Botë

Ikja në vetmi e Trumpit

Në spektaklin e fundit përçarës para largimit nga Zyra Ovale, tashmë ish-presidenti Donald Trump është bërë komandanti i parë në historinë e re amerikane që ka shkelur traditën e pjesëmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të pasuesit. Dhe bojkotimi i ish-magnatit të patundshmërive e të botës së showbizit të kthyer në politikan, e ka nxjerrë atë para popullit amerikan dhe botës si lider shpirtngushtë.

Ikja si autokratët në ekzil

Me ceremoninë që zakonisht u organizohet liderëve të huaj gjatë ndonjë vizite në kryeqytetin amerikan, vetë Trumpi është përcjellë në mënyrë të ngjashme, derisa një bandë muzikore e Ushtrisë amerikane ka interpretuar “Hail to the Chief”. Janë shkrepur edhe 21 të shtëna topash, duke respektuar një traditë me të cilën karakterizohen ndryshimet në politikën amerikane. Dhe masat që u morën në Washington dhe rrethinë, më shumë ngjanin me ndonjë aktivitet që organizohet nga ndonjë diktator e autokrat, shkruan CNN-ja, duke iu referuar angazhimit të më shumë se 25 mijë pjesëtarëve të Gardës Kombëtare për të siguruar zonën nga frika se mund të kishte ndonjë mësymje të ngjashme me atë të 6 janarit nga mbështetësit e nxitur nga vetë Trumpi.

Televizioni amerikan vlerëson, gjithashtu, se largimi i Trumpit nga Shtëpia e Bardhë ngjasonte me ekzilin e ndonjë lideri autokrat që nuk e ka mbështetjen e popullit dhe kërkon ekzil.

Katër vjet më parë, Trumpi mbajti fjalimin e tij të inaugurimit, duke premtuar se do t’i jepte fund asaj që do ta quante “kërdia amerikane”. Gjatë deklarimeve të fundit si president, megjithatë, Trumpi duket se nuk ishte i zoti që t’i shmangej rolit të tij të nxitjes së bandave drejt Capitolit, duke e sulmuar shtëpinë e demokracisë amerikane. Kjo do të ngelet një prej ditëve që do të vulosin trashëgiminë e tij politike.

“Ne nuk ishim administratë e rregullt”, ka deklaruar Trumpi në një moment të rrallë sinqeriteti.

Duke folur para teleprompterëve ndihmës, po mundohej të spikaste ato që i ka quajtur arritje të tij të mëdha. Ka përmendur krijimin e Forcës Hapësinore dhe suksesin në emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës Supreme amerikane, organi më i lartë i drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, nuk e zuri në gojë emrin e Joe Bidenit, prej të cilit e humbi garën zgjedhore në zgjedhjet e 3 nëntorit. Vetë Trumpi i kontestoi zgjedhjet, duke akuzuar pa dëshmi demokratët që kurdisën rezultatin zgjedhor në atë që vetë zyrtarët e institucioneve të pavarura amerikane i kanë konsideruar si zgjedhjet më të rregullta në historinë amerikane.

“Lamtumirë!” e “Do të kthehemi disi”

Image

“I uroj administratës së re shumë fat dhe shumë suksese”, deklaroi Trump. “Lamtumirë. Ju duam. Do të kthehemi në njëfarë forme”, theksoi Trumpi, para se të shtonte: “Paçi jetë të mirë”.

Muzika që zakonisht lëshohej në tubimet e Trumpit po dëgjohej, përfshirë edhe më të preferuarat e presidentit të larguar, YMCA e Village People. Vetëm se kësaj here, Trumpi nuk vallëzoi me ritmin e këngës, sikurse ka bërë në shumicën e rasteve kur është lëshuar në tubime të tij. Kësaj here u soll si një luftëtar i mposhtur që del nga skena.

I fiksuar me turmat, Trumpi shpresonte se do të kishte një ceremoni ndryshe para fluturimit të fundit me aeroplan presidencial. Në shumicën e takimeve dhe vizitave në nisje e kthim, është përcjellë nga adhuruesit që mbanin kapela të kuqe me mbishkrimin MAGA, shkurtesë e sloganit “T’ia kthejmë Amerikës madhështinë përsëri”.

Por numri i ulët prej vetëm rreth 200 përkrahësish nuk e kishte entuziazmin e dikurshëm derisa në një mot të ftohtë, Trumpi po largohej.

Ishin vetëm pak prej mbështetësve më besnikë të Trumpit, përfshirë edhe shefin e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, dhe shkruesin e fjalimeve, Stephen Miller. Fëmijët e rritur të presidentit të 45-të amerikan e duartrokitën fort, përfshirë Donald Trump Jr, Ivanka Trumpin dhe burrin e saj, Jared Kushner. Milleri i dha Ivankas një përqafim të përlotur.

Qasja ndryshe e Pences

Image

Dhe pasi përfundoi bisedën, Trumpi nisi largimin nga skena, duke u kthyer edhe njëherë që t’i shtrëngonte duart me Meadows, zyrtari më i lartë që mori pjesë në ceremoninë e largimit, derisa zëvendëspresidenti Mike Pence zgjodhi që të respektonte traditën dhe të nderonte presidentin dhe zëvendëspresidenten e re në ceremoninë e betimit.

Pence nuk kishte marrë pjesë edhe në një tjetër aktivitet të mëhershëm të Trumpit në ditën e fundit në krye të Shtëpisë së Bardhë – kjo një tjetër shenjë e përplasjes për shkak se Pence refuzoi më 6 janar kërkesën e shefit që ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve demokratike në ditën e certifikimit të presidentit Biden në Kongres.

Dhe derisa ai dhe bashkëshortja Melania Trump po ngjiteshin shkallëve të fluturakes, një reporter e pyeti: “A jeni penduar për atë çfarë ndodhi më 6 janar?”. Trumpi nuk ia ktheu asnjë fjalë të vetme.

Trumpi u akuzua nga demokratët se nxiti kryengritjen dy javë më parë në Capitol, duke nxitur shkarkimin e dytë nga Dhoma e Përfaqësuesve e dominuar nga demokratët. Por, procesi nuk shkoi deri në fund për shkak se shumica e republikanëve nuk patën gatishmëri ta mbështesnin shkarkimin edhe në Senat, i dominuar nga Partia Republikane.

Raportohet se Trumpi nuk ka bërë të qartë për rrethin e ngushtë se çfarë aktiviteti do të bëjë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Megjithatë, një këshilltar i vjetër i tij i ka deklaruar gazetarit të CNN-së se Trumpi funksiononte si “monark”.

Pas arritjes së Trumpit në Florida, reporterët bënë përpjekjen e fundit për t’i shtruar pyetje derisa po lëshohej shkallëve të fluturakes presidenciale, që në fakt simbolizonin edhe minutat e fundit në detyrën e presidentit të SHBA-së.

“A jeni penduar për ngjarjet e 6 janarit?” – e pyeti prapë reporteri.

Sërish nuk mori kurrfarë përgjigje. \ CNN