Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka nënshkruar 15 vendime pak pasi u betua të mërkurën, duke shfuqizuar disa prej politikave që ishin vendosur nga pararendësi i tij republikan, Donald Trump. Lëvizjet e tij të para ishin për t’iu adresuar pandemisë dhe ndryshimeve klimatike, raporton agjencia Reuters.
Duke nënshkruar disa urdhëra në Zyrën Ovale të mërkurën pasdite, Biden tha se nuk ka kohë për të humbur, ndërsa ka lëshuar urdhëra ekzekutivë, memorandume dhe direktiva.
“Disa prej vendimeve do të ndihmojnë për të ndryshuar kursin në luftën ndaj pandemisë, do të luftojmë ndryshimet klimatike në një mënyrë që nuk kemi bërë deri më tash dhe do të avancojmë barazinë racore dhe do të përkrahin komunitetet tjera që nuk kanë pasur përkrahje. Këto janë vetëm fillimi”, ka deklaruar Biden.
Këshilltarët kanë thënë se në mesin e vendimeve që ka marrë presidenti demokrat është edhe një për të bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave në prona federale dhe për punonjësit federalë, një urdhër për të krijuar një zyrë në Shtëpinë e Bardhe për të koordinuar reagimin ndaj koronavirusit, dhe të ndalohet procesi i tërheqjes së SHBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Biden ka nënshkruar një dokument për të nisur procesin e rikthimit në paktin e Parisit për klimë dhe ka lëshuar disa urdhëra për luftimin e ndryshimeve klimatike, përfshirë heqjen e lejes presidenciale të dhënë tubacionit të diskutueshëm të naftës Keystone XL.
Në mesin e urdhërave kanë qenë edhe disa për imigracion, ku Biden ka shfuqizuar një deklaratë emergjente të Trumpit që ka ndihmuar në ndërtimin e murit kufitar me Meksikën dhe po ashtu I ka dhënë fund ndalesës së udhëtimit për disa shtete me shumicë myslimane.
Vendimet e ditës së parë janë vetëm disa prej veprimeve ekzekutive që do të marrë Bideni në ditët e para, ka thënë sekretarja e tij për media Jen Psaki.
“Në ditët dhe javët në vijim, do të njoftojmë për masa tjera ekzekutive për të konfrontuar sfidat dhe për të përmbushur premtimet që presidenti i ka dhënë popullit amerikanë”, ka deklaruar Psaki.
Veprimet tjera do të përfshijnë anulimin e ndalesës së shërbimit në ushtri të transgjinorëve.