Raportet përherë më të shtuara të abuzimeve seksuale në Etiopi, autoritetet i kanë mohuar, duke e drejtuar në vend të kësaj gishtin kah Fronti i Çlirimit të Popullit të Tigrayit (TPLF), ish-parti kjo qeverisëse e rajonit, forcat e së cilës ata i akuzojnë për kryengritje
Një shitëse fare e re e kafesë thotë të jetë ndarë nga familja dhe miqtë e saj prej një ushtari etiopian në lumin Tekeze, të ishte shpjerë poshtë shtegut dhe t’i ishte ofruar një zgjidhje tmerruese.
“Ai më tha: ‘Zgjidh, ose të të vras ose të të përdhunoj’”, ka treguar 25-vjeçarja, duke folur për agjencinë Reuters nga kampi i refugjatëve Hamdayet në Sudan, ku ajo kishte gjetur strehim në ikje nga konflikti në rajonin Tigray të Etiopisë.
Mjeku, i cili e kishte trajtuar kur kishte mbërritur në kamp gjatë dhjetorit, Tewadros Tefera Limeuh, ka thënë për Reutersin se i ka ofruar ilaçe për t’ia pamundësuar shtatzënësinë dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, dhe se e kishte udhëzuar te një psikioterapeut.
“Ushtari... ia kishte drejtuar armën dhe e kishte përdhunuar”, ka thënë Lemeuh, i cili ishte paraqitur vullnetar për Kryqin e Kuq Sudanez. “Ajo e kishte pyetur në rast se kishte kondom dhe ai i kishte thënë: ‘Pse do të më duhej një kondom’”, ka interpretuar mjeku, fjalët e vajzës.
Mohimi i raportimeve
Pesë punëtorë humanitarë për grupet ndërkombëtare dhe etiopiane të ndihmës kanë bërë të ditur të kenë pranuar raportime të shumëfishta të abuzimeve të ngjashme në Tigray. Kombet e Bashkuara janë angazhuar gjatë javës së shkuar për t’u dhënë fund sulmeve seksuale në rajon.
Në mesin e pretendimeve të tilla “me numër shumë të lartë”, raportimet veçanërisht shqetësuese janë shfaqur mes njerëzve që kanë theksuar të jenë detyruar t’i përdhunojnë të afërmit apo të kenë marrëdhënie seksuale në këmbim të furnizimeve esenciale, ka bërë të ditur Zyra e përfaqësueses së posaçme të OKB-së për Dhunë Seksuale në Konflikt, Pramila Patten, nëpërmjet një deklarate për media.
Qeveria e kryeministrit Abiy Ahmed dhe ushtria nuk u janë përgjigjur kërkesave të Reutersit për t’i komentuar raportimet për përdhunime. Ambasadori etiopian në Kombet e Bashkuara, Taye Atske Selassie, i ka thënë Pattenit se Etiopia ka politika zero të tolerancës ndaj dhunës seksuale. Këtë gjë ai e ka thënë nëpërmjet transmetuesit shtetëror televiziv “Fana TV”.
Autoritetet etiopiane kanë mohuar më herët raportet rreth shkeljes së të drejtave, duke e drejtuar në vend të kësaj gishtin kah Fronti i Çlirimit të Popullit të Tigrayit (TPLF), ish-parti kjo qeverisëse e rajonit, forcat e së cilës ata i akuzojnë për kryengritje.
“U bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira në armiqësitë në rajonin e Tigrayit që të zotohen për politiken e zero tolerancës ndaj krimeve të dhunës seksuale”, ka bërë të ditur përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së Patten, nëpërmjet një komunikate.
Gratë dhe vajzat në kampet e refugjatëve përbrenda Etiopisë duket të kenë qenë caqe të veçanta, teksa qendrat mjekësore janë vënë nën presion për të siguruar kontraceptivë dhe teste emergjente për infeksionet seksualisht të transmetueshme, thuhet në deklaratë.
Reutersi nuk ka arritur që t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet për përdhunime. Mediat kryesisht janë të ndaluara në Tigray, agjencitë humanitare kanë pasur telashe në qasje, ndërsa komunikimet kanë rënë tash e sa javë.

