në Fulton, Fani Willis, ka adresuar një letër, nëpërmjet së cilës u ka kërkuar zyrtarëve qeveritarë që t’i ruajnë të gjitha dokumentet, përfshirë ato që ndërlidhen me telefonatën e atëhershme të presidentit me sekretarin republikan të shtetit, Brad Raffensperger, me ç’rast i ushtroi presion për t’i “gjetur” më shumë vota.

“Kjo çështje është me prioritet të lartë dhe jam i bindur si zyrtar i zbatimit të ligjit, të betuar për t’i mbrojtur kushtetutat e Shteteve të Bashkuara dhe Georgias, mbledhjen e informatave dhe dëshmive për krime potenciale nëpërmjet intervistave, dokumenteve, videove dhe xhirimeve elektronike do ta bëjmë në bashkëpunim”, thuhet në letrën e 10 shkurtit.

“Gënjeshtër e madhe”

Image

Në hapje të ditës së parë të plotë të argumentimit në procesin në Senat, prokurori kryesor i Dhomës ka premtuar shpalosjen e dëshmive që konfirmojnë se presidenti ka trimëruar turmën që të niset drejt Capitolit, pastaj nuk bëri gjë për të ndalur dhunën dhe ka shikuar “i gëzuar” derisa sulmohej godina ikonike në atë që rezultoi me pesë të vdekur.

“Për ne kjo mund të duket si kaos dhe çmenduri, por ekzistonte një metodë që çoi drejt çmendurisë atë ditë”, ka thënë përfaqësuesi Jamie Raskin,

Procesi i së mërkurës u zhvillua një ditë pas fillimit emocional të gjykimit, i cili nxiti zemërimin e ish-presidentit pasi që avokatët e tij nuk vepruan për ta penguar procesin mbi pretendimin e kushtetutshmërisë. Kjo gjë nxiti thirrjet e disa aleatëve të tij për ndryshime të tjera në ekipin mbrojtës.

Trumpi është i pari president amerikan që përballet me procesin e impiçmentit, pas largimit nga detyra, si dhe i vetmi që është fajësuar dy herë gjatë një mandati.

Senatorët argumentuan se fjalimi nxitës i Trumpit nuk përkonte me lirinë e shprehjes, siç pretendon mbrojtja, por është pjesë e një “gënjeshtre të madhe”, në kuadër të përpjekjes së tij të vazhdueshme për të ndjellë dyshime rreth rezultateve nga zgjedhjet e 3 nëntorit. Pretendimet e tija të pabaza kishin nisur goxha kohë para numërimit të votimeve.

“Trumpi e dinte fare mirë çfarë do të ndodhte, kur e kapi atë mikrofon para dyerve të Shtëpisë së Bardhë në tubimin e asaj dite, pothuajse një orë pasi që Kongresi kishte filluar procesin e certifikimit të fitores së Bidenit”, ka thënë përfaqësuesi Joe Neguse.

“Ky nuk ishte vetëm një fjalim”, ka thënë ai. “Mbështetësit e Trumpit ishin të përgatitur dhe të armatosur, të gatshëm për t’ia mësyrë Capitolit. Kur i dëgjuan fjalët e tij, ata e kuptuan mesazhin”.

Telashe në ekipin e Trumpit

Image

Vështirësitë me të cilat do të përballej ekipi mbrojtës i Trumpit u bënë të qarta që në fillim, kur u ballafaquan me substancën e rastit ndaj klientit të tyre.

Avokati i mbrojtjes, Bruce Castor, kishte thënë të martën se e ka ndryshuar qasjen e planifikuar, pasi ta ketë dëgjuar hapjen emocionale të prokurorëve.

Republikanët janë shprehur të pakënaqur me punën e mbrojtjes së Trumpit, me ç’rast shumë zyrtarë kanë thënë se nuk e kuptojnë nga po shkon rasti, duke e vënë theksin tek avokati Castor.

Argumentimet e dy palëve do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës, teksa nuk pritet që prokurorët demokratë të paraqesin dëshmitarë. Ndërkaq vetë Trumpi kishte refuzuar qysh më herët kërkesën e tyre për të dhënë dëshmi nën betim.

Procesi i dytë i impiçmentit i nisur ndaj Trumpit pritet që të jetë më i shkurtër, por më i ndërlikuar se sa rasti i një viti më parë. Asokohe Trumpi ishte fajësuar për presionin që i kishte ushtruar homologut nga Ukraina për t’i “nxjerrë të palara” Bidenit, rivalit të tij të atëhershëm demokrat për postin e presidentit.

Dhoma e Përfaqësuesve e kishte fajësuar presidentin në një proces të përshpejtuar, vetëm një javë pas sulmit të 6 janarit në Capitol, në atë që i hapi rrugën procesit aktual në Senat. \ AP