Botë

Çfarë ndodh me presidentët e shkarkuar?

Descriptive Text

Ndonëse është i vetmi që kaloi dy herë nëpër të njëjtën procedurë, Donald Trumpi assesi nuk është presidenti i vetëm i shkarkuar në historinë e Shteteve të Bashkuara. Në vijim janë shembujt prej tre presidentëve të shkarkuar më herët dhe pasojat e trashëgimitë e tyre

Washington, 14 janar – Presidenti Donald Trump është bërë të mërkurën i pari në historinë e Shteteve të Bashkuara që është shkarkuar dy herë nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve – dhe mbetet njëri prej tre syresh që i janë nënshtruar gjithashtu shkarkimit.

Kjo gjë ngre pyetjen se çfarë ndodh në fakt me presidentët që shkarkohen. Për të gjetur përgjigjen, Agjencia britanike e lajmeve BBC ka përpiluar një listë të shembujve të mëhershëm dhe pasojave e konsekuencave të tyre gjatë historisë.

Andrew Johnson

Image
Andrew Johnson, presidenti i parë i shkarkuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Nën hijen e Luftës Civile, presidenti amerikan Andrew Johnson – një demokrat – ishte përplasur vazhdimisht me Kongresin e kontrolluar prej republikanëve rreth mënyrës se si ta rindërtojë jugun e mposhtur të SHBA-së.

“Republikanët radikalë” të asaj periudhe, shkruan BBC, kishin insistuar për kalimin e një ligji që do t’i dënonte ish-liderët e Konfederatës dhe do t’i mbronte të drejtat e skllevërve të liruar. Johnsoni asokohe e kishte përdorur veton e tij presidenciale për t’i bllokuar përpjekjet republikane, në secilin rast të mundshëm.
Në mars, Kongresi e kishte kaluar Aktin e Mandatit në Detyrë, të përpiluar për t’ua shkurtuar presidentëve kompetencat për pushimin nga detyra të anëtarëve të Kabinetit pa miratimin paraprak të Senatit. Në kundërpërgjigje, Johnsoni e pezulloi anëtarin e Kabinetit dhe rivalin e tij politik, Edwin Stanton, derisa Kongresi ishte në pushim.

“Nëse procedurat e sotme u ngjasojnë shfaqjeve teatrore me ngjyrime politike, atëherë duhet ditur se e gjitha është pjesë e një tradite të moçme të shkarkimit: Stanton iu kundërpërgjigj pushimit nga puna me ngujimin përbrenda zyrës së tij dhe me refuzimin për t’u larguar”, ka shkruar BBC-ja.

Largimi i Stantonit doli të ishte kashta e fundit – republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nxituan që t’i hartojnë 11 nenet e shkarkimit.

Pas një votimi që rrodhi pritshëm sipas vijave partiake, nenet u nxorën para Senatit, ku ai u shfajësua, por vetëm për momentin. Për dënimin e tij mungoi vetëm një votë e vetme që do ta krijonte shumicën prej dy të tretave.

Por cilat ishin pasojat? Sipas disa të dhënave, Johnsoni i ishte gëzuar lajmit për shfajësimin e tij dhe ishte zotuar më pas që t’i përkushtohet fuqimisht përmirësimit të reputacionit të tij.

Por kjo nuk piu ujë.

Ai e shërbeu pjesën e mbetur të mandatit presidencial, ama muajt e tij të fundit në detyrë ishin përshkuar nga po të njëjtat beteja të pushtetit që e kishin ngërthyer të gjithë qeverisjen e tij, para shkarkimit.

Dhe më 1869, demokratët e humbën Shtëpinë e Bardhë kundruall kandidatit republikan, Ulysses S Grand, i cili lejoi që plani i partisë së tij për Rikonstruktim Radikal të shkojë përpara.

Cila është trashëgimia e tij? Të qenët i shkarkuar. Dhe, sipas BBC-së, blerja e Alaksas më 1867 për një shumë “cool” prej 7.2 milionë dollarësh.