Abuzuesit në uniforma
Gruaja 25-vjeçare, e cila foli për Reutersin, ka thënë se abuzuesi i saj bartte uniformën e ushtrisë federale etiopiane.
Pesë nëpunës të shërbimeve humanitare kanë thënë se gra të tjera i kanë përshkruar sulmuesit e tyre si luftëtarë ushtarakë të rajoit Amhara të Etiopisë apo ushtarë eritreas, që të dy kampe këto që janë në aleancë me trupat e kryeministrit Abiy. Reutersi nuk ka qenë në gjendje që ta përcaktojë identitetin e sulmuesve të grave.
Një zëdhënës i Abiyit, Qeveria kalimtare në Tigray, kryebashkiaku i kryeqytetit rajonal Mekelle, ministri i Jashtëm i Eritresë dhe një zëdhënës i ushtrisë etiopiane nuk u janë përgjigjur kërkesave për t’i komentuar përdhunimet e pretenduara. Reutersi nuk ka arritur as të vihet në kontakt me përfaqësuesit e TPLF-së.
“Nuk e kam ndonjë informatë lidhur me këtë”, ka thënë zëdhënësi rajonal i Amharas, Gizachew Muluneh, nëpërmjet telefonit.
Etiopia dhe Eritrea kanë mohuar që të dyja pretendimet se trupat eritrease ndodhen në Etiopi, duke i kundërshtuar intervistat me dhjetëra dëshmitarë okularë, diplomatët dhe një gjeneral etiopian.
“Pse një grua përdhunohet?”
Në një takim të zyrtarëve të sigurisë në Mekelle, të transmetuar në televizionin shtetëror etiopian në fillim të këtij muaji, një ushtar ka folur rreth abuzimeve edhe pasi që qyteti është okupuar nga forcat federale.
“Isha i zemëruar dje. Pse një grua përdhunohet në qytetin Mekelle? Nuk do të ishte gjë shokuese sikur të ndodhte gjatë luftës... Por gratë janë përdhunuar dje dhe sot, kur policia lokale dhe policia federale janë vërdallë”, ka thënë ushtari, i cili nuk është identifikuar.
Autoritetet lokale nuk u janë përgjigjur kërkesave për të komentuar nëse ndonjë ushtar do të mund të hetohej apo të sillej para drejtësisë.
Tewadros, mjeku në kampin e refugjatëve, ka përshkruar dy raste të tjera të përdhunimit, me të cilat ka punuar drejtpërsëdrejti. Një grua që kishte pretenduar të ketë ikur nga qyteti Rawyan në Tigray, ka treguar se si tre ushtarë, të cilët i ka identifikuar si forcat speciale Amhara, kishin trokitur në derën e shtëpisë së saj, ka treguar mjeku.
Kur ajo refuzoi që t’i lejonte të hynin, ata e thyen derën dhe e sulmuan.
Një nëpunës i shërbimeve humanitare në qytetin Wukro ka treguar për Reutersin se viktimat i kishin treguar se si një bashkëshort është shtrënguar të gjunjëzohej dhe të shikonte derisa bashkëshortja e tij po përdhunohej prej ushtarëve, të cilët ata i identifikuan si eritreas.
Një pjesëtar i ekipit shëndetësor në Adigrat ka thënë të ketë trajtuar gjashtë gra, të cilat ishin përdhunuar nga një grup ushtarësh dhe ishin udhëzuar që më pas, as të mos kërkonin ndihmë. Ato e gjetën guximin për të folur vetëm disa ditë më vonë, por ilaçe për trajtimin e tyre nuk kishte, ka thënë mjeku.
Në Mekelle, një burrë ishte rrahur pasi kishte lutur ushtarët që të ndalojnë së përdhunuari një 19-vjeçare, ka treguar një tjetër nëpunës i ekipeve shëndetësore, i cili i kishte trajtuar që të dy viktimat. Organizata bamirëse “Elshadai” në Mekelle ka njoftuar të ketë përgatitur 50 shtretër spitali për viktimat e përdhunimeve.