Botë

Regjistrohet një rast i variantit të ri të COVID-19 në Maqedoninë Veriore

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë Veriore njoftoi sot se gjatë analizave të të dhënave nga COVID-19 nga muaji janar, në një laborator privat për gjenetikë në Klinikën “Zhan Mitrev”, te një mostër është detektuar mutacioni i llojit britanik të virusit SarsCov2.

Bëhet fjalë për një 46-vjeçar që tashmë në bazën e të dhënave të ISHP-së nga 22 janari evidentohet si i shëruar.

Sipas informacioneve të ISHP-së, pacienti për herë të parë më 29 dhjetor të vitit të kaluar, për shkak të temperaturës së lartë dhe frymëmarrjes së vështirësuar ka bërë testim të shpejtë dhe testi ka rezultuar pozitiv.

Më 4 janar 2021 ai është paraqitur për kontroll në Spitalin Privat “Zhan Mitrev” ku i është bërë testi PCR që ka rezultuar pozitiv. Pacienti menjëherë është shtruar në spitalin privat dhe më 15 janar është testuar sërish dhe rezulton pozitiv.

Në anketën epidemiologjike pacienti nuk ka paraqitur kontakte e as që ka udhëtuar jashtë vendit.

Në laboratorin në Spitalin “Zhan Mitrev” me metodë të veçantë PCR është konstatuar se pacienti është i dyshuar për ndonjë mutacion të virusit, kurse më pas është bërë sekuenca e izolatit.

Sipas informacionit që është përcjellë në Ministrinë e Shëndetësisë, të gjitha mutacionet që definojnë llojin britanik të virusit janë konstatuar në izolatin e këtij pacienti. Te mostrat tjera që janë analizuar në laboratorin privat nuk është detektuar lloji britanik i virusit SarsCov2. /AlsatM