Botë

Lideri i opozitës në Uganda frikësohet për jetën

Lideri i opozitës në Ugandë, Bobi Wine, thotë se është duke u kërcënuar me jetë pas zgjedhjeve presidenciale të enjten, ku Yoweri Museveni fitoi mandatin e gjashtë.

Këngëtari i kthyer në politikan, Bobi Wine, që ishte kundërkandidat i Musevenit, ka thënë se ka refuzuar ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve.

Ai ka thënë se ka pasur shumë parregullësi, anipse Museveni i ka quajtur zgjedhjet më fer që ka pasur ndonjëherë në Ugandë.

Fushata parazgjedhore ishte shënuar me raste të dhunës, ku pati dhjetëra të vdekur.

Para ditës së votimeve, qeveria në Ugandë ndaloi interneti, një lëvizje që u dënua nga monitoruesit e zgjedhjeve.

Thonë se besimi në numërimin e votave është dëmtuar nga këto veprime. Një ministër në Qeveri ka thënë për BBC se iterneti do të kthehet së shpejti.

Në një intervistë për BBC, Bobi Wine, emër me të cilin paraqitet 38-vjeçari në skenë si këngëtar, pasi emri i vërtetë i tij është Robert Kyagulanyi, ka thënë se është i shqetësuar për jetën e tij dhe bashkëshortes së tij.

Ai ka thënë se nuk po lejohet të dalë nga shtëpia, e cila është e rrethuar nga forca të sigurisë.

“Asnjëri nuk lejohet të largohet apo vijë në shtëpinë tonë. Po ashtu, gjithë gazetarët – vendas dhe të huaj – nuk po lejohen të takohen me mua këtu në shtëpi”, ka thënë Wine.

Rezultati i zgjedhjeve i jep Musevenit 76-vjeçar, që është në fuqi që nga viti 1986, edhe pesë vjet tjera si president.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Ugandë, Simon Mugenyi Byabakama, tha se Museveni i ka fituar zgjedhjet, ndërsa ka treguar se kanë marrë pjesë 57 për qind të votuesve. Ai ka thënë se zgjedhjet kanë qenë paqësore dhe i ka bërë thirrje Bobi Winet që të dalë në publik me dëshmi se ka pasur mashtrime.

Kandidati i opozitës më herët tha se me kënaqësi do të shpërndajë videot e parregullësive dhe mashtrimeve, me t’u kthyer interneti.

Museveni ka paralajmëruar se nuk do të tolerohet ndërhyrja e të huajve.