Turqia është bërë shteti i radhës që ka filluar programin e vaksinimit kundër koronavirusit të ri. Turqia ka filluar vaksinimin e punonjësve shëndetësorë nëpër spitale me vaksinën kineze anti-COVID, të prodhuar nga Sinovac Biotech Ltd, shkruan agjencia AP.
Sot ka nisur vaksinimi në Turqi, vetëm një ditë pasi që autoritetet turke kanë aprovuar vaksinën e Sinovac për përdorim emergjent.
Mininistri i Shëndetësisë i Turqisë dhe anëtarët e këshillit shkencor të shtetit kanë qenë të parët që kanë marrë vaksinën në prani të televizioneve pas aprovimit emergjent.
Personat mbi 65 vjet do të jenë të radhës që do të vaksinohen.
Turqia ka pranuar një dërgesë prej 3 milionë dozave të vaksinës së Sinovacut muajin e kaluar. Shteti pritet të marrë 50 milionë doza të kësaj vaksine në total, ndonëse po ka dyshime për efikasitetin e kësaj vaksine.
Hulumtuesit në Brazil javëne kaluar treguan se efikasiteti i vaksinës Sinovac në provat e bëra në këtë shtet ka qenë pak mbi 50 për qind.
Hulumtuesit në Turqi e Indonezi kanë raportuar për efikasitet më të lartë të kësaj vaksine. Mirëpo, autoritetet shëndetësore thonë se çdo vaksinë që është së paku 50 për qind efikase është e përdorshme.