Përveç tjerash, BBC fakton se Johnsoni ishte gjithashtu njëri prej presidentëve më të varfër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, kurrë as që kishte shkuar në shkollë.

Richard Nixoni

Image
Richard Nixoni nuk e priti procesin e nisur të shkarkimit, por dha dorëheqje, si i pari ndonjëherë, për shkak të skandalit Watergate

Pothuajse shkarkimi i Richard Nixonit ka rrënjët në ndërhyrjen e 1972-s në selinë e partisë demokrate në kompleksin e zyrës së Watergate në Washington DC.

Meqë hetimet zbuluan se plaçkitësit ishin paguar me anë të fondeve të fushatës për rizgjedhjen e Nixonit, skandali Watergate u shtri bukur përtej ndërhyrjes, duke i implikuar në këtë udhë zyrtarët më të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Për pothuajse dy vjet, Nixoni u mundua që ta mbulonte rolin e tij në këtë konspiracion, duke çuar në rrënimin e tij përfundimtar.

Përpjekjet e presidentit republikan u dëshmuan të kota. Në gushtin e 1974-s, teksa Komiteti për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve po i përgatiste nenet për shkarkim, Nixoni ishte shtrënguar që t’i publikonte përgjimet në Zyrën Ovale, në të cilat presidenti dëgjohej qartë tek i thoshte stafit që ta nxiste CIA-në t’i thoshte FBI-së që t’i ndalonte hetimet lidhur me ndërhyrjen në Watergate.

Ky “tym pushke” tanimë i ditur e shënoi thyerjen përfundimtare në të gjithë përpjekjen e Nixonit për ta mbuluar dhe heshtur skandalin.

Më 27 të korrikut të atij viti, Komiteti për Drejtësi i Dhomës votoi për t’i kaluar tri nenet e shkarkimit – për pengim të drejtësisë, keqpërdorim të detyrës dhe shpërfillje të Kongresit – dhe i dërgoi ato më pas në Dhomën e Përfaqësuesve për votim përfundimtar.

Por votimi nuk ndodhi kurrë.

Më 8 gusht 1974, Nixoni dha dorëheqje. Ai mbetet presidenti i vetëm në histori të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka ndërmarrë një veprim të tillë.

“Kurrë nuk kam qenë më i qetë”, kishte thënë ai në fjalimin e dorëheqjes, kujton BBC. “Largimi nga detyra para përfundimit të mandatit është i pështirë për çdo instinkt të brendshëm të trupit tim. Por si president, duhet që t’i vë interesat e Amerikës në rend të parë”.

Cilat ishin pasojat?

Nënpresidenti Gerald Ford ishte betuar si president vetëm gjashtë javë më vonë dhe e kishte falur Nixonin për çdo krim që kishte bërë gjatë ushtrimit të detyrës.

Për sa u përket zgjedhjeve të mbajtura më pak se dy vjet pas kësaj ngjarjeje, Fordi e humbi Shtëpinë e Bardhë kundruall demokratit Jimmy Carter.

Por cila është trashëgimia e Nixonit? Moskundërshtimi. Është skandali Watergate.

Ndonëse ai kurrë nuk pranoi të ketë bërë ndonjë vepër penale, veprimet e Nixonit mbesin në histori si një “rrëfim paralajmërues” për çdo lloj keqpërdorimi të pushtetit presidencial.

Nixoni ka vdekur në prillin e 1994-s, 20 vjet pasi që, si i turpëruar, ka dhënë dorëheqje.

Duke folur gjatë funeralit të tij, presidenti i asaj kohe, Bill Clinton, ishte përqendruar në punën e Nixonit në rrafshin e politikave të jashtme, kujton BBC.

“Le të themi: Le të marrë fund dita kur presidenti Nixon do të gjykohet për gjithçka tjetër pos për gjithë jetën dhe karrierën e tij”, kishte thënë Clintoni asokohe.

Bill Clinton

Image
Bill Clintoni i shpëtoi shkarkimit në Senat për aferën e tij seksuale me ish-ndihmësen Monica Lewinsky

Vetëm pak vjet pasi që presidenti Bill Clinton ua predikoi faljen shkeljeve të Nixonit, demokrati nga Arkansasi do të ballafaqohet vetë me një krizë politike.

Rreth një vit që nga marrja e detyrës, Clintoni u gjet nën hetimet e nisura nga një prokuror i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë.

Nën këshilltarin e posaçëm, Kenneth Starr, shtrirja e hetimeve rreth hesapeve me pasuritë e patundshme u zgjerua në janarin e 1998-s, për ta përfshirë edhe aferën e presidentit me ish-praktikanten e Shtëpisë së Bardhë, Monica Lewinsky.

Si pjesë e një procesi të veçuar gjyqësor kundër presidentit – abuzimi seksual i Paula Jonesit – Clintonit ishte pyetur lidhur me marrëdhënien e tij me Lewinskyn.

Nën betim, të 17-n e janarit, Clintoni mohoi të ketë pasur lidhje me ish-ndihmësen në Shtëpinë e Bardhë. Pak ditë më vonë, Clintoni e sprapsi mohimin e tij.

“Dua që të më dëgjoni”, kishte thënë presidenti Clinton gjatë një adresimi para mediave në Shtëpinë e Bardhë. “Nuk kam pasur marrëdhënie seksuale me atë grua, Monica Lewinsky. Kurrë nuk i kam thënë as edhe një personi të vetëm që të gënjente, as edhe një moment të vetëm, kurrë”.

Më 9 shtator 1998, Starr e publikoi raportin e tij në Kongres. Edhe publiku shumë shpejt do ta kishte mundësinë që ta shihte raportin 445-faqesh të Starrit, i cili e përfshinte dëshminë epshndjellës të Lewinskyt. Ajo kishte arritur një marrëveshje imuniteti me këshilltarin e pavarur, në këmbim të bashkëpunimit të saj.

Raporti përfshiu gjithashtu 11 baza të mundshme për shkarkim. Në dhjetor 1998, Dhoma e Përfaqësuesve votoi sërish sipas vijave partiake për ta shkarkuar Clintonin për dy akuza: dëshmi të rreme dhe pengim të punimeve të Kongresit.

Në shkurt, Clintoni u shfajësua në Senatin e kontrolluar prej republikanëve.

Cilat ishin pasojat e gjithë kësaj? Gjatë gjithë një viti të përshkuar nga skandali Lewinsky-Clinton, që e konsumoi vendin, presidenti u bëri ballë thirrjeve të shtuara për dorëheqje.

Krejt kjo gjatë periudhës, në fund të janarit të 1998-s, kur Clintoni e shënoi ngritjen më të madhe ndonjëherë të mbështetjes në sondazhe. Sipas sondazhit të asaj kohe nga CNN e Gallup, 67 për qind e amerikanëve po e mbështesnin presidentin.

Në fund, të vetmit politikanë që i humbën vendet e tyre të punës gjatë krizës së shkarkimit ishin republikanët. Plani republikan për ta kthyer skandalin në fitore gjatë zgjedhjeve të mesmandatit më 1998 prodhoi kundërreagim: demokratët shënuan avantazh si në Dhomë ashtu edhe në Senat.

Clintoni u largua nga detyra janarin e 2001-s, me një mbështetje prej 65 për qind të amerikanëve – shkallë kjo, sipas BBC-në, më e larta kundruall pararendësve të tij.
Ama partia e tij e humbi Shtëpinë e Bardhë, kur George W. Bush e mposhti Al Goren, pas rinumërimit të votave në Florida.

Cila është trashëgimia e Clintonit?

Kjo varet më shumë se kush pyet, por skandali me Monica Lewinskyn padyshim se do të jetë përgjigja e parë që u bie ndërmend të gjithëve që pyeten. Shkarkimi që pasoi? Dukshëm më pak.

Shkalla e lartë e popullaritetit të tij në sondazhe gjatë gjithë procesit sugjeron se ai nuk ishte dëmtuar, sikurse dy presidentët e mëparshëm që ishin ballafaquar me të njëjtat telashe